Lidhje

Japonia konfirmon vendin e dytë të Kinës në ekonominë botërore


Japonia konfirmon vendin e dytë të Kinës në ekonominë botërore
Japonia konfirmon vendin e dytë të Kinës në ekonominë botërore

Sipas të dhënave të fundit të qeverisë japoneze Kina e ka kaluar Japoninë duke u bërë ekonomia e dytë më e madhe e botës. Zyrtarët qeveritarë të Japonisë e konfirmuan këtë, të hënën, kur ata publikuan rritjen e prodhimit të brendshëm të vendit, i cili ka pësuar rënie në tremujorin e fundit të 2010-tës.

Ekonomia e Japonisë pësoi ulje të vogël në tre mujorin e fundit të vitit të kaluar me 0,3 përqind ndërkohë që konsumi i brendshëm u ngadalësua. Por ministri japonez i ekonomisë Kaoru Yosano thotë se kjo rënie është e përkohshme.

“Të dhënat tregojnë se ekonomia jonë nuk kishte rritje nga tetori deri në dhjetor. Por tani shohim shenja se ekonomia do të filloj të rritet, ndërkohë që shitja e makinave dhe prodhimtaria kanë arritur në pikën më të ulët.”

Megjithëse ekonomia e Japonisë i kaloi parashikimet duke u rritur me 3,9 përqind vitin e kaluar, kjo rritje nuk ishte e mjaftueshme për të ruajtur vendin e dytë në botë për nga ekonomia të cilin e mbajti për dyzet vite.

Vendi i dytë tani i përket Kinës ku prodhimi i saj vitin e kaluar ishte afërsisht 5,88 trilion dollarë në krahasim me ekonominë japoneze e cila arriti shifrën 5,47 trilionë dollarë.
Ekonomisti kinez Sang Baichuang thotë se shifrat të japin të drejtën për t’u krenuar, por nga pikëpamja e fuqisë blerëse, ai thotë se konsumi kinez është mbrapa konsumit të Japonisë.

“Ekonomia jonë ka kaluar ekonominë japoneze, por prodhimi i përgjithshëm kombëtar për frymë është sa një e njëmbëdhjeta e ekonomisë japoneze. Kështu që ne nuk mund të jemi të kënaqur vetëm me totalin e prodhimit të përgjithshëm kombëtar. Begatia ekonomike e Kinës ende është relativisht më e vogël.”

Analistët thonë se rënia e Japonisë në vendin e tretë nuk është e papritur duke marrë parasysh popullsinë e madhe të Kinës prej 1,3 miliardë banorësh. Popullsia e Japonisë është afërsisht 130 milionë banorë.

Ekonomisti Masayuki Kichikawa thotë se rritja ekonomike e Kinës është e mirë për Japoninë sepse kjo do të thotë më shumë konsumues për mallrat japoneze.
“Kjo duhet të shihet më pozitivisht nga pikëpamja e japonezëve sepse ka gjasa që kinezët të blejnë më shumë mallrave japoneze me cilësi të lartë si për shembull makinat. Dhe Kina mund të bëhet treg shumë i mirë për Japoninë.”
Pavarësisht nga rënia globale, ekonomistët thonë se rritja ekonomike e Kinës ka ndikuar në forcimin e rritjes ekonomike në mbarë botën, përfshirë ekonominë më të madhe të botës, Shtetet e Bashkuara, prodhimi i përgjithshëm kombëtar i së cilës është afërsisht tre here më i lartë se ai i Kinës.

XS
SM
MD
LG