Kancelarja gjermane Angela Merkel, pritet të qëndrojë sot për një vizitë disa orëshe në Kosovë. Gjatë qëndrimit atje, ajo pritet të takohet me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaci, përfaqësuesit e mekanizmave ndërkombëtarë dhe do të takojë ushtarët gjerman që shërbejnë në kuadër të forcave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja.
Ushtarët gjerman, u sulmuan më 28 nëntor nga protestuesit serbë në veriun e Kosovës të cilët po mbajnë të bllokuara rrugët ne atë zonë në shenjë kundërshtimi ndaj shtrirjes së autoritetit të Prishtinës në atë pjesë.
Incidentet e dhunshme ishin vendimtare për shtyrjen e vendimit të Bashkimit Evropian për t’i dhënë Serbisë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Më e prera në qëndrimin e saj ishte kancelarja gjermane Angela Merkel e cila tha se Serbia nuk i ka përmbushur kushtet për afrimin e saj me strukturat e Bashkimit Evropian, ndërsa ka krijuar një mjedis për dhunë në veriun e Kosovës. Ajo në fillim të dhjetorit tërhoqi vërejtjen se rruga e Serbisë drejt Bashkimit Evropian mund të realizohet vetëm nëpërmjet normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.
Kjo ka bërë që vizita e kancelares gjermane të vlerësohet shume rëndësishme nga autoritetet në Kosovë që këtë e shohin si një rikonfirmim të mbështetjes germane për pavarësinë e Kosovës, duke pasur parasysh edhe rolin e Gjermanisë në kuadër të Bashkimit Evropian.
Vizita e kancelares Merkel, shihet me sy jo të mirë nga autoritetet serbe, pasi ata e fajësojnë atë si shkaktaren kryesore që Serbia nuk morri statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.