Ministri austriak i Mjedisit Nikolaus Berlakovich thotë se do të kërkojë zhvillimin e një prove të përgjithshme për të parë nëse centralet bërthamore në Evropë u rezistojnë tërmeteve, pas kërcënimit bërthamor që i kanoset Japonisë si rezultat i tërmetit masiv dhe cunamit shkatërrimtar:
Tema e testimit të centraleve bërthamore iu shtua në minutën e fundit axhendës së takimit të Komisionit Evropian.
“Popullata në Evropë dhe në Austri duhet të pyesë veten sa të sigurtë janë reaktorët bërthamorë. Prandaj kam kërkuar zhvillimin e një prove stresi për të parë si u rezistojnë tërmeteve centralet, si funksionojnë sistemet ftohëse, çfarë parametrash mbrojtëse kanë këto centrale?”
Nisma e tij u përshëndet nga ministrat e tjerë evropianë të mjedisit. Ministrja franceze e Mjedisit thotë se ky është momenti i duhur për të analizuar ku ndodhet Evropa në këtë aspekt:
“Kemi të gjitha të dhënat e nevojshme për të bërë një analizë të plotë të skenarit në Japoni. Është me vend që në një situatë krize, Bashkimi Evropian të hapë një debat dhe të shkëmbejë informacion”.
Komisioneri i Bashkimit Evropian për Energjinë Gynter Ëtinger do të analizojë situatën dhe pritet të parashtrojë para komisionerëve të tjerë propozimet e tij për masat e nevojshme.
Parashikohet që kriza në kompleksion bërthamor Fukushima në Japoni të rrisë rezistencën ndaj përhapjes së objekteve bërthamore në Evropë për përmbushjen e nevojave energjetike të kontinentit.