Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry thotë se është i inkurajuar nga përkushtimi i kryeministrit të ri të Irakut për të luftuar grupin ekstremist Shteti islamik.
Zoti Kerry i bëri këto komente në Bagdad, ku sot u takua me kryeministrin Haider al-Abadi, në fillim të një turneu një-javor në rajon.
Diplomati i lartë amerikan shprehu gjithashtu optimizëm se qeveria e re irakiane do të jetë në gjendje ta bashkojë vendin. Paraardhësi i zotit Abadi, Nuri al-Maliki, u fajësua për margjinalizimin e pakicës suni, gjë që ndihmoi në fuqizimin e ekstremistëve.
Pak orë pasi zoti Kerry filloi vizitën në Bagdad, zyrtarët e Irakut thanë se të paktën dy makina bombë shpërthyen në pjesën lindore të kryeqytetit, duke vrarë nëntë vetë.
Udhëtimi i zotit Kerry vazhdon sot në Jordani, ndërsa nesër ai do të marrë pjesë në një takim të ministrave të jashtëm të rajonit në Jeddah të Arabisë Saudite.
Nga Jeddah zoti Kerry do të shkojë në Paris, ku do të konsultohet me "partnerët dhe aleatët kryesorë se si mund të mbështetet më tej siguria dhe stabiliteti i qeverisë irakiane."