Koalicioni nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara në luftën kundër Shtetit Islamik thotë se forcat lokale kanë rimarrë kontrollin e 87 për qind të territorit që dikur mbahej nga ISIS në Irak dhe në Siri.
Por ndërsa bëhet më e arritshme fitorja në një të ardhme të afërt ndaj Shtetit Islamik në Irak, irakianët janë duke e drejtuar vëmendjen tek çështja e ndërlikuar kurde dhe dëshira e kurdëve të Irakut për pavarësi. Siç njofton korrepondentja e Zërit të Amerikës në Pentagon Carla Babb, mosmarrëveshja mes dy aleatëve të ngushtë të Shteteve të Bashkuara mund t’i japë dorë Iranit, një vend armik, që ta fuqizojë ndikimin tek vendet fqinje.
Qyteti i Kirkukut, me shumicën e popullsisë kurde, tani duket se është nën kontrollin e forcave irakiane të sigurisë.
Pasi kurdët miratuan me shumicë dërrmuese referendumin për pavarësinë, Bagdadi bëri thirrje për kontroll më të madh qeveritar në Kirkuk.
Shtetet e Bashkuara nuk ishin të përfshira në dorëzimin e pushtetit tek forcat irakiane këtë javë dhe madje nuk është e qartë nëse ishin në dijeni më parë.
“Unë e di që marrja e Kirkukut u deklarua publikisht nga zyrtarët irakianë. Nuk di nëse ne si koalicion dinim gjë para datës 16.”- thotë koloneli Ryan Dillon, zëdhënësi i koalicionit të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara".
Një person i cili ishte në dijeni, është komandanti i Njësive të Mobilizimit Popullor, me mbështetjen e Iranit, Abu Mahdi al-Muhandis, i cili shihet me një kapele të çelur në kokë në videon e marrë nga shërbimi i antiterrorizmit në Kirkuk, pas ardhjes së forcave irakiane.
"Tani ne nuk e kemi më luksin për të pretenduar se duam që Irani të mos ketë influencë në Irak.”- thotë analisti Michael O’Hanlon i Institutit Brookings.
Ekspertët thonë se Irani ka ndihmuar në luftën kundër Shtetit Islamik për të forcuar marrëdhëniet me Irakun dhe Sirinë, me shpresën për krijimin e një ure të sigurtë tokësore për lëvizjen e njerëzve dhe furnizimeve nga Teherani për në Detin Mesdhe.
Irani aktualisht e ka një rrugë për në Irak, që shtrihet në lindje të Kirkukut, në veri të Bagdadit e deri lart, përmes Tal Afarit. Përmes grupeve paraushtarake të mbështetura nga Irani, Teherani mund t’i shfrytëzojë tensionet në Kirkuk dhe të hapë një rrugë të re për të ushtruar ndikim.
“Unë mendoj se Irani, me siguri që do të donte të kishte një kalim sa më të lehtë e të shkurtër tokësor për në Mesdhe, por unë po ashtu mendoj për një tjetër metaforë, imazhin e tentakulave që shtrihen për të ushtruar ndikim. Irani nuk ka për të qenë i kënaqur vetëm me një rrugëkalim tokësor, ai do të donte të kishte më shumë zgjedhje.”- thotë zoti O'Hanlon.
Në kushtet kur dy aleatë amerikanë kanë mosmarrëveshje të thella, dhe ndërsa Irani përpiqet të ndikojë tek ta nga jashtë, Shtetet e Bashkuara do të duhet të gjejnë një mënyrë për t’iu kundërvënë influencës së Iranit mbi Irakun në ditët në vazhdim.
Facebook Forum