Zëvendësndihmës Sekretari amerikan i Shtetit u takua në Tiranë me drejtuesit e të dy krahëve të politikës shqiptare pas krizës së krijuar nga ngjarjet e 21 janarit. Në një konferencë për shtyp në ambasadën amerikane, zoti Tomas Kantrimen tha se situata në Shqipëri është serioze. "Si miq të Shqipërisë jemi të trishtuar për humbjen e 4 jetëve të njerëzve. Nuk na takon ne të mbështesim një palë apo një tjetër. Shqetësimi ynë është populli shqiptar dhe Kushtetuta", tha zyrtari amerikan.
"Shpresoj se populli shqiptar do të dëgjojë miqtë, dhe jo vetëm partitë politike. Ngjarjet në Shqipëri nuk janë unike. Shqipëria nuk është i vetmi vend me probleme korrupsioni, me probleme të zgjedhjeve të papërsosura, me protesta dhe me dhunë. Por të gjitha këto zgjidhen në një demokraci konstitucionale", tha zoti Kantrimen.
Zëvendësndihmës Sekretari amerikan i Shtetit tha se korrupsioni në Shqipëri është problem në të gjitha nivelet; qeverisje qendrore, vendore dhe në radhët e partive politike. "Ai e pengon përparimin ekonomik të Shqipërisë. SHBA po e ndihmon Shqipërinë që të forcojë institucionet që luftojnë korrupsionin," tha zyrtari.
"Zgjedhjet e kaluara mund të trajtohen mbi bazën e hapësirëve kushtetuese. Partitë dhe njerëzit duhet të mësojnë nga cdo palë zgjedhje të debatuara. OSBE ka hartuar një listë me rekomandime dhe jam i zhgënjyer që qeveria dhe opozita nuk janë ulur ende për t’i trajtuar këto rekomandime. Zgjedhjet vendore duhet të ecin përpara dhe të zhvillohen. Presidenti ka përdorur mjetet kushtetuese për të thirrur zgedhjet vendore. Populli ka të drejtën të zgjedhë kandidatët e pushtetit vendor", tha Kantrimen.
Ai tha se bllokimi i zgjedhjeve është një veprim antikushtetues, që një demokraci nuk e meriton. "Protestat janë një e drejtë e qytetarëve. Qeveria ka detyrë të mos i ndalojë ato. Partitë kanë të drejtë të organizojnë protesta dhe të kujdesen që ato të jenë paqësore. Gjatë viteve të fundit janë zhvilluar dhjetëra protesta. Pyetja është: Pse pas 100 protestave paqësore, ajo e 21 janarit ishte me dhunë? Nuk kam përgjigje për këtë, por mendoj se askush nuk duhet të spekullojë me përgjigjen e kësaj pyetjeje," tha Kantrimen.
Zyrtari amerikan u shpreh: "Ne e mbështesim Prokuroren e Përgjithshme dhe po ndihmojmë që të rritet besueshmëria e këtij hetimi. Prokuroria duhet të ndriçojë ngjarjen. Ajo ka dy përgjegjësi: së pari hetim i plotë dhe i balancuar. Të hetohen veprimet e gjithë aktorëve në 21 janar, policia, organizatorët, protestuesit. Së dyti; ajo duhet të ruajë sekretin e hetimit".
Zoti Kantrimen tha se institucionet shqiptare duhet të bëjnë punën e vet pa patur frikë për rrjedhojat politike të saj.
Lidhur me zgjedhjet, ai tha se partitë politike si materiale kushtetuese duhet të dorëzojnë listat në KQZ. "Kjo duhet të jetë edhe kërkesa e popullit shqiptar. Ka parti që mendojnë se janë zotëruese të zgjedhjeve. Jo. Zotëruesit e zgjedhjeve janë vetë qytetarët dhe populli shqiptar, i cili ka të drejtën dhe pret që të zgjedhë kandidatët që do të drejtojnë pushtetin vendor", tha Tomas Kantimen në konferencën për shtyp.