Lidhje

Luftëtarët e huaj; SHBA drejt “Planit B”


kampi al-Hol në Siri
kampi al-Hol në Siri

Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera që shpresojnë t’i shkaktojnë një disfatë të plotë grupit terrorist Shteti Islamik rrezikojnë të dështojnë për shkak të injorimit të dhjetëra mijëra luftëtarëve, grave dhe fëmijëve të mbajtur në burgje dhe kampe në Siri, paralajmërojnë zyrtarët amerikanë.

Për muaj të tërë, Shtetet e Bashkuara po u bëjnë thirrje vendeve, në veçanti atyre aleate perëndimore, të kthejnë dhe të procedojnë penalisht shtetasit e tyre që u larguan për t’iu bashkuar Shtetit Islamik. U është bërë thirrje gjithashtu të riatdhesojnë anëtarët e familjeve të tyre, të cilët udhëtuan, apo u lindën, në kalifatin e vetëshpallur të grupit terrorist.

Por, këto thirrje nuk janë përfillur. Tashmë, zyrtarët amerikanë kanë ngritur tonin duke paralajmëruar se burgjet dhe kampet po shërbejnë si një inkubator për këtë grup terrorist.

Ky është një shqetësim i madh për ne tek Departamenti i Mbrojtjes”, i tha një audience në Uashington të mërkurën Zv.Ndihmës Sekretari i Mbrojtjes për Lindjen e Mesme, Michael Mulroy.

Duke folur për kampin al-Hol, zoti Mulroy tha se: “Këta njerëz, shumë prej tyre fëmijë, po marrin gjatë gjithë kohës vetëm një pikëpamje dhe një filozofi. Nëse komuniteti ndërkombëtar nuk gjen një mënyrë për t’i rehabilituar dhe integruar në shoqëri, atëherë këta do të jenë brezi i ardhshëm i ISIS-it”.

Ky paralajmërim më i fundit bëhet ndërsa rreth 11 mijë luftëtarë të ISIS-it, ndër ta 2 mijë luftëtarë të huaj, mbahen në mbi 30 burgje të improvizuar, kryesisht shkolla dhe spitale të konvertuara, nga Forcat Demokratike Siriane që gëzojnë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

Krahas këtyre, rreth 73 mijë familjarë, shumica gra dhe fëmijë, po mbahen në kampet e të zhvendosurve, si kampi al-Hol, pjesa më e madhe e të cilëve janë të ngarkuar mbi kapacitetin e tyre.

Nuk ka shpresa se kushtet mund të ndryshojnë.

“Nuk ekziston konkretisht një Plan B për momentin”, tha zoti Mulroy.

Madje, një numër gjithnjë në rritje zyrtarësh pranojnë se problemet ka gjasa të përkeqësohen, një frikë kjo edhe e aleatëve të SHBA-së në terren.

Shumë prej grave të luftëtarëve të huaj të ISIS-it, ende besojnë tek ISIS-i, madje edhe një pjesë e madhe e fëmijëve”, u tha gazetarëve gjatë një vizite në Uashington, Ilham Ahmed, bashkëkryetare e Këshillit Demokratik Sirian.

Nuk ekziston një projekt serioz që funksionon për rehabilitimin e familjarëve të ISIS-it”, tha ajo.

Zyrtarët e Forcave Demokratike Siriane kanë ngritur edhe shqetësimin se masat e sigurisë për të mos lejuar arratisjen e anëtarëve të ISIS-it mund të mos vazhdojnë të jenë efikase.

Zonja Ahmed përshkroi se si anëtarët e familjeve të ISIS-it në kampe si kampi al-Hol kanë filluar të vënë zjarre, jo në shenjë proteste, por si një mënyrë për t’u dhënë kontrabandistëve kohën e duhur për të ndihmuar familjet të arratisen.

Megjithë garancitë amerikane se masat e sigurisë në burgje ende po funksionojnë, zonja Ahmed dhe zyrtarët e Forcave Demokratike Siriane paralajmërojnë se burgjet “nuk janë të pajisura” për t’i mbajtur pa afat luftëtarët e kapur.

Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara dhe të Forcave Demokratike Siriane po pranojnë se ka patur përpjekje të përsëritura për arratisje nga burgjet. Megjithëse deri më tani nuk kanë rezultuar të suksesshme, zyrtarët në Pentagon dhe në Departamentin e Shtetit paralajmërojnë për rrezikun real të një arratisjeje nga burgu të anëtarëve të ISIS-it.

Ndërkohë që mbështetësit e ISIS-it në burgje dhe kampe po trimërohen, zyrtarët që janë përgjegjës për sigurinë po ndjehen më të pashpresë.

Njerëzit që menaxhojnë kampet po luten për asistencë nga komuniteti ndërkombëtar”, thotë Gayle Tzemach Lemmon, e Këshillit të Marrëdhënieve me Jashtë, e cila ka vizituar kampin al-Hol dhe e përshkroi atë si “pak a shumë Kombet e Bashkuara të Shtetit Islamik”.

Ekziston një frikë e madhe në rajon”, shtoi ajo. “Kjo është një krizë që mund të ndodhë lehtësisht gjatë natës, e cila ka gjashtë muaj që po përgatitet”.

Thirrjet e Shteteve të Bashkuara dhe të Forcave Demokratike Siriane kanë hasur në një frikë të ngjashme në vendet evropiane, në veçanti ato që nuk dëshirojnë të riatdhesojnë shtetasit e tyre që u larguan për t’iu bashkuar ISIS-it.

Një ndër këto vende është Hollanda, e cila mendohet se ka ende rreth 100 luftëtarë të huaj në Siri, mbi gjysma e tyre të burgosur nga Forcat Demokratike Siriane. Zyrtarët hollandezë shqetësohen se gjykatat evropiane nuk janë të përgatitura për t’u përballur me një kërcënim të tillë që do të zgjasë.

“Në të gjitha sistemet gjyqësore në Evropë, kodi penal parashikon 3 – 3.5 vite burgim”, tha gjatë një vizite në SHBA, Pieter-Jaap Aalbersberg, Koordinatori Kombëtar për Sigurinë dhe Kundërterrorizmin i Hollandës.

Ai shtoi se: “Nuk janë vetëm 100 luftëtarët e huaj nga Hollanda, por janë edhe disa mijëra nga Gjermania dhe disa mijëra nga Franca, të cilët për vetëm dy, tre, apo katër vite, do të gjenden të lirë. Do të jetë e pamundur për forcat e sigurisë për të ndjekur 24 orë mijëra persona të tillë”.

Madje ka patur ngurrim nga vende perëndimore të pranojnë edhe familjarët, qoftë edhe fëmijë. Zyrtarët amerikanë paralajmërojnë se këtu qëndron rreziku më afatgjatë.

Duhet të ngremë një plan për t’i rehabilituar në mënyrë që të rikthehen në shoqëri, tha zoti Mulroy, i cili informoi gazetarët se po zhvillohen bisedime me disa organizata për programe çradikalizimi për njerëzit dhe fëmijët në këto kampe.

Duhet të zgjedhim një (organizatë). Duhet ta financojmë. Dhe duhet të bëjmë diçka. Nëse nuk veprojmë si komunitet ndërkombëtar, dhe jo vetëm si SHBA, ky do të jetë një problem me të cilin do të përballen fëmijët tanë”, tha ai.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG