Lidhje

Kërkohet mënjanimi i fjalimeve të gjata në Senatin amerikan


Kërkohet mënjanimi i fjalimeve të gjata në Senatin amerikan
Kërkohet mënjanimi i fjalimeve të gjata në Senatin amerikan

Shumë shpesh republikanët ose demokratët në Senatin amerikan paraqesin për miratim një projektligj ose emërim të ndonjë kandidati, që partia tjetër e kundërshton rreptësisht, por që nuk i ka votat e mjaftueshme për ta ndaluar.

Në këto raste, pjesëtarët e partisë pakicë thjesht ngulin këmbë – duke folur e folur për orë të tëra nga foltorja e Senatit derisa shumica të heqë dorë nga miratimi i projektligjit ose emërimit.

Kjo taktikë fjalimesh pa fund, mund të ndërpritet vetëm nëse pala propozuese siguron të paktën 60 nga 100 votat e senatit. Me 60 vota, çdo propozim mund të hidjhet në votë.

Aktualisht, Senati kontrollohet nga demokratët, por ata nuk i kanë 60 vota. Në kushte të tilla, edhe nëse një republikan i vetëm është i vendosur që të përdorë taktikën e fjalimeve të gjata, për të penguar ndonjë projektligj apo kandidat, demokratët nuk kanë çfarë t’i bëjnë.

Shpesh për të zgjatur fjalimet, senatorët mund të lexojnë pjesë librash, receta gatimesh ose emra nga numëratorët telefonikë. Senatori nga Karolina e Jugut, Strom Thërmond, vendosi rekordin më 1957 duke folur për 24 orë resht.

Adhuruesit e kinemasë klasike kujtojnë filmin Zoti Smith shkon në Uashington (Mr. Smith Goes to Washington), ku protagonisti Xhimi Stuart mban një fjalim të tillë derisa i bie të fikët.

As Presidenti Obama e as Nënpresidenti Bajdën – i cili kryeson punimet e Senatit – nuk kanë bërë thirrje për t’i dhënë fund taktikës së fjalimeve të gjata, por udhëheqësit republikanë dhe demokratë në Senat e kanë kërkuar një gjë të tillë. Publikut tradita i duket argëtuese, në mos e vlefshme për ndonjë qëllim tjetër. Një anketë e re e organizatës Kuinipiak tregon se më shumë amerikanë duan ta ruajnë taktikën sesa t’i japin fund.

Të tjerëve nuk u pëlqen ideja që një pakicë senatorësh të pengojë shumicën në votimin e një çështje. Dhe nuk i dihet, ndonjë senator mund të përdorë pikërisht këtë taktikë për të penguar një projekt ligji që synon shmangien e saj.

XS
SM
MD
LG