Lidhje

Shteti Islamik në Irak dhe në Siri


Shtetet e Bashkuara thonë se kanë shënuar përparim të rëndësishëm kundër Shtetit Islamik në Irak dhe Siri. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës në Pentagon, koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara e ka filluar vitin me ofensivë, por ka ende shumë për të bërë.

Ky ishte territori që Shteti Islamik kontrollonte në kulmin e tij dhe kjo është ajo që zyrtarët amerikanë thonë se ISIS-i kontrollonte deri në nëntor -- 40 përqind më pak territor në Irak dhe 5 përqind më pak në Siri:

“Ndoshta në maj ishte periudha kur ata arritën kulmin e operacioneve ofensive dhe qysh atëherë ata kanë humbur terren, “ tha koloneli Warren.

Warren thotë se sulmet ajrore të koalicionit vranë rreth 2,500 luftëtarë të Shtetit Islamik vetëm në dhjetor.

Sulmet kanë prekur gjithashtu arkën e Shtetit Islamik duke pakësuar prodhimin e naftës me një të katërtën dhe të ardhurat prej saj me një të tretën.

Por grupi ekstremist ende kontrollon dhjetra mijëra kilometra katrorë tokë, përfshi qytete të rëndësishme si Mosuli dhe Raka dhe një rrip shumë të rëndësishëm toke pranë kufirit turk, ku mund të kalojë kontrabandë mallra dhe luftëtarë në territorin që kontrollon:

“Po të heqësh ISIL-in nga ajo pjesë e kufirit, ndryshimi është shumë i madh,” thotë i dërguari i posaçëm Brett McGurk.

Shefi i shtatmadhorisë amerikane, gjenerali Joe Dunford, po viziton Turqinë këtë javë për të diskutuar mbi luftën kundër Shtetit Islamik, ndërsa nënpresidenti Joe Biden do të vizitojë Ankaranë më vonë këtë muaj.

XS
SM
MD
LG