Lidhje

UNESCO voton sot për anëtarësimin e Kosovës


Konferenca e përgjithshme e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Arsim Shkencë e Kulturë, do të shqyrtojë të hënën në orën 11 e 30 sipas kohës së Evropës Qendrore, kërkesën e Kosovës për anëtarësim.

Kërkesa e saj është paraqitur zyrtarisht Shqipëria. Ministrja shqiptare e kulturës, Mirela Kumbaro tha se anëtarësimi i Kosovës është jo vetëm i nevojshëm, por më se i merituar. Kosova me historinë, popullin, monumentet dhe kulturën e saj, ka ruajtur një pjesë të mozaikut kulturor të Ballkanit. Të gjithë shtetet e tjera të rajonit janë anëtare të UNESCO-s dhe do te ishte absurde, madje dhe qesharake, që një anëtar i familjes së Ballkanit të mos jetë edhe formalisht brenda organizatës më të madhe në aspektin e kulturës dhe arsimit, ndërkohë që Kosova është pjesë e saj prej lidhjes së saj organike dhe historike.

Duke kundërshtuar ministren shqiptare, delegacioni serb tha se do të kërkojë të hënën shtyrjen e debatit mbi kërkesën e Kosovës, për t’i dhënë, siç thuhet, një mundësi bisedimeve ndërmjet Beogradit e Prishtinës ku do të diskutohet edhe çështja e trashëgimisë kulturore serbe.

Beogradi kundërshton ashpër anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, duke ngulur këmbë se siç thuhet, kishat dhe manastiret ortodokse në Kosovë i takojnë trashëgimisë dhe pronës së Kishës Ortodokse serbe dhe “çdo rrëmbim i kësaj trashëgimie do të ishte cenim real i ekzistimit të objekteve më të rëndësishme fetare, kulturore e historike të popullit serb".

Autoritetet në Kosovë thonë se me anëtarësimin në UNESCO, Kosova do të rrisë standardet e ruajtjes dhe të garantimit të trashëgimisë kulturore, përshirë respektimin e statusit, të trashëgimisë dhe të pronës së Kishës Ortodokse Serbe.

Rreth kësaj çështjeje janë zhvilluar debate edhe të përfaqësuesve amerikan që mbështesin Kosovës dhe atyre rus që mbështesin qëndrimin serb.

Kërkesa e Kosovës është futur në rend të ditës më 21 tetor në mbledhjen e Këshillit Ekzekutiv të UNESCO-s, i cili miratoi edhe projekt rezolutën me të cilën rekomandohet pranimi i Kosovës, e cila mori 27 vota, ndërsa 14 vende votuan kundër.

Konferencën e përgjithshme e përbëjnë 195 vende anëtare dhe secili vend ka një votë, ndërkaq që për marrjen e vendimit, nevojiten dy të tretat e votave të atyre që marrin pjesë në votim, ndërsa nuk llogariten votat e paanshme.

XS
SM
MD
LG