Shtetet e Bashkuara po dislokojnë 200 trupa shtesë në Irak dhe njëkohësisht po ofrojnë helikopterët sulmues Apache në mbështetje të luftimeve për të rimarrë Mosulin nga Shteti Islamik. Numri i trupave amerikane në Irak ka arritur në mbi 4 mijë.
Të hënën gjatë një vizite në Bagdat, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Ash Carter njoftoi disa nisma të reja amerikane për të luftuar Shtetin Islamik.
Ai tha se Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë helikopterë Apache, raketa-lëshues portativë dhe më shumë trupa në terren.
“Do të shtojmë numërin e këshilltarëve me forcat irakiane të sigurisë deri në nivel brigade dhe batalioni.”
Ai u takua me kryeministrin irakian dhe ministrin e mbrojtjes të cilët u pajtuan me planin e ri amerikan.
Zoti Carter tha se shtimi i numrit të këshilltarëve do të jetë i rëndësishëm ndërsa forcat irakiane ripozicionohen drejt Mosulit.
“Në mënyrë që forcat irakiane të intensifikojnë veprimet drejt fitores, ato do të kenë nevojë për mbështetje më të madhe logjistike, dhe kjo është pjesë e rëndësishme e planit të tanishëm”.
Në këtë plan përfshihen 415 milionë dollarë për forcat kurde, qeveria e të cilëve ka probleme financiare si rezultat i rënies së çmimit të naftës.
Gjenerali Sean McFarland është komandant i koalicionit kundër Shtetit Islamik.
“Forcat kurde tani nuk kanë fuqinë e duhur për të qendruar në fushëbetejë, ndaj duam të sigurojmë ushqimin e duhur për ata që të vazhdojnë betejën.”
Zyrtarët thanë se ndërsa planet e reja të njoftuara të hënën pritet të ndihmojnë në intensifikimin e luftës kundër Shtetit Islamik, masat e reja po ashtu mund të ekspozojnë amerikanët atje ndaj rreziqeve më të mëdha pranë linjave të para të frontit.