Diplomatët iranian dhe ata perëndimorë thanë të martën se negociatorët kanë arritur një marrëveshje historike që kufizon programin bërthamor të Iranit në shkëmbim të heqjes së sanksioneve.
Palët janë duke punuar për një kuadër që synon të sigurojë se programi bërthamor i Iranit do të jetë paqësor dhe nuk do të përdoret për zhvillimin e armëve bërthamore. Negociatat kanë qenë të përqëndruara tek infrastruktura që nevojitet për prodhimin e plutoniumut dhe për pasurimin e uraniumit – dy komponentë kryesorë për prodhimin e armëve bërthamore.
Dispozitat kryesore të marrëveshjes për programin bërthamor të Iranit:
* Irani do të reduktojë me 98 përqind rezervat e uraniumit të pasuruar në nivel të ulët, por që mund të përdoret si karburant për prodhimin e bombës, duke i ulur ato në 300 kilogramë për 15 vjet.
* Irani do të reduktojë me dy të tretat numrin e centrifugave që përdoren për pasurimin e uraniumit në qendrën kryesore të përpunimit të tij. Centrifugat e tjera do të vendosen në një vend magazinimi ku do të monitorohen.
* Irani nuk lejohet të prodhojë mbushje bërthamaore apo të bëjë eksperimente me teknologjinë e lidhur me armët bërthamore.
* Embargoja e armëve ndaj Iranit do të lehtësohet, për sa kohë që programi bërthamor i Teheranit gjykohet nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike të jetë paqësor.
* Sanksionet ndërkombëtare ndaj Irani do të hiqen, duke i mundësuar Teheranit të eksportojë naftë.
* Në qoftë se një panel ndërkombëtar gjen se Irani nuk respekton marrëveshjen, ai mund të votojë për të rivendosur sanksionet. Paneli do të përbëhet nga Shtetet e Bashkuara, Britania, Kina, Franca, Gjermania, Bashkimi Evropian, Rusia dhe Irani.