Të dërguarit e posaçëm të Presidentit të Koresë së Jugut Moon Jae-in, janë takuar sot me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un.
Delegacioni prej 10 vetësh i kryesuar nga këshilltari i lartë i Sigurisë së presidentit Moon, Chung Eui-Yong, mbërriti në Phenian pas një fluturimi të rrallë direkt nga Seuli për të dorëzuar një mesazh të presidentit Moon në lidhje me çarmatimin bërthamor dhe një paqe të përhershme në gadishullin Korean.
Përpara se të nisej Chung u tha gazetarëve se do të kërkojë bisedime "të thelluara" me qëllim gjetjen e mënyrave për rifillimin e dialogut mes Phenianit dhe Uashingtonit.
Por misioni mund të komplikohet nga stërvitjet ushtarake të planifikuara. Në një koment të publikuar nga agjencia zyrtare e lajmeve e Koresë së Veriut KCNA Pheniani do t’i "kundërpërgjigjej SHBA-së" nëse do t’i zhvillonte stërvitjet e përbashkëta ushtarake me Korenë e Jugut në muajin prill.
Pjesë e delegacionit koreano-jugor është edhe kreu i Shërbimit Kombëtar të zbulimit, Suh Hoon, një veteran i marrëdhënieve me Veriun dhe që njihet për përfshirjen e tij të thellë në negociata për organizimin e dy takime të mëparshme ndër-koreane në vitin 2000 dhe 2007.
Pas vizitës dy-ditore në Phenian, të dërguarit e posaçëm të Koresë së Jugut do të udhëtojnë për në Shtetet e Bashkuara për t’i njohur zyrtarët amerikanë lidhur me bisedimet e tyre në Phenian.
Facebook Forum