Lidhje

Japoni: Shtëpi të përkohëshme për të mbijetuarit e fatkeqësisë


Japoni: Shtëpi të përkohëshme për të mbijetuarit e fatkeqësisë
Japoni: Shtëpi të përkohëshme për të mbijetuarit e fatkeqësisë

Një muaj pas tërmetit 9 ballësh dhe cunamit që shaktërroi Japoninë verilindore, më shumë se 125 mijë njerëz kanë mbetur në qendrat e evakuuimit. Të tjerët jetojnë me të afërmit e tyre. Shumica e tyre kanë mbetur pastrehë nga katastrofa natyrore e 11 marsit ndërkohë banorët që kanë jetuar rreth uzinës bërthamore në Fukushima janë urdhëruar të largohen nga shtëpitë e tyre. Një numër i vogël familjesh kanë lëvizur në banesa të përkohshme, por nuk dihet se çfarë do të ndodhë me shumicën e familjeve të evakuuara.

Ndërkohë që kohët e fundit Japonia u godit nga një tërmet tjetër prej 6,6 ballësh, Mika Terui mendon se ajo, burri i saj, dhe tre fëmijët e tyre janë me fat. Megjithatë, ajo ende është e brengosur.

Zonja Terui thotë se edhe pse ajo është mirënjohëse që jeton në një banesë të re pa patur nevojë të paguajë qera, ata duhet të paguajnë fatura të tjera. Shtëpia e tyre dhe të gjitha gjërat që kishin janë shkatërruar nga cunami. Burri i saj ka gjetur punë me orar të shkurtuar në një stacion benzine. Tani edhe shtëpiakia 39 vjeçare duhet të kërkojë punë.

Familja Teruis është një nga 36 familjet të cilat kohët e fundit kanë lëvizur në banesa të reja afër shkollës fillore Takada numër 1. Çdo shtëpi ka energji elektrike, ujë, banjo, mikrovalë dhe një televizor.

Kryeministri i vendit Naoto Kan, gjatë një vizite që bëri kohët e fundit në prefekturën fqinje Mijagi, u zotua se do të ndërtojë më shumë shtëpi si ato që janë ndërtuar në Rikuzentaka.

Kryeministri Kan u tha zyrtarëve të qytetit Mijagi se qeveria do të ndërtojë sa më shpejtë që është e mundur 70 mijë shtëpi të përkohshme. Kryeministri shtoi se qeveria do të takohet me një grup ekspertësh për të bërë një plan për rindërtimin e rajonit të shkatërruar.

Pas vizitës, guvernatori i prefekturës së Mijagit, Joshiro Murai u tha gazetarëve se ai i ka kërkuar kryeministrit të japë ndihmën e duhur për banorët e kësaj prefekture, për të cilët ai tha se kanë vuajtur më shumë nga tërmeti dhe cunami i muajit të kaluar.

Guvernatori Murai thotë se shpreson që normaliteti do të kthehet në rajonet e goditura nga tërmeti dhe cunami, ku peshkimi dhe bujqësia janë industritë kryesore.

Japonezët e pranojnë se vendi i tyre në kohë paqe nuk është përballur me një katastrofë si ajo 11 marsit. Por shumë japonezë po humbin durimin dhe janë të zemëruar me ritmin e ngadaltë të pastrimit dhe përpjekjeve për rindërtimin e zonave të shkatërruara.

Qeveria nuk ka njoftuar afate për përpjekjet e rindërtimit dhe është kritikuar për deklaratat e saj të paqarta, veçanërisht në lidhje me krizën në centralet bërthamore.

Uzina bërthamore në Fukushima ka çliruar radioaktivitet në atmosferë dhe në det gjatë shumicës së ditëve muajin e fundit.

Disa analistë politikë thonë se gjendja e paqendrueshme në centralet bërthamore shpjegon humbjet e Partisë Demokratike në pushtet në zgjedhjet vendore që u zhvilluan kohët e fundit në disa pjesë të vendit.

Partia kryesore e opozitës, Partia Liberal Demokratike, e cila ka patur pushtetin në Japoni në pjesën më të madhe të kohës pas Luftë së Dytë Botërore, ka refuzuar ofertat e vazhdueshme të Kryeministrit Kan për krijimin e një koalicioni të gjërë. Përpjekjet për krijimin e këtij koalicioni janë parë si një mënyrë për të lënë anash dallimet politike përkohësisht dhe për të shpejtuar së bashkua rimëkëmbjen e Japonisë nga katastrofa më e rëndë në historinë e saj që nga Lufta e Dytë Botërore.

Sipas zyrtarëve japonezë nga tërmeti dhe cunami i muajit të kaluar kanë vdekur më shumë se 13 mijë njerëz dhe rreth 14 mijë të tjerë ende figurojnë të zhdukur.

XS
SM
MD
LG