Lidhje

Ish-Presidenti iranian Rafsanxhani humbet një post të rëndësishëm


Ish-Presidenti iranian Rafsanxhani humbet një post të rëndësishëm
Ish-Presidenti iranian Rafsanxhani humbet një post të rëndësishëm

Media shtetërore iraniane njofton se ish-presidenti Ali Akbar Hashemí Rafsanxhaní është shkarkuar nga detyra e kreut të organit më të lartë qeverisës të klerikëve në vend. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Geri Tomas, analistët thonë se ky veprim është pjesë e një sulmi të shkallëzuar të ekstremistëve ndaj zotit Rafsanxhaní, për shkak të pozitës së tij politike por edhe rëndësisë së tij si individ.

Në atë që analistët perëndimorë pajtohen se është fitore për rivalët e tij konservatorë, Ali Akbar Hashemí Rafsanxhaní u shkarkua të martën nga posti i kryetarit të Asamblesë së fuqishme të Ekspertëve. Ai u zëvendësua nga 80-vjeçari Ajatollah Muhamad Reza Kaní Mahdaví, një konservator më tradicional, të cilin analistët besojnë se kishte mbështetjen e Udhëheqësit Suprem Ali Hamenei dhe Presidentit Mahmud Ahmedinezhad.

Asambleja e Ekspertëve është organ 86-anëtarësh i klerikëve islamikë, që në teori vëzhgojnë punën e Udhëheqësit Suprem, por në praktikë kryejnë pak funksione të përditshme. Megjithatë, organi zgjedh Udhëheqësin Suprem, një post që e kanë mbajtur vetëm nga dy persona që nga Revolucioni iranian që përmbysi monarkun apo shahun në vitin 1979.

Zoti Rafsanxhaní ka mbajtur shumicën e posteve më të fuqishme në Iran pas revolucionit: ka qenë president, kryetar i parlamentit, kryetar i Asamblesë së Ekspertëve dhe kryetar i Këshillit të Përshtatshmërisë.

Pas shtypjes së opozitës nga ana e qeverisë në mbarim të zgjedhjeve të kontestuara presidenciale më 2009, zoti Rafsanxhaní ishte i kujdesshëm me kritikën e tij ndaj qeverisë dhe asnjëherë nuk iu bashkëngjit plotësisht lëvizjes opozitare. Megjithatë, qeveria e konsideroi atë si armik, thotë ish-nëpunësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Geri Sik, tani profesor në Universitetin “Kolumbia” dhe eksperti dalluar i çështjeve iraniane.

“Ata nuk e kanë sulmuar atë personalisht, duke e arrestuar apo në një formë tjetër. Por qeveria ka lëvizur në këtë drejtim, ndërkohë që regjimi egërsohet dhe kryesisht vepron sipas idesë se ose je me ne ose kundër nesh. Unë mendoj se Rafsanxhaní gjithnjë është parë si dikush që është kundër tyre dhe për këtë arsye e kundërshtojnë ashpër”.

Shaul Bakhash, profesor i historisë moderne të Lindjes së Mesme pranë Universitetit “Xhorxh Mejson” thotë se rruga që zoti Rafsanxhaní është përpjekur të ndjekë nuk i ofron më siguri atij.

"Ai është një politikan i qendrës, në përgjithësi, dhe një njeri praktik dhe kjo nuk u shkon për shtat qëndrimeve të konservatorëve, që kanë rritur ndikimin në Iran. Ka shumë që nuk e duan atë nga të gjitha anët, kështu që ky është çasti për shpagim dhe hakmarrje dhe për këtë kemi parë shumë dëshmi”.

Zotit Rafsanxhani iu arrestua e bija të paktën dy herë për shprehjen e pikëpamjeve të opozitës. Një nga djemtë, që i jeton jashtë vendit, është akuzuar për mitëmarrje. Një tjetër djalë, i cili ishte kreu i sistemit të metrosë së Teheranit, dha dorëheqje kohëve të fundit pasi iu refuzua kërkesa për financimin e rinovimeve. Ndërkaq, zoti Rafsanxhani nuk u la të flasë gjatë faljes së premtes në Universitetin e Teheranit.

Por a do të thotë kjo se zoti Rafsanxhani do të lëvizë edhe më tutje në kampin e opozitës? Shaul Bakhash thotë se do të ishte një lëvizje shumë e rrezikshme në klimën e tanishme.

“Zoti Rafsanxhani është i pambrojtur. Ai dhe familja e tij kanë biznes shumë të përhapur dhe interesa ekonomike në Iran dhe këto mund t’u nënshtrohen gjithmonë sulmeve nga qeveria, nga prokurorët dhe organet e ngjashme. Kështu që unë mendoj se ai do të rrezikojë shumë nëse do të anojë më tepër me opozitën, si rezultat i shkarkimit të tij nga posti i kryetarit të Asamblesë së Ekspertëve”.

Tani që ka humbur shumë nga pushteti, zoti Rafsanxhani ndeshet me një tjetër sfidë vitin e ardhshëm kur t’i skadojë mandati si kryetar i Këshillit të Përshtatshmërisë, i cili ndërmjetëson mosmarrëveshjet mes Këshillit të Gardianëve, një organ i fuqishëm por i pazgjedhur, dhe Parlamentit.

XS
SM
MD
LG