Lidhje

Shefi i OKB-së kërkon hetime të pavarura për përleshjet në Gaza


Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, bëri thirrje për "hetime të pavarura dhe transparente" të përleshjeve vdekjeprurëse përgjatë kufirit ndërmjet Izraelit dhe Gazas, që lanë pas vetes të paktën 15 palestinezë të vrarë dhe 1 mijë e 400 të plagosur, prej të cilëve më shumë se 750 nga plumbat.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara u mblodh në një takim emergjent të premten për të diskutuar situatën në Gaza, por nuk vendosi për ndonjë veprim apo qëndrim të përbashkët.

Ambasadori izraelit në Kombet e Bashkuara, Danny Danon, tha se takimi emergjent u mbajt me gjithë kundërshtimin e rreptë të Izraelit dhe të Shteteve të Bashkuara dhe kërkoi që ai të shtyhej deri pas kremteve të Pashkëve.

Ushtria izraelite tha se trupat përdorën "mjete për shpërndarjen e turmave" për të shuar një nga demonstratat më të mëdha palestineze dhe shpërthimet e mëdha të dhunës përgjatë kufirit në vitet e fundit.

Dhuna shpërtheu kur mijëra palestinezë ju afruan kufirit. Ushtria izraelite tha se trupat e saj iu kundërvunë "nxitësve kryesorë", të cilët po hidhnin gurë dhe rrotullonin goma të djegura. Ushtria izraelite gjithashtu akuzoi militantët se po përpiqeshin të kryenin sulme nën mbulesën e protestave masive.

Ministria palestineze e Shëndetësisë tha se forcat izraelite përdorën plumbat, gazin lotsjellës dhe plumbat e veshur me gomë.

Kjo ishte dita më vdekjeprurëse në Gaza, territor i vetëqeverisur nga palestinezët, që nga lufta e vitit 2014 ndërmjet Izraelit dhe Hamasit.

Palestinezët ngritën tenda përgjatë Rripit të Gazës dhe paralajmëruan se do të qëndrojnë aty për gjashtë javë, deri në përurimin e ambasadës së re amerikane në Jerusalem rreth datës 14 Maj.

Ushtria izraelite vlerësoi se rreth 30 mijë demonstrues po marrin pjesë në protesta.

Njohja nga presidenti amerikan Donald Trump e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit në dhjetorin e vitit të kaluar, ka shkaktuar zemërimin e palestinezëve të cilët pretendojnë që pjesa lindor e qytetit të shenjtë të jetë kryeqytet i shtetit të tyre të ardhshëm.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG