Revista për letërsinë ndërkombëtare dhe kulturën e Universitetit të Oklahomës, "World Literature Today", njoftoi mbrëmjen e të mërkurës se Ismail Kadare do të marrë Çmimin Ndërkombëtar për Letërsinë "Neustadt".
Shkrimtari i njohur shqiptar do të bëhet kështu laureati i 26-të i këtij çmimi të mirënjohur. Emri i tij u propozua nga shkrimtarja me origjinë bullgare Kapka Kassabova, e cila krijon poezi dhe prozë në gjuhën angleze.
Drejtori ekzekutiv i revistës "World Literature Today" Robert Can Davis-Undiano u shpreh se zoti Kadare është "një nga shkrimtarët e mëdhenj të botës dhe kampion i demokracisë dhe fjalës së lirë".
Çmimi Neustadt gëzon respekt të lartë në komunitetin e letërsisë për vlerësimin e krijimtarisë së shkëlqyer. Ky çmim shpesh quhet "Nobeli amerikan" për shkak të reputacionit të krijuar duke i paraprirë përzgjedhjes së përvitshme të Akademisë Suedeze. Juria për këtë çmim është e përbërë nga autorë të mirënjohur ndërkombëtarë, duke shmangur kështu influencën e shtëpive botuese dhe grupeve të tjera që mund të kenë interes në rezultatin e përzgjedhjes.
Çmimi Neustadt është i pari vlerësim i përmasave të tilla i krijuar në Shtetet e Bashkuara dhe është një ndër çmimet e rralla ndërkombëtare ku mund të konkurrojnë së bashku poetë, novelistë dhe skenaristë. Fituesi merr një shumë prej 50 mijë dollarësh dhe simbolin e pendës së shqiponjës të derdhur në argjend. Një fond i ngritur nga familja Neustadt ka siguruar vazhdimësinë e këtij çmimi.
Shkrimtari Ismail Kadare pritet ndërkaq që më 26 tetor të marrë çmimin Pak Kyongni 2019 në Korenë e Jugut. Çmimi u nda në muajin shtator dhe një njoftim të bërë nga Kim Uchang, kryetar i komisionit përzgjedhës, thuhet se “...punimet e Ismail Kadaresë i bëjnë lexuesit të mendojnë dhe të ndjejnë fort marrëdhënien e tyre me ngjarje të caktuara të historisë”.
Çmimi u krijua në vitin 2011 nga Fondacioni Kulturor Toji, për të nderuar shkrimtaren e ndjerë koreane Pak Kyongni. Çmimi nderon çdo vit një shkrimtar të letërsisë botërore për ndikimin në fushën e letërsisë.
Ismail Kadare për një kohë të gjatë ishte në mesin e kandidatëve për çmimin Nobel pë letërsi, i cili sivjet iu nda autorit kundërthënës austriak Peter Hendke, duke nxitur reagime të rrepta gjithandej për shkak të lidhjeve të tij me Sllobodan Millosheviçin dhe deklaratat në mbrojtje të nacionalizmit serb e kundër ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë.
Facebook Forum