Kosova dhe Serbia përfunduan dje raundin e pestë të bisedimeve në nivel kryeministrash, me njoftimin se takimi i ardhshëm do të mbahet më 4 mars. Bisedimet e radhës nuk sollën ndonjë marrëveshje, por sipas shefes së diplomacisë së Bashkimit Evropian, Catherine Ashton shënuan përparim. Ndërkohë Grupi Ndërkombëtar i Krizave nxorri një raport për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Ekspertët janë të një mendjeje se ky është një moment vendimtar për marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Beogradit, sepse nga njëra anë palët janë për herë të parë kaq pranë një zgjidhjeje dhe nga ana tjetër është e nevojshme që sa më shpejt të arrihet një sukses i prekshëm për Veriun.
“Ka ardhur koha që kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë të tregojnë kurajon e duhur dhe të ndërmarrin hapa të vendosur që jetesa për serbët e veriut të Kosovës të përputhet me strukturën administrative të Kosovës, duke marrë njëkohësisht parasysh nevojat e popullsisë lokale”.
Drejtori i Projektit për Ballkanin për Grupin Ndërkombëtar të Krizave, Marko Prelec thotë se për herë të parë të dyja vendet kanë parasysh të njëjtën gjë kur flasin për Kosovën Veriore. Ai thotë se një nga sfidat kryesore është se a duhet lidhur përparimi për Veriun, me pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare, përfshirë anëtarësimin eventual në OKB.
Zëvendës Presidenti i Këshillit të Atlantikut këtu në Uashington, Damon Wilson nuk sheh mëdyshje për këtë pyetje, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara janë krenare që e kanë njohur Kosovën dhe duan që një gjë të tillë ta bëjnë të gjithë anëtarët e Bashkimit Evropian.
“E rëndësishme për momentin nuk është që t’i kërkohet Serbisë të marrë një vendim të vështirë për ta, por të heqë dorë nga pengesat për pjesëmarrje të Kosovës në aktivitetete kulturore dhe sportive, të heqë dorë nga bllokimi aktiv i pjesëmarrjes së Kosovës në organizma ndërkombëtarë dhe sigurisht që përfundimisht kjo do të thotë edhe anëtarësim në OKB”.
Një nga pikat e nxehta është se Kosova sheh si pikë referimi Planin Ahtisaari për strukturat e Veriut, ndërsa Serbia platformën e miratuar nga parlamenti i saj. Por zoti Prelec thotë se kjo është çështje terminologjie dhe të dyja planet kanë përputhje të madhe dhe se nuk është ndonjë problem që të ketë një strukturë rajonale në Kosovën Veriore, të cilës Beogradi t’i referohet si një njësi autonome dhe Kosova t’i referohet si partneritet bashkiak që Plani Ahtisaari e parashikon.
"Për Bashkimin Evropian, Veriu është pjesë e Kosovës, nuk ka dyshim për këtë. Kjo është edhe një nga pikat interesante të platformës serbe, pasi edhe aty pranohet se Veriu është pjesë e Kosovës dhe do të ketë lidhje administrative dhe të drejtësisë me pjesën tjetër të Kosovës. Ky është hap i madh dhe krejtësisht i ri që nuk e kemi parë më përpara”.
Zoti Prelec thotë se Bashkimi Evropian nuk ka nevojë të marrë një qëndrim për këtë, pasi BE-ja ndërvepron me shtete, çka do të thotë që në këtë rast do të ndërveprojë me Kosovën.
Në mënyrë që të dyja palët të jenë në gjendje të arrijnë sukses deri në qershor, ato duhet të veprojnë me shpejtësi.
“Gjermania është lojtari kyç për këtë kalendar. Sipas ligjit gjerman, Bundestagu duhet të miratojë çdo anëtarësim dhe kjo do të marrë një farë kohe. Që kjo të realizohet deri në qershor, nën presidencën irlandeze, ata duhet ta marrin vendimin në prill, ose maj, pra dritarja është gjashtë javët e ardhshme që Kosova dhe Serbia që të arrijnë sukses”.
Zoti Wilson thotë se është normale që palët të vijnë në negociata me mendime të ndryshme.
“E rëndësishme është që udhëheqësit politikë që marrin pjesë në këto bisedime, sjellin me vete edhe popullsinë që përfaqësojnë, po ndihmojnë që të vendosin standarde më të larta, të ndryshojnë perceptimin e publikut, të krijojnë një hapësirë më të gjerë në sferën publike për rezultatet e pritshme”.
Zoti Wilson thotë se Uashingtoni dhe Brukseli janë të të njëjtit qëndrim në idenë që udhëheqësit e të dyja palëve duhet të shënojnë sukses në këto çështje dhe të fillojnë t’i zgjidhin ato.
“Shpërblimi për këto qëndrime do të jetë i jashtëzakonshëm: për Kosovën marrëveshja e Stabilizim-Asociimit dhe për Serbinë negociatat për anëtarësim”.
Por ai e sheh gjithë procesin me optimizëm dhe thotë se gjithçka duhet parë në perspektivë dhe bisedimet mes dy vendeve janë të jashtëzakonshme për normalitetin e tyre. Duke pasur parasysh se ku kanë qenë marrëdhëniet, kjo është një arritje e madhe, thotë ai.
Dy vendet duhet të shënojnë përparim brenda disa javësh