Lidhje

Kuçi: Dialogu Beograd-Prishtinë, me garancinë e SHBA dhe BE


Zëvendës kryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi thotë se ideja e tij për një traktat paqeje mes Kosovës dhe Serbisë mund të duket e pakapshme për momentin, por shton se ata që kanë bërë luftën kanë një detyrim për paqen në vend dhe harmoni me fqinjët. Zoti Kuçi, njëkohësisht edhe Ministër i Drejtësisë ndodhet në Ajova në kuadër të një programi partneriteti mes këtij shteti dhe Kosovës. Kolegia Keida Kostreci bisedoi me të, me Ministrin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku si edhe me komandantin e Gardës së Ajovës major gjeneralin, Timothy Orr.

Zëvendës kryeministri Kuçi e shpjegon propozimin për traktat më shumë si objektiv në fund të një procesi të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, sesa si një qëllim i afërt. Ai thekson se pavarësisht se mund të duhet një muaj, një viti, apo disa vjet për ta arritur këtë, kjo do të jetë një zgjidhje e përhershme. Për zotin Kuçi një element thelbësor për sukses do të ishte “një presion pozitiv nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Unioni Evropian”. Ideja e tij është që për çdo lloj dialogu mes dy vendeve, Kosova të parashtrojë një propozim për traktat paqeje, por se në fillim duhet një garanci nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe Bashkimi Evropian.

“Traktati është si përfundim do të thoja i këtyre takimeve, si përfundim i një qëllimi dhe hapja e një kapitulli të ri, do të jetë definim i raporteve Kosovë-Serbi dhe mbi bazën e saj do të mbyllej kapitulli i konfrontimit dhe do të hapej ai i bashkëpunimit”.

Lidhur me rifillimin e mundshëm të bisedimeve, zoti Kuçi thotë se Kosova ka treguar gadishmëri për të lëvizur nga pozicioni aktual në një dialogu që do të rregullonte raportet ndërshtetërore. Por ai thotë se Prishtina kërkon paraprakisht zbatimin e marrëveshjeve të mëparshme, veçanërisht menaxhimi i integruar të kufijve që do të tregonte vullnetin dhe gadishmërinë për fqinjësi të mirë.

“Ne presim që këtu gjithmonë rolin dominant ta kenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ato të Unionit Evropian dhe mbi bazën e saj pastaj të bëjmë hapa konkretë, por në çdo rast duke respektuar tërësinë territoriale të njëri-tjetrit, duke respektuar sovranitetin dhe duke respektuar pavarësinë institucionale”.

Ai thotë se bisedimet ndërshtetërore do të ndihmonin edhe serbët e Kosovës për integrim në institucionet tona. Zëvendës kryeministri Kuçi nuk u përgjigj drejtpërdrejt për kërkesën e serbëve të Kosovës që të përfaqësohen në bisedime si palë, por tha se çelësi i zgjidhjes së problemeve të tyre është në Beograd.

Me afrimin e fundit të fazës së pavarësisë së mbikqyrur, zëvendëskryeministri tha se qeverika ka prezantuar një draft për mandatin e Eulexit që në fillim të shtatorit do të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës. Ai thotë se çdo vendim për të ardhmen e këtij misioni do të merret në kompromis me Brukselin.

Zëvendës kryeministri Kuçi, së bashku me disa ministra të tjerë ndodhet në Ajova, garda kombëtare e të cilit ka lidhur një partneritet me Kosovën që për çështje ushtarake dhe joushtarake mes shtetit amerikan dhe vendit ballkanik.
Komandanti i Gardës, major gjeneral Timothy Orr thotë se bashkëpunimi parashikon trajnimin e oficerëve, përgatitje për katastrofa natyrore, dhe aftësitë e udhëheqjes. Gjenerali Orr thotë se të dyja palët përfitojnë nga përvoja e shkëmbyer.

“Ne kemi pasur bisedime shumë pozitive dhe kemi shkëmbyer ide të mira dhe unë mendoj se Kosova do të bëhet një aktor kyç në rajon përsa i takon përgjigjeve ndaj katastrofave jo vetëm për shtetin e vet por me trajnimin që marrin të ndihmojnë rajonin në të gjitha vendet përreth”.

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku thotë se kjo forcë ka përfituar në fushën e trajnimit, të doktrinave, manualeve nga ky partneritet i dobishëm. Duke folur për të ardhmen e forcës që drejton, zoti Çeku thotë se mbyllja e fazës mbikqyrëse nuk do ta ndryshojë mandatin e saj.

“Por gjithashtu tash për tash jemi duke zhvilluar rishikimin strategjik të tërë sektorit të sigurisë dhe në veçanti jemi duke rishikuar FSK-në dhe Ministrinë e FSK-së”.

Ky proces, thotë zoti Çeku po zhvillohet edhe me ndihmën e Shteteve të Bashkuara dhe Departamentit të Mbrojtjes, por edhe me ndihmën e Gardës Kombëtare të Ajovas.

“Pritet që ky proces të përfundojë diku nga pjesa e dytë e vitit të ardhshëm dhe nga ky proces do të dalim me rekomandime të cilat deri atëherë do të jenë të harmonizuara, të koordinuara me partnerët tanë, me NATO-n, me fqinjët tanë dhe në bazë të këtyre rekomandimeve do të ndryshohet kuadri ligjor dhe gradualisht kjo nuk do të jetë një ngjarje por një proces i cili do të marrë kohë por sidoqoftë shumë shpejt do ta arrijmë edhe këtë synim”.

Faza a pavarësisë së mbikqyrur së Kosovës pritet të mbyllet në shtator.
XS
SM
MD
LG