Lidhje

Kina ndërton spitale të reja për koronavirusin


Në qytetin kinez Wuhan ka një mobilizim masiv për ndërtimin e dy qendrave të reja mjekësore brenda pak ditësh.

Koronavirusi i ri i përhapur nga ky qytet ka vënë në vështirësi kapacitetet e sistemit shëndetësor të vendit.

Spitalet janë të mbingarkuara me të sëmurë dhe me njerëz që kanë frikë se mund të infektohen. Objektet e reja synojnë të lehtësojnë ngarkesën. Por ekspertët thonë se sistemi i kujdesit shëndetësor në Kinë përballet me sfida afatgjata.

Mediat shtetërore kineze flasin për një përpjekje për të ndërtuar me shpejtësi dy objekte të reja, secili i aftë të mbajë një mijë pacientë ose më shumë.

"Mbrëmë, punëtorët punuan gjatë gjithë natës, dhe turni tjetër filloi të punojë në 2 të mëngjesit," thotë Liu Fei, punëtor në projektin e spitalit Huoshenshan.

Këto spitale të thjeshta do të përqendrohen vetëm tek izolimi dhe trajtimi i pacientëve me koronavirus. Pjesët e parafabrikuara ndihmojnë që ndërtimi të bëhet shpejt.

Shpejtësia është mbresëlënëse, thotë studiuesi i Universitetit Johns Hopkins, Eric Toner:

"Mendoj se është diçka e jashtëzakonshme që Kina është në gjendje të ndërtojë çdo lloj objekti në një periudhë kaq të shkurtër kohe. Ata e bënë këtë në vitin 2003 gjatë SARS-it. Ndërtuan një objekt me njëmijë shtretër në gjashtë ose shtatë ditë dhe duket se po e bëjnë përsëri".

Për ndërtimin e këtij objekti jashtë Pekinit ndihmoi ushtria kineze. Mediat shtetërore thonë se aty trajtoheshin një në shtatë pacientë me SARS dhe vdekshmëria ishte shumë më e ulët sesa në qendrat e tjera shëndetësore.

Zyrtarët kinezë thonë se po i ndërtojnë qendrat e reja mbi bazën e kësaj përvoje.

Pajisjet janë tepër të nevojshme, thotë profesorja e politikave shëndetësore në Universitetin Harvard, Winnie Yip:

"Shumica e spitaleve të mëdha në Kinë, janë tepër të ngarkuar, madje edhe në situata normale. Kështu që gjatë një epidemie, besoj se duhen më shumë shtretër."

Zonja Yip thotë se Kina ka qenë e përqendruar te ndërtimi i spitaleve të mëdha në qendrat urbane, jo te klinikat komunitare të parandalimit:

“Në planin afatgjatë, Kina duhet të ndërtojë një sistem më të fortë shëndetësor parësor dhe të shëndetit publik që do të parandalonte diçka të tillë të ndodhte në shkallë të gjerë, dhe që sëmundjet të zbuloheshin shumë më herët. Por tani për tani, sistemi i kujdesit parësor në Kinë është relativisht i dobët.”

Zonja Yip thotë se qeveria po punon për ndërtimin e kujdesit parësor. Por kjo do të kërkojë kohë:

“Kina në fakt po dërgon ekipe mjekësh dhe infermierësh nga sistemi spitalor ushtarak, që Kina mund ta mobilizojë shpejt. Gjithashtu, shumë provinca dhe qytete të tjera po dërgojnë vullnetarisht mjekët e tyre për të ndihmuar".

Ndërkohë, në Wuhan puna për ndërtimin e dy qendrave të reja për trajtimin e koronavirusit vazhdon ditë e natë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG