Lidhje

Marrëveshja Kosovë-Serbi, debate në nënkomisionin e Kongresit


Një nënkomision i Dhomës së Përfaqësuesve së Kongresit amerikan diskutoi dje për Kosovën dhe Serbinë, për herë të parë që kur u arrit marrëveshja e javës së kaluar mes dy vendeve.


Përfaqësuesi i Departamentit të Shtetit i ftuar në seancë, shprehu optimizëm për kompromisin, por anëtarët e Kongresit dhe analistët e ftuar shprehën mendime të ndryshme për efektivitetin e kësaj marrëveshjeje. Drejtori për Çështjet e Evropës Jugore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit Jonathan Moore tha se marrëveshja përfshin zgjidhje të qëndrueshme për veriun e Kosovës. Ai tha se SHBA nxit Kosovën dhe Serbinë t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet.

“Pavarësisht nga vështirësitë, kjo marrëveshje është mënyra më e mirë përpara. Pajtimi është synimi i Serbisë dhe Kosovës dhe jo ndarja, apo këmbimi i territoreve”.

Zoti Moore tha se nuk bëhet fjalë që të ndryshohen kufijtë në bazë të ndarjeve etnike. Ky pohim ishte një reagim ndaj qëndrimit të shprehur në mënyrë të përsëritur gjatë seancës nga kreu i nënkomisionit për Evropën dhe Eurazinë, republikanit nga Kalifornia Dana Rohrabacher.

“Ndoshta është koha që të konsultohen banorët e zonave të debatueshme dhe të pyeten se çfarë duan të bëjnë. Ata që jetojnë në zonat e mbizotëruara nga serbët në veriun e Kosovës duhet të lejohen të votojnë në një referendum se në cilin vend duan të integrohen. Një referendum paralel duhet të mbahet në zonat që mbizotërohen nga shqiptarë në Serbinë jugore dhe zonat përreth, duke i dhënë të njëjtën mundësi të zgjedhin”.

Zoti Rohrabacher tha se ky është koncepti amerikan i vetëvendosjes. Ai tha se ajo që është vendosur në veri është autonomi, përderisa forcat e sigurisë së Kosovës nuk do të lejohen të funksionojnë. Zoti Moore e konfirmoi që aktualisht nuk do të ketë prani të Forcës së Sigurisë së Kosovës në veri dhe se siguria do të garantohet nga KFOR-i. Profesor Daniel Serwer i Universitetit Johns Hopkins, shpjegoi se pse këmbimi i territoreve nuk është ide e mirë.

“Çdo diskutim për këmbim territori do të sillte destabilitet në Bosnje, Maqedoni dhe në vetë Serbinë.

Kongresmeni Eliot Engel e quajti marrëveshjen "historike" dhe tha se ajo konfirmon edhe një herë pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës.

“Bashkimi Evropian po i ofron tani Serbisë një datë për negociatat për anëtarësim. BE-ja duhet t’i ofrojë edhe Prishtinës atë që e kanë edhe vendet e tjera të Ballkanit: një rrugë të qartë dhe transparente për anëtarësim”.

Por një nga çështjet që shtroi zoti Engel ishte fakti që Kosova në çdo hap mund të hasë veton e vendeve të BE-së që nuk e kanë njohur atë dhe i nxiti këto vende ta ndërmarrin tani këtë hap. Për analistin Serwer, marrëveshja është pozitive, por jo e mjaftueshme. Ai theksoi se duhet të ketë njohje dhe këmbim ambasadorësh.
Pikërisht duke pasur parasysh mosnjohjen e Kosovës nga Serbia, Shirley Cloyes DioGuardi, këshilltare për Ballkanin e Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, e quajti marrëveshjen një rregullim të përkohshëm.

“Nuk është një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe efektive që do të sjellë paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajon. Sipas mendimit tim, kjo do të ndodhë vetëm kur Serbia të njohë sovranitetin e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në institucionet ndërkombëtare”.

Roland Gjoni, ish këshilltar i Nismës për Bashki Efektive në Kosovë, tha se marrëveshja është e pabarabartë, pasi nuk përmend hyrjen e Kosovës në OKB.

“Së pari nuk ka vend për vetëkënaqësi. Së dyti duhet të vijë një moment kur Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara t’i orientojnë palët drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që merret me personat e humbur, me kompensimet, me shënjimet e kufijve dhe me reciprocitet për trajtimin e pakicave kudo që të jenë”.

Ish-drejtori i Grupit Ndërkombëtar të Krizave për Kosovën, Robert A. Churcher tha se nuk beson që marrëveshja është funksionale.

“Në realitet, mosnjohja e Kosovës nga Serbia e lë Prishtinën në një situatë të paqartë. Për Kosovën kjo do të krijojë pengesa dhe marrëveshja do të bëjë të mundur krijimin e një tjetër Republika Srpska, në veri të Kosovës”.

Edhe analisti Obrad Kesic shprehu pesimizëm për efektet e marrëveshjes.

“Edhe ata serbë që e kanë nënshkruar marrëveshjen kanë shprehur mobesim dhe pretendojnë se e kanë nënshkruar sepse nëse nuk do ta nënshkruanin do të detyroheshin t’i nënshtroheshin realitetit më negativ”.

Shumë nga pjesëmarrësit e kanë quajtur marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë historike, por ata janë gjithashtu të mendimit se zbatimi i saj do të jetë një sfidë e vështirë.
XS
SM
MD
LG