Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë Thomas Kantrimen tha se komuniteti ndërkombëtar do ta ndihmojë Shqipërinë që zgjedhjet e ardhshme të jenë të pastra, të besueshme dhe të zhvilluara në bazë të rregullave të përcaktuara para zgjedhjeve. Por një angazhim të tillë, tha ai, duhet ta kenë më parë vetë udhëheqësit shqiptarë. Zyrtari i lartë amerikan tha se Shtetet e Bashkuara ende kanë dyshime lidhur me mënyrën se si u zhvillua procesi i numërimit të votave për Bashkinë e Tiranës. Me zotin Kantrimen bisedoi kolegu Arben Xhixho.
Zëri i Amerikës: Zgjedhjet në Shqipëri duket se kanë përfunduar, pas një periudhe dymujore. Cili është vlerësimi juaj për procesin zgjedhor në Shqipëri?
Tomas Kantrimen: Së pari, përsa i përket vetë ditës së zgjedhjeve, vlerësimi është pozitiv. Shqiptarët dolën për të votuar në numër rekord. Ata treguan se kanë një mendje të pavarur. Ata votuan për socialistët në disa vende ku demokratët kishin shumicën dhe anasjelltas. Dhe, natyrisht, dita e zgjedhjeve ishte paqësore. Të gjitha këto janë të rëndësishme dhe jo diçka që duhet marrë si e natyrshme. Pra, vlerësimi ynë për pjesmarrjen e shqiptarëve ishte shumë pozitiv. Ne kemi dyshime lidhur me mënyrën se si u zhvillua procesi i numërimit për njërën prej bashkive, atë më të madhen, Tiranën. Ne kemi dyshime rreth bazës ligjore për të vendosur mbi numërimin e një kategorie të caktuar votash. I kishim këto dyshime kur u mor ai vendim dhe përsëri i kemi sot. Ne e vlerësojmë faktin që Partia Socialiste e opozitës i ndoqi ankesat e saj përmes kanaleve ligjore, në atë mënyrë që parashikon Kushtetuta. Ne vlerësojmë gjithashtu faktin që Kolegji Elektoral i ka marrë vendimet e tij dhe tani po vijmë në fund të procesit. Nuk është detyra e Shteteve të Bashkuara për të shprehur gjykime rreth secilit prej këtyre vendimeve në këtë proces të zgjatur numërimi. Ne e ndjejmë si detyrim ta ndihmojmë Shqipërinë ta kapërcejë këtë, për të siguruar se zgjedhjet e ardhshme do të jenë të pastra, të besueshme dhe, mbi të gjitha, të zhvilluara në bazë të rregullave të qarta, të përcaktuara qysh përpara zgjedhjeve. Ne jemi të gatshëm ta bëjmë këtë. Jemi të gatshëm të punojmë me Bashkimin Evropian për këtë. Çështja e madhe sot është: a janë udhëheqësit e qeverisë dhe të opozitës të gatshëm ta bëjnë këtë? Midis viteve 2009 dhe 2011 ata nuk qenë të gatshëm ta bënin.
Zëri i Amerikës: Zgjedhjet e 2011 mendohej se do të ishin një përmirësim në krahasim me 2009-n. Në të vërtetë, tensioni në vend u rrit. A mendoni se këto zgjedhje ishin një rast i humbur për Shqipërinë?
Tomas Kantrimen: Së pari, mendoj se si një çështje teknike, zgjedhjet e 2011-s ishin më të mira se më 2009. Por pyetja juaj ka të bëjë me politikën, pra, a ndihmuan ato për të zgjidhur tensionin që ekziston mes dy udhëheqësve dhe në një shoqëri që është e ndarë thuajse barabar mes dy partive? Në atë kuptim, po, ishte një rast i humbur për popullin e Shqipërisë. Humbja e këtij rasti nuk ndodhi në maj 2011, por gjatë gjithë periudhës dy-vjeçare, nga viti 2009 deri më 2011, sepse vemendja më e madhe u përqendrua tek dy partitë dhe mes dy udhëheqësve, tek rivaliteti mes tyre dhe shumë pak vëmendje te çështja se si mund të kishte Shqipëria sistemin më të fortë dhe më të besueshëm të votimit. Ka ardhur koha që kjo mendësi të ndryshojë dhe ne presim nga të dyja partitë, që, këtë herë, me ndihmën e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara, të hartojnë rregulla zgjedhore, të cilat të jenë në të mirë të popullit dhe jo në të mirë të njerëzve dhe partive të caktuara. Mjetet për ta bërë këtë ekzistojnë. Është Komisioni i Venecias, është ODIHR-i. Nëse të dyja partitë janë të gatshme të pranojnë një rol aktiv të këtyre dy organizmave, atëherë nuk ka pse të mos jemi në gjendje të realizojmë një kod të qartë elektoral.
Zëri i Amerikës: Më lejoni t’ju pyes më konkretisht mbi rolin e komunitetit ndërkombëtar. Udhëheqësi i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha këto ditë se ai nuk mund të ketë besim tek Partia Demokratike, prandaj kërkon që komuniteti ndërkombëtar t’i ndihmojë si ndërmjetës për reformat në të ardhmen. Në këtë kontekst, çfarë roli mund të luajnë Shtetet e Bashkuara apo Bashkimi Evropian për Shqipërinë?
Tomas Kantrimen: Ne do të jepnim shumë ndihmë dhe shumë këshilla. Por që të bëhesh ndërmjetës sepse dy zotërinj në Shqipëri nuk janë në gjendje t’i flasin njëri-tjetrit me mirësjellje, ky nuk është roli i komunitetit ndërkombëtar.
Zëri i Amerikës: Ai e kishte fjalën në fakt që ju të shërbeni si garantues i reformave…
Tomas Kantrimen: Shqipëria ka një kushtetutë. Në shoqëritë demokratike kushtetuta dhe institucionet që ajo krijon janë garantuesit e lojës së ndershme në procesin politik. Komuniteti ndërkombëtar nuk mund të zëvendësojë Kushtetutën. Ne mund të ndihmojmë për të krijuar një situatë, në të cilën politikanë të pjekur nga të dyja partitë të flasin me njëri-tjetrin me mirësjellje, të ulen në të njëjtën dhomë dhe të bëjnë kompromise, kompromise të rekomanduara ndoshta nga komuniteti ndërkombëtar dhe, siç thashë, kjo do të përfshinte edhe ligje për zgjedhjet. Unë kam respekt të madh për zotin Rama dhe për mënyrën dinjitoze me të cilën ai e trajtoi situatën e vështirë. Komuniteti ndërkombëtar mund të ndihmojë, por vlerësimi dhe zgjidhja duhet të vijnë nga brenda Shqipërisë. Pra: cilat ishin rastet që ne humbëm në dy vitet e fundit dhe, në ç’mënyrë unë, si udhëheqës i qeverisë ose i opozitës do të sillem ndryshe në dy vitet e ardhshme për të plotësuar kërkesat e popullit.