Lidhje

Zaganjori: Lufta ndaj korrupsionit kërkon vullnet të gjithanshëm


Intervistë me Kryetarin e Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, Xhezair Zaganjori

Gjykata e Lartë e Shqipërisë përballet me sfida të shumta, mes së cilave ndryshimet në ligjin për funksionimin e saj, çështjet e shumta në pritje për t’u shqyrtuar dhe një problem që del në pah shpesh kur flitet për sistemin e drejtësisë në Shqipëri, korrupsionin në këtë sistem. Për të diskutuar për këto çështje, kishim sot të ftuar në emisionin Ditari Kryetarin e Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori i cili ndodhet në Shtetet e Bashkuara për një vizitë pune.



Zëri i Amerikës: Zoti Zaganjori, cili është qëllimi i vizitës suaj këtu në SHBA?

Xhezair Zaganjori: Ndodhem këtu me ftesë të palës amerikane për disa takime shumë të rëndësishme, që do të zhvillojmë këto ditë, duke filluar nga Gjykata e Lartë ku kemi disa takime nesër. Në vijim, do të kemi takime në Departamentin e Drejtësisë, në Departamentin e Shtetit, në qendrën e trajnimit të gjyqtarëve dhe shumë takime të tjera të cilat jam i sigurt që do të jenë shumë të vlefshme për ne.

Zëri i Amerikës: Le të kthehemi tek problematikat në Shqipëri. Që nga 1 tetori kanë hyrë në fuqi ndryshime në ligjin për Gjykatën e Lartë dhe në Kodin e Procedurës Penale. Ndër të tjera, parashikohet që trupat gjykuese të mos kenë pesë, por tre gjyqtarë dhe që Gjykatës së Lartë të mos i duhet të marrë në shqyrtim të gjitha rastet që i paraqiten. Çfarë efekti do të kenë këto ndryshime për institucionin tuaj?

Xhezair Zaganjori: Në fakt ndryshimet e fundit janë pjesë e një pakete e cila ka filluar të zbatohet prej disa viteve. Por dy-tre vitet e fundit, siç e thatë edhe ju, janë miratuar disa ligje shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me sistemin gjyqësor në përgjithësi por edhe me operatorë të tjerë të sistemit të drejtësisë duke përfishirë Gjykatën e Lartë. Duhet thënë me këtë rast se ka një strategji kombëtare integrimi, ka një strategji ndërsektoriale të drejtësisë, ka një plan veprimi të qeverisë të cilat në fund të fundit synojnë realizimin e standarteve bashkëkohore ndërkombëtare edhe në fushën e drejtësisë, si një nga kushtet kryesore për pranimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Por ky nuk është një qëllim në vetvete, sepse të gjitha këto hapa që ndërmerren synojnë forcimin e drejtësisë në Shqipëri, forcimin e shtetit ligjor dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarit. Në këtë kaudër janë miratuar edhe ndryshimet që ju sapo përmendët, pra ligji për Gjykatën e Lartë, ligji për Gjykatën Administrative, ndryshimet në Kodin e Procedurës Civile, ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, ligji për avokatinë, ligji për konferencën gjyqësore kombëtare, nryshimet kushtetuese që kufizojnë edhe imunitetin e gjyqtarëve, si një mjet për të luftuar korrupsionin, e kështu me radhë.

Zëri i Amerikës: Duke folur pak më konkretisht për punën e Gjykatës suaj; aktualisht kjo gjykatë shqyrton 4 mijë deri në 5 mijë raste ndërkohë që ka në një farë mënyre prapambetje në trajtimin e tyre. Ka 12 mijë raste që duhen zgjidhur nga Gjykata. Kjo krijon një shqetësim dhe një kritikë të tillë e ka bërë sot edhe ministri i Drejtësisë Nasip Naço. Si mendoni se do të zgjidhet kjo çështje e ngarkesës së rasteve të shumta në Gjykatën tuaj?

Xhezair Zaganjori: Shqetësimi në fakt është i drejtë. Ka një numër shumë të madh çështjesh që presin të gjykohen në Gjykatën e Lartë dhe është e vërtetë që janë rreth 12 mijë çështje që presin. Ky është një fakt dhe me të drejtë ligjvënësi ka ndërhyrë dhe besoj që edhe në të ardhmen duhet të ndërhyjë për të perfeksionuar sistemin në mënyrë që drejtësia të jepet me cilësi por edhe me efektivitet.

Zëri i Amerikës: A do të ndihmojnë këto ndërhyrje në përshpjetimin e shqyrtimit të çështjeve?

Xhezair Zaganjori: Në fakt, po. Ndërhyrjet do të ndikojnë pozitivisht. Synimi i këtyre ndërhyrjeve ka qenë pikërisht ky, të rritet cilësia, të rritet transparenca e vendimeve si dhe të rritet efektiviteti i punës së gjykatave, përfshi Gjykatën e Lartë. Nuk është normale që Gjykata e Lartë të ketë 12 mijë çështje që presin të gjykohen, ndërkohë që me sistemin e mëparshëm ky numër ishte në rritje pasi çështjet që gjykoheshin ishin më pak se ato që vinin. Ndryshimet në Kodin e Procedurës Civile sjellin disa ndryshime shumë të rëndësishme, mes të cilave është mundësia e gjykimit të një numri të konsiderueshëm çështjesh me tre gjyqtarë, çka i krijon një lloj hapësire dhe frymëmarrjeje Gjykatës. Dhe së dyti, vendos edhe një afat për gjykimin e çështjeve në dhomën e këshillimit – pra, filtri i parë i pranueshmërisë – brenda 60 ditëve. Në fakt, ndryshimet janë të rëndësishme por ende nuk janë efektive sepse në dispozitat kalimtare – duhet të jetë gabim – vihet theksi tek fakti që çështjet për të cilat tashmë është paraqitur kërkesë-padia duhet të gjykohen me ligjin e vjetër. Kjo do të thotë që praktikisht ligji bëhet për të ndryshuar filozofinë e gjykimit në Gjykatën e Lartë në një kohë që nëse një çështje paraqitet sot në shkallën e parë, kjo do të thotë se praktikisht ajo vjen pas tre ose katër vjetësh në Gjykatën e Lartë. Prandaj i kemi kërkuar edhe ministrit të ri edhe parlamentit që të bëjë një ndryshim ligjor që do t’i bënte efektive edhe ndryshimet e Kodit të Procedurës Civile. Ndërkaq janë bërë ndryshime edhe në ligjin e Gjykatës së Lartë. Tashmë kërkohet një operativitet më i madh i Gjykatës së Lartë. Do të operohet me tre kolegje, pra do të krijohet edhe një kolegj tjetër sepse me hyrjen në fuqi të këtij ligji ka hyrë në fuqi njëkohësisht edhe ligji për Gjykatat Administrative. Pra Gjykata e Lartë do të ketë tre kolegje: kolegjin civil, kolegjin administrativ dhe kolegjin për çështjet penale. Rritet numri i gjyqtarëve, nga 17 në 19. Pra Presidenti dhe Parlamenti kanë detyrimin që sa më parë të fillojnë procedurat për zgjedhjen e gjyqtarëve të rinj. Duke patur parasysh edhe afatet, nëse këto ndryshime do të bëhen efektive, atëherë sigurisht do të përmirësohet dukshëm edhe puna në Gjykatën e Lartë.

Zëri i Amerikës: Le të flasim për një nga pengesat për gjykatën tuaj dhe për sistemin e drejtësisë në përgjithësi, korrupsioni që është një nga problemet më madhore në sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Çfarë masash duhen marrë për ta goditur këtë dukuri, ndërkohë që edhe perceptimi në shoqëri është për një nivel të lartë të korrupsionit?

Xhezair Zaganjori: Në fakt çështja e korrupsionit është një shqetësim shumë i madh për realitetin shqiptar, ka qenë në mënyrë permanente përfshirë edhe sektorin e drejtësisë. Duhet të kemi parasysh se bëhet fjalë për perceptim të korrupsionit...

Zëri i Amerikës: Në fakt në raportet ndërkombëtare është folur për perceptim, por edhe është vërtetuar në raste të shumta që ka korrupsion mes gjyqtarëve.

Xhezair Zaganjori: Sigurisht që problemi është shqetësues sepse sigurisht që duhen marrë masa që qytetari të marrë drejtësi. Korrupsioni nuk është gjë tjetër veçse një vepër e rëndë penale që kryen zyrtari i lartë sepse jepet padrejtësi në emër të drejtësisë, prandaj jam i mendimit që kërkohet një bashkëpunim jashtëzakonisht shumë efektiv ndërmjet gjithë mekanizmave, jo vetëm brenga gjyqësorit por edhe me mekanizmat e tjerë shtetërorë, me parlamentin, me ekzekutivin, me mekanizmat e tjerë, me shoqërinë civile, me çdo qytetar në mënyrë që të evidentohen. Sepse duhet ta theksoj këtë: që në fakt numri i gjyqtarëve është shumë i madh dhe masa e madhe e gjyqtarëve e them me bindje, janë gjyqtarë të përkushtuar të cilët japin me të vërtetë drejtësi. Por ajo pakicë që e prish këtë raport dhe që shkakton pakënaqësi masive, sigurisht që duhet të zbulohet dhe të ndëshkohet.

Zëri i Amerikës: Konkretosht nga institucioni juaj, ose nga pozita që keni juve çfarë mund të bëni për t’i evidentuar këto raste dhe për ta goditur këtë dukuri?

Xhezair Zaganjori: Çështja e evidentimit të rasteve është në fakt një çështje që kërkon vullnet të gjithanshëm, të të gjithë mekanizmave shtetërorë dhe pastaj duhet të merren masa, e them edhe një herë pa hezitim të të gjitha karaktereve, kundër gjyqtarëve që provohet se kanë dhënë nën ndikimin e fenomeneve korruptive. Përsa i përket gjykatës së lartë, unë problemin e kam trajtuar me shqetësim edhe me kolegët. Ne duhet të rrisim transparencën, të rrisim efektivitetin dhe cilësinë e vendim-marrjes, të operojmë më shumë me vendime unifikuese dhe ndërkaq kemi marrë edhe disa hapa të tjerë, si për shembull plotësimi i çdo gjyqtari me ndihmësa ligjorë të kualifikuar. Kemi vendosur edhe kritere që ndihmësat të jenë të kualifikuar, me kritere objektive. Përveç kësaj kemi caktuar edhe kritere që kanë të bëjnë me normimin e punës, edhe të ndihmësave ligjor, edhe gjyqtarëve dhe ndërkaq kemi përcaktuar gjithashtu edhe kriteret që kanë të bëjnë me përshpejtimin e çështjeve apo që kanë të bëjnë edhe me shmangien e fenomeneve që çojnë në zvarritjen e gjykimeve, siç janë kërkesat për përjashtimin e anëtarëve të trupave gjykuese.

Zëri i Amerikës: Në korrik gjykata juaj rrëzoi rekursin e bërë nga prokuroria për çështjen e Gërdecit. A mund të na thoni se cilat ishin arsyet dhe ndërkohë si do t’u përgjigjeshit kritikëve lidhur me këtë vendim ndërkohë që ndjeshmëria në publikun shqiptar është shumë e lartë për këtë çështje?

Xhezair Zaganjori: Unë nuk jam këtu për të diskutuar vendime gjyqësore. Ai vendim është marrë nga pesë kolegë të gjykatës së lartë dhe pavarësisht bindjeve që mund të kem unë për vendimin. Por sigurisht që edhe për etikë nuk mund të diskutoj një vendim që tashmë është dhënë nga kolegët.

Zëri i Amerikës: Megjithatë duke pasur parasysh se çfarë ndjeshmërie ka në publik, e kuptoj që nuk mund të jepni hollësi, çfarë argumenti mund të jepni për këtë çështje?

Xhezair Zaganjori: Nuk kam dijeni se unë nuk jam marrë me këtë çështje. Personalisht unë merrem me çështjet e administrimit të drejtësisë në gjykatën e lartë dhe jo me dhënien e drejtësisë. Aty ku jam në trupat gjykuese, sigurisht që mund të jap hollësi, në çështjet që kam qenë unë. Ndërsa në rastin konkret unë nuk kam qenë pjesë e trupit gjykues dhe nuk njihem fare me materialet e dosjes.

Zëri i Amerikës: Si mendoni se mund të kthehet besimi tek gjyqtarët në Shqipëri?

Xhezair Zaganjori: Pyetja është shumë e drejtë. Më kujtohet një thënie e Tokvilit në botimin e tij “Demokracia amerikane” që dy faktorët esencialë që garantojnë shtetin e së drejtës dhe respektimin e lirive dhe të drejtave themelore të individit në demokracinë amerikane është pikërisht shtypi i lirë dhe një gjyqësor i pavarur. Unë mendoj se mbi bazën e kësaj filozofie edhe ne duhet të forcojmë pavarësinë dhe profesionalitetin, sigurisht se ato shkojnë bashkë. Por duhet të forcojmë në radhë të parë transparencën dhe cilësinë e dhënies së vendimeve.
XS
SM
MD
LG