Lidhje

Marrëveshja me CEZ-in, KLSH: Dëmi 479 milion euro


Në Shqipëri Kontrolli i Lartë i Shtetit bën kallzim në Prokurori për ministrin e Energjitikës Damian Gjiknuri, dhe Avokatin e Shtetit Alma Hicka. Ministri: Pretendimet e KLSH-së pa argumenta financiar dhe ligjor. Janë njësoj si të PD-së

Në Shqipëri Kontrolli i Lartë i Shtetit ka arritur në përfundimin se Shtetit shqiptar i është shkaktuar një dëm financiar prej 479 milion eurosh nga marrëveshja për zgjidhjen me mirëkuptim mes palëve e arritur nga qeveria dhe grupi cek Cez, i cili ishte pronar i 76 përqind të aksioneve të operatorit të sistemit të shpërndarjes. Për këtë cështje, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka bërë denoncim në Prokurori ndaj ministrit të Energjitikës Damian GJiknuri. Ky i hodhi poshtë pretendimet e ngritura nga KLSH-ja, të cilat sipas tij nuk janë mbështetur në asnjë argument financiar apo ligjor.

Kontrolli i Lartë i Shtetit deklaron se “referuar përmbajtjes së Marrëveshjes për Zgjidhjen me Mirëkuptim, të nënshkruar më datë 23.06.2014, nga Grupi i Punës i kryesuar nga Ministri Gjiknuri, evidentohen fare qartë elementët e një marrëveshjeje tërësisht të pabarabartë dhe jo në proporcion me pretendimet e deriatëhershme të Shtetit Shqiptar ndaj CEZ a.s”. Sipas KLSH-së, janë tre momente që kanë shkaktuar dëmet e mëdha financiare. E para, lidhet me shumën prej 95 milion eurosh paguar grupit Cez në këmbim të heqjes dorë nga paketa e vet e aksioneve në operatorin e sistemit shqiptar të shpërndarjes së energjisë. Kjo vlerë, sipas ekspertëve të KLSH-së, është “e pabazuar në dokumentacion financiar për përdorimin e kredive dhe huave dytësore, apo njohje të drejtash nga CEZ Shpërndarje sh.a”.

Por ministri Gjiknuri deklaroi mbrëmë se “vlera e konkluduar nga Qeveria Shqiptare si detyrim ndaj palës çeke, përfaqëson detyrime të pastra kontraktuale. Ato janë të njohura dhe të provuara mbi bazën e kontratave të kredive apo kontrata furnizimi mallrash e shërbimesh, si dhe të faturave të cilat janë pranuar rregullisht nga CEZ Shpërndarje sh.a. Fatura që kanë vazhduar të paguhen edhe pas kalimit të shoqërisë në administrim të përkohshëm pas datës 23 Janar 2013”.

Një pikë e dytë e ngritur nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, ka të bëjë me detyrimet që CEZ-i kishte ndaj të tretëve e që rezulton të jetë 325 milion euro. Kjo vlerës sipas KLSH-së, është “diferenca midis detyrimeve afat-shkurtra të njohura dhe të drejtave afat-shkurtra të njohura (mungesa në kapitalin qarkullues) të shoqërisë CEZ Shpërndarje sh.a, sipas pasqyrave financiare të shoqërisë, vlerë që përfshin edhe detyrimet për faturat e blerjes së energjisë dhe tarifave të transmetimit ndaj KESH dhe OST, të akumuluara gjatë administrimit të CEZ a.s, në një nivel 41,198,699,479 lekë bashkë me interesat ose 294 milionë euro”.

Por edhe për këtë pikë, ministri Gjiknuri jep një tjetër shpjegim. “Ky pretendim vjen në shpërfillje të plotë të vet pasqyrave financiare të cilave i referohet auditi – nënvizon ministri - Detyrimi total i CEZ Shpërndarje ndaj KESH dhe OST, i kontabilizuar dhe i çertifikuar nga auditi BDO vlerësohet në një vlerë prej 29 miliardë lekë pa penalitete. Ndërkohë, po t’i zbresësh rreth 10 miliardë lekë detyrime që i kishin institucionet shtetërore CEZ-it, duke aplikuar formulën e vetëgjyqësisë financiare të akorduar nga ish qeveria Berisha si rezultat i marrëveshjes miqësore të vitit 2012, e zbret vlerën e mbetur pa kamatë vonesë në 19 miliard lekë ose rreth 130 milion euro. Ndërkohë, në raportin e KLSH fshihet me dashje vlera e të ardhurave të arkëtueshme të CEZ-it me rreth 70 miliard lekë ose 500 milion euro pa kamatë vonesa dhe që kalon në favor të palës shqiptare me anë të kësaj marrëveshjeje”, deklaroi zoti Gjiknuri.

Cështja e tretë që ngrihet nga Kontrolli i Lartë i Shtetit ka të bëjë me “vlerën 32 milionë euro, për zhvlerësimin e vlerës së tregut të 24% të aksioneve të shtetit në CEZ Shpërndarje sh.a.” Sipas KLSH-së “mos pretendimi i diferencës ndërmjet vlerës së aksioneve të Qeverisë Shqiptare gjatë privatizimit (CEZ a.s, ka paguar 102 milionë euro për të kontrolluar 76% të paketës së operatorit të shpërndarjes, moment kur vlera e 24% të aksioneve të Shtetit Shqiptar ishte 32 milionë euro) dhe vlerës zero të aksioneve të saj më 21 janar 2013, shoqërisë i është shkaktuar një dëm që do rëndojë gjendjen financiare të shoqërisë në një periudhë afatmesme”, thuhet në raportin e KLSH-së.

Qëndrimi i ministrit Gjiknuri lidhur me këtë pikë është se sipas tij bëhet fjalë për “një pretendim të pavend”. Ai shpjegoi se “pikërisht për faktin se shoqëria CEZ Shpërndarje sh.a. sipas edhe vleresimeve të auditeve të pavaruar kishte një vlerë tregtare negative, sipas kushteve të Marrëveshjes së Zgjidhjes me Mirëkuptim, aksionet e shoqërise CEZ Shpërndarje dhe asetet e saj, i kalojnë falas shtetit shqiptar. Pra, duke mos njohur pretendimin e CEZ a.s për vleren fillestare të privatizimit, të paguar prej tyre prej 102 milion euro si dhe vlerën prej 24 miliard lekë e aseteve të shoqërisë të reflektuara edhe në raportet e auditit”.

Ndërsa Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kërkuar nga Prokuroria hetimin e ministrit të Energjitikës dhe Avokatit të Përgjithshëm të Shtetit, Alma Hicka, me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, zoti Gjiknuri tha se “raporti konfirmon se Kontrolli i Lartë i Shtetit është vënë në shërbim të mazhorancës së djeshme që e propozoi drejtuesin e këtij institucioni. Ky i fundit po i kthen kështu haraçin propozuesit të djeshëm, ndërsa raporti përbën veçse një riprodhim të shëmtuar të akuzave të Partisë Demokratike ndaj qeverisë qeverisë shqiptare”.

Për marrëveshjen mes Qeverisë shqiptare dhe CEZ-it opozita ka disa javë që po kërkon një hetim ndërkombëtar, duke e cilësuar atë si skandalin më të madh të korrupsionit. Nga ana e tij ministri Gjiknuri u shpreh mbrëmë se “qeveria po përgatit të gjithë dosjen e plotë të cilën do tia vërë në dispozicion organit të akuzës me synim zbardhjen e plotë dhe nxjerrjen e përgjegjësive që kanë patur drejtuesit më të lartë të shtetit dhe institucionet përkatëse, me veprimet dhe mos veprimet e tyre, në katrahurën që shkaktuan në sektorin energjitik që nga momenti i privatizimit të kompanisë së shpërndarjes. Gjithashtu, qeveria inkurajon organin e akuzës që të marrë edhe asistencë ndërkombëtare për ti shkuar kësaj çështjeje deri në fund”.

XS
SM
MD
LG