Lidhje

Qyteti italian Prato kthehet kundër imigrantëve kinezë


Qyteti italian Prato kthehet kundër imigrantëve kinezë
Qyteti italian Prato kthehet kundër imigrantëve kinezë

Gati 40 mijë kinezë, jetojnë ligjërisht ose jo në qytetin italian Prato, jo shumë larg Firences. Ata përbëjnë 25 përqind të popullësisë së qytezës dhe një nga përqëndrimet më të mëdha të kinezëve në Evropë. Shumë prej tyre kanë ardhur nga një qytet, Uënxhou në afërsi të Shangait. Pothuajse të gjithë janë të përfshirë në prodhimin e tekstileve dhe të rrobave të lira duke prodhuar deri në një milion veshmbathje në ditë. Muajt e fundit tensionet në Prato mes banorëve italianë dhe atyre kinezë janë shtuar me akuzat se imigrantët nuk po zbatojnë rregullat.
Një frazë e shkurtër italiane shpjegon arsyen përse kanë ardhur kaq shumë kinezë në Prato - Pronto Moda apo Moda e Shpejtë.
Një zonë industriale që shtrihet në rrethinat e qytetit ka fabrika ngjyrimi, punishte dhe depo. Që këtu, mallra të lira të prodhuara nga kinezët – por me stampën e rëndësishme “Made in Italy” shkojnë në mbarë botën.
Gazetarja Silvia Perrachi ka shpjegon se si imigrantët kinezë kanë marrë në dorë industrinë në Prato.

“Sot, industria kineze në Prato ka në dorë gjithë procesin – që nga blerja e copave në Kinë, importimi i tyre në Itali, prerja e tyre, ngjyrimi, qepja e pastaj shitja e tyre direkt në dyqanet me pakicë.”

Kur kinezët e parë mbërritën këtu 30 vjet të shkuara, ata u mirëpritën si investitorë të rinj. Tani Prato është kthyer kundër kinezëve. Dikur i pozicionuar me partitë e majta, qyteti është kthyer tani nga e djathta me Ligën Veriore kundër imigracionit në zgjedhjet bashkiake të vitit të kaluar.
Tensionet janë përshkallëzuar pas një serie bastisjesh të policisë në fabrikat që dyshohet se punësojnë imigrantë të paligjshëm. Autoritetet thonë se shumë kinezë punojnë në kushte mjaft të vështira që shkelin ligjet evropiane dhe shumë biznese nuk paguajnë taksat.

Kryetari i bashkisë së Pratos është Roberto Cenni. Familja e tij ka një përvojë të gjatë në tekstil. Ai thotë se bastisjet ishin të justifikuara.

“Shifrat nga maji i këtij vitit tregojnë se na është dashur të mbyllim 154 fabrika për aktivitete të paligjshme. Të detyrohesh të mbyllësh një kompani do të thotë se aty ka patur aktivitete të paligjshme të një natyre që përshkruhen si akte kriminale. Pra është e qartë se na duhet një përgjigje definitive për këtë situatë.”

Shumë kinezë këtu thonë se bastisjet u programuan për të kënaqur politikanët dhe median e djathtë. Ata thonë se janë viktima të diskriminimit.
Lin Shia jeton në Prato prej 20 vjetësh dhe ka ngritur një biznes të vogël.

“E kuptoj se ka nevojë për rregulla në këtë industri por nuk jam i kënaqur rreth mënyrës sesi po veprojnë. Për shembull mbyllja e fabrikave nuk u bë në rrugë ligjore. Ata arrestuan imigrantët e paligjshëm dhe i liruan pas disa orësh por këta nuk u lejuan të shkonin në shtëpitë e tyre për një muaj. Kështu që u lanë në rrugë, pa ngrënë dhe të pastrehë.”

Historia e Pratos në tekstile shtrihet në shekuj; qyteti ka një muze që i dedikohet tekstileve. Por ndërsa kompanitë italiane kanë patur vështirësi, kinezët janë pasuruar. Biznesmenët italianë besojnë se kinezët po shfrytëzojnë emrin e Pratos.
Maurizio Bonas krijoi organizatën Made in Italy për të mbrojtur imazhin e mallrave italiane. Ai thotë se çdo vend duhet të luftojë për të mbrojtur kulturën e tij.

“Duhet të mbrojmë fabrikat në Evropë. Duhet të mbrojmë njerëzit që punojnë këtu. Nuk duhet të mendojmë si të ndihmojmë të tjerët dhe të harrojmë shtëpitë tona.”

Në shumë aspekte Prato është një pasqyrë e sfidave me të cilat përballet Evropa: ky kontinent historik, krenar për traditat por i kërcënuar tani nga mënyrat e reja me të cilat po ndryshon bota.

XS
SM
MD
LG