Lidhje

Debate politike në Kosovë


Nëse ka diçka të përbashkët në paraqitjet politike në Kosovë, është pohimi i të gjitha partive politike se institucionet e reja të dala nga zgjedhjet e tetë qershorit, duhet të themelohen brenda disa ditësh.

Por, ende është e paqartë se kush do të formojë institucionet. Vendimi i koalicionit pas zgjedhor të Lidhjes Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës për Kosovën dhe lëvizjes Vetëvendosje për të hequr dorë nga pretendimi për postin e kryetarit të parlamentit, i hapi rrugën mbledhjes së parlamenti për të zgjedhur kryetarin, por i dha fund edhe këtij blloku politik që u themelua dy ditë pas zgjedhjeve.

Posti i krye ministrit, pretendohet nga dy partitë e këtij blloku, të cilët në marrëveshjen e për krijimin e koalicionit ishin pajtuar që Lidhjes Demokratike t’i takojë posti i kryetarit të Parlamentit, ndërsa Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ai i kryeministrit.

Tashmë Lidhja Demokratike kërkon për vete postin e kryeministrit. Këshilli i Përgjithshëm i kësaj partie vendosi të mërkruën që kjo parti të kontaktojë dhe bisedojë me të gjithë dhe t’i shterojë të gjitha mundësitë që koalicioni pas zgjedhor, të arrijë që të fitojë shumicën në pushtet, por të mos kufizohet vetëm në këtë.

Kryetari i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa, tha se partia e tij nuk ka marrë ende vendim për koalicione, ndërsa ka konfirmuar kandidimin e tij për kryeministër cështje kjo për të cilën kjo parti nuk do të debatojë.

Më herët gjatë ditës, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se ishte përpjekur ta shpëtonte koalicionin pas zgjedhor, por zhvillimet kanë shkuar drejt shpërbërjes së tij.

Të mërkurën kishte mbetur vetëm Nisma për Kosovën që ende shpresonte në ruajtjen e koalicionit paszgjedhor.

Në një komunikatë të kësaj partie thuhet se drejtuesi i Nismës Fatmir Limaj pothuaj se tërë javën është munduar që vizionin për të cilin u bashkuan nënshkruesit për asnjë moment mos ta heqin nga vëmendja. NISMA vazhdon të besojë se marrëveshja ende është e mundur që të jetësohet nëse palët nënshkruese i shfrytëzojnë momentet e fundit dhe bëjnë përpjekje që të shohin përtej interesave momentale me të cilat aktualisht përballen, thuhet në komunikatë.

Tash pritet një periudhë e re diskutimesh për formimin e institucioneve që mund të rirreshtojë tërë skenën politike ku do të përfshihet Partia Demokratike që duhet të organizojë seancën e parlamentit të Kosovës por po vazhdon të bëj thirrje për një marrëveshje paraprake. Trysnia edhe ndërkombëtare ka shtuar mundësitë që gjatë kësaj jave të gjendet rruga që do të mundësojë formimin e institucioneve deri në fund të këtij muaji.

XS
SM
MD
LG