Kina kritikoi sot një raport të qeverisë amerikane që e përkufizon si një kundërshtar të mundshëm bërthamor, si dhe i bëri thirrje Uashingtonit të reduktojë arsenalin e tij bërthamor.
Në një deklaratë zyrtare, zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Ren Guoqiang, thuhet se “pala kineze shpreh kundërshtimin e saj të vendosur”.
“Shpresojmë se SHBA-ja do të braktisë mentalitetin e Luftës së Ftohtë dhe do të përmbushë me sinqeritet përgjegjësitë e saj të veçanta për çarmatimin bërthamor”, vazhdon deklarata, ku premtohet gjithashtu se Kina nuk do të përdorë kurrë e para armët bërthamore “në asnjë rrethanë”.
Pentagoni botoi të premten Pasqyrën e Gjendjes Bërthamore 2018, ku paraqiten planet e Shteteve të Bashkuara për të përditësuar arsenalin aktual, me qëllim parandalimin e sulmeve bërthamore.
Dokumenti zbërthen gjithashtu edhe një strategji të re për Kinën, me objektivin për “të parandaluar mundësinë që Pekini të arrijë në konkluzionin e gabuar se do të ishte e pranueshme të arrinte avantazh nëpërmjet përdorimit të kufizuar të aftësive bërthamore, apo të të gjitha llojeve të armëve bërthamore”.
Kina ka arsenalin e pestë më të madh bërthamor në botë, me 270 mbushje raketash bërthamore, sipas të dhënave të raportit të botuar në muajin qershor nga Instituti Kërkimor për Paqen Botërore në Stockholm.
Sipas të njëjtit raport, Shtetet e Bashkuara radhiten menjëherë pas Rusisë, me 6800 mbushje bërthamore.
Facebook Forum