Organizata, ndërkombëtare, “Transparency International”, ka bërë thirrje që Kosova sikurse edhe një pjesë e vendeve të rajonit, duhet të angazhohet më shumë për të siguruar zbatimin e ligjeve kundër korrupsionit. Në raportin e fundit të kësaj organizate, thuhet se “numri i vogël i gjykatësve dhe mungesa e mbështetjes teknike, si dhe mungesa e profesionalizmit, janë çështjet thelbësore që karakterizojnë sistemin e drejtësisë. Shërbyesit civilë nuk janë të stërvitur sa duhet, ndërhyrja politike në procesin e rekrutimit është jashtë kontrollit dhe pagat janë të ulëta”. Raporti tërheq vërejtjen për mungesën e transparencës në prokurimin publik, si dhe probleme të tjera që kanë të bëjnë me vështirësitë e Parlamentit për të mbikëqyrjen e qeverisë.
Instituti Demokratike i Kosovës ishte partner në hartimin e këtij raporti ku përfshihen edhe Shqipëria, Maqedonia dhe Turqia. Merita Mustafa nga ky institut thotë se situata në këto vende është e ngjashme, por Kosova si demokraci e re edhe sfidat i ka më të mëdha, duke vënë theksin në mungesën e gatishmërisë s mjaftueshme për luftë kundër korrupsionit.
“Sipas edhe të gjeturave të këtij raporti është mungesa e vullnetit politik për zhvillimin e luftës së mirëfilltë kundër korrupsionit. Ky është problemi parësorë. Pastaj janë mungesa e kapaciteteve të institucioneve. Një gjyqësorë i dobët i cili nuk është imun ndaj ndikimeve të politikës. Kemi një gjyqësorë që nuk ka siguri të mjaftueshme, ka mungesë të gjyqtarëve dhe të gjitha këto krijojnë jë terren të përshtatshëm për zhvillimin e korrupsionit”, tha zonja Mustafa.
Kryetari i Këshillit Gjyqësorë të Kosovës, Enver Peci, thotë se gjyqësori ndodhet në një periudhë të reformave të thella dhe tejkalimit të problemeve të trashëguara nga e kaluara. kur sistemi ishte nën kontrollin e administratës së Kombeve të Bashkuara. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ka filluar procesi i emërimeve dhe ri emërimeve të gjykatësve dhe prokurorëve me çka në radhë të para, thotë ai, janë mënjanuar ata pjesëtarë të sistemit që ishin të përfshirë në veprimtari të paligjshme. Por, edhe më tej numri i gjykatësve dhe prokurorëve është i vogël kundruall numrit të madh të lëndëve të pazgjidhura.
“Prej 360 gjyqtarëve që nevojiten të jenë në sistem, për momentin janë 262, domethënë, mungojnë rreth 100. Mirëpo, në të njëjtën kohë, duke analizuar situatën me numrin e gjyqtarëve dhe me numrin e rasteve, Këshilli Gjyqësorë e ka aprovuar një strategji shtetërore për zvogëlimin e lëndëve të vjetra, të prapambetura dhe rezultatet janë shumë inkurajuese. Domethënë me këtë numër të gjyqtarëve me atë volum të rasteve, kemi arritur që për tremujorin e parë me e zvogëlue numrin e lëndëve të vjetra për 11 për qind”, tha zoti Peci.
Përfaqësues të shoqërisë civile kanë bërë thirrje për plotësimin e infrastrukturës ligjore me hartimin e ligjeve të reja si ai për konfiskimin e pasurisë së paligjshme dhe ligji kundër mafies, një model që tashmë është sprovuar në Shqipëri.
Por, George Mills, nga EULEX-i, tha se Kosova nuk ka ngecje në infrastrukturën ligjore sa i përket luftës kundër korrupsionit, por çështja qëndron tek zbatimi i saj. Ai nënvizoi se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit duhet të fillojë nga shpëlarja e parave.
“Ndjekja e parave është po aq e frytshme sa edhe burgosja e kriminelëve serioz. Hapi i parë në këtë drejtim është lufta kundër shpëlarjes së parasë, ndërsa hapi dytë është konfiskimi i pasurisë që është përfituar në mënyrë të paligjshme”, tha zoti Mills.
Autoritetet në Kosovë thonë se janë të përkushtuara në luftën kundër korrupsionit, dukuri kjo që sipas agjencisë kundër korrupsionit është mjaft e lartë dhe i kushton shtrenjtë buxhetit të Kosovës. Lufta kundër kësaj dukurie dhe krimit të organizuar janë pjesë e kritereve të përcaktuara për përfshirjen e Kosovës në proceset integruese evropiane, krahas hapave tjerë për sigurimin e qëndrueshmërisë politike në vend.