Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën, Tom Kantrimen, thotë se akuzave që ngre raporti i Dik Martit për trafikim drogash, armësh apo qëniesh njerëzore u duhet kushtuar një vëmendje më e madhe. Është e rëndësishme, thotë zyrtari i lartë amerikan që qeveria e Kosovës të thotë dhe të bëjë ashtu siç thotë se do të bashkëpunojë plotësisht me çdo hetim të mundshëm.
Zëri i Amerikës: Pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, pritej që shumë vende që kishin hezituar deri atëhere do të fillonin të njihnin Kosovën. Kjo nuk ndodhi. Përse sipas jush?
Tom Kantrimen: Ka shumë elementë të pavarësisë së Kosovës që janë të paprecedentë për komunitetin ndërkombëtar. Ishin pikërisht këto çështje që shqyrtoi me kujdes Gjykata Ndërkombëtare dhe që mori vendimin, që për mendimin tonë, ishte vendim i drejtë, që shpallja e pavarësisë nuk ishte e paligjshme. Mbi 70 vende e kanë njohur Kosovën dhe mendoj se do të ketë të tjera në të ardhmen ndërsa vendet e ndryshme shqyrtojnë nga ana e tyre vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare. Kosova ka nevojë të vazhdojë t’i tregojë botës se jo vetëm që ka një qeveri të efektshme, por që po ngre institucionet qeverisëse në një mënyrë të tillë që të respektojë premtimet për mbrotjen e të drejtave të të gjitha grupeve etnike në Kosovë dhe që po mban premtimin për ndërtimin e një shteti ligjor dhe të një qeverie të pastërt e transparente. Unë kam besim se sa më shumë përparim të kemi në këto çështje aq më shumë do të kemi edhe njohje. Ne kemi të njejtin synim: një Kosovë që njihet plotësisht nga të gjitha institucionet ndërkombëtare. I takon Kosovës të bëjë jo vetëm fushatën diplomatike, por të vazhdojë përparimin e brendshëm për të bindur vendet e tjera.
Zëri i Amerikës: Si një shtet i ri, Kosova ndeshet me sfida të shumta. Çështjet janë komplikuar më tej nga raporti i fundit i raportuesit të Këshillit të Evropës, Dik Marti, ku kryeministri i vendit akuzohet për krime mizore. Sa e ka dëmtuar Kosovën ky raport sidomos procesin e njohjeve të saj?
Tom Kantrimen: Fillimisht dua të them se ne i marrim seriozisht raportet e Këshillit të Evropës. Ai përmban akuza dhe informacione që duhet të hetohen. Çdo fakt i ri, çdo dëshmi e re që përmendet në raport duhet t’u jepet organeve hetuese. Organi i duhur hetimor për ketë është EULEX-i. I takon qeverive të Shqipërisë, Kosovës dhe Serbisë të bashkëpunojnë plotësisht në se do të ketë hetime. Ne do ta mbështesim këtë si të na kërkohet. Por unë dua të theksoj diçka tjetër. Pjesa kryesore e vëmendjes i është kushtuar akuzave për trafikim organesh, që janë krime mizore, siç u shprehët ju, por po ashtu i duhet kushtuar vëmendje edhe çështjeve të tjera që ngre raporti, si trafikim drogash, armësh apo qëniesh njerëzore për prostitucion apo punë të detyruar. Këto janë aktivitete që janë kryer nga të gjitha grupet kriminale në Ballkan gjatë viteve të fundit. Këto nuk janë akuza të reja, nuk përbëjnë sensacion, por ato i shkaktojnë dëm të madh ekonomisë dhe shoqërisë së Kosovës dhe fqinjëve të saj. Unë do të doja të shikoja që edhe këtyre akuzave t’u kushtohej e njejta vëmendje dhe do të doja të shihja veprime më të forta nga të gjitha shtetet në rajon kundër aktiviteteve të krimit të organizuar.
Zëri i Amerikës: Në raportin e tij Dik Marti thotë, dhe po citoj, se “agjenci rendi, përfshirë FBI-në në Amerikë, kanë përgatitur raporte të besueshme, rreth aktiviteteve të paligjshme të Grupit të Drenicës”. A kanë patur Shtetet e Bashkuara informacione për këto aktivitete?
Tom Kantrimen: Kur dhe në se zoti Marti kërkon bashkëpunimin e agjencive amerikane të rendit ai do ta marrë atë.
Zëri i Amerikës: Të premten, Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Irinej, tha se krimet e tmerrshme u ndihmuan nga heshtja e komunitetit ndërkombëtar dhe se zyrtarë të huaj pa dyshim e dinin se çfarë po ndodhte dhe kanë mbyllur sytë. Si u përgjigjeni këtyre komenteve?
Tom Kantrimen: Së pari unë kam respekt të madh për Hirësinë e tij Patriarkun. Së dyti, nuk ndihmon që kjo çështje të kthehet në një çështje etnike. Kriminelët nuk kryejnë krime pse janë shqiptarë, serbë apo kroatë. Ata i kryjenë këto akte pse janë kriminelë. Dhe nevoja reale për hetim nuk është për ta kthyer këtë në një çështje nacionalizmi apo në një çështje ballafaqimi mes dy grupeve etnike që duhet të jetojnë së bashku në Kosovë. Arësyeja e hetimit është për të gjetur përgjegjësinë individuale dhe për të shmanagur idenë se kolektivisht të gjithë shqiptarët, apo të gjithë serbët, apo ndonjë grup tjetër etnik, janë përgjegjës për krimet e disa individëve. Së treti nuk besoj se është e drejtë të thuhet se dikush ka mbyllur sytë përpara këtyre aktiviteteve. Ka patur hetime në të kalurën. Nuk ka patur të dhëna të mjaftueshme për të ngritur akuza penale ndaj dikujt. Ajo që është e rëndësishme në raportin e Dik Martit është se ai thotë se ka të dhëna të reja. Dhe në se është kështu ato duhet të hetohen. Në se të dhënat e reja janë të mjaftueshme për të ngritur akuza ndaj dikujt kjo është një gjë që nuk e dimë për momentin.
Zëri i Amerikës: A ka ndikuar raporti, ai i ka dëmtuar ai marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe qeverisë së Kryeministrit Thaçi?
Tom Kantrimen: Unë do të thoja jo. Unë jam i interesuar që kjo të mos dëmtojë marrëdhëniet e qeverisë së Kosovës me pjesën tjetër të botës. Është e rëndësishme për qeverinë e Kosovës të thotë dhe të bëjë ashtu siç thotë se do të bashkëpunojë plotësisht me çdo hetim të mundshëm. Ajo që shkakton dëm është kalimi në sulme personale ndaj zotit Marti apo ndonjë burimi tjetër. Këto sulme personale që mund të interpretohen si kërcënim, thjesht përforcojnë besimin që njerëzit jashtë Kosovës mund të kenë, ndonëse pa arësye, por një qëndrim i tillë përforcon idenë se kundër njerëzve që bëjnë akuza të tilla do të përdoret dhuna. Dhe kjo nuk e ndihmon imazhin e Kosovës.