Lidhje

Alarm nga mundësia e një presidenti rus të Interpolit


Interpoli, organizmi që koordinon forcat policore në gjithë globin, has rrezikun e politizimit nga Rusia, thonë kritikë të njohur të Kremlinit. Një zyrtar i lartë i policisë ruse është njëri prej dy kandidatëve për postin e presidentit të Interpolit në një votim të parashikuar për të mërkurën në Dubai. Fituesi do të zëvendësojë kinezin Meng Hongwei, që u ndalua në Pekin në shtator nën akuza për korrupsion. Kundërshtarët thonë se Kremlini po shfrytëzon fletë-arrestet e Interpolit, për të penalizuar kundështarët politikë.

Gjeneral – Majori Aleksander Prokopchuk, që drejton Byronë ruse të Interpolit, shihet si favorit për t’u zgjedhur president i Organizatës.

Kritikët thonë se në vitet e fundit, Rusia ka abuzuar me sistemin e quajtur “njoftimi i kuq” për fletë-arreste ndërkombëtare për të ndëshkuar armiqtë politikë.

Mes atyre që janë vënë në shënjestër, janë Mikhail Khodorkovsky, një biznesmen rus në mërgim dhe Bill Browder, për të cilin janë bërë gjashtë kërkesa për “lajmërime të kuqe” nga Rusia, që të gjitha janë hedhur poshtë nga Interpoli.

“Kjo është një mënyrë e përkryer që Putini mund ta përdorë për t’u future frikën të gjithë armiqve, që ta dine se nuk ikin dot nga Rusia nëse njëri prej njerëzve të tij është në krye të Interpolit. Kushtetuta e Interpolit ka rregulla shumë të qarta që ndalon vendet që janë shkelëse të shpeshta, të përdorin sistemin. Ne kemi si qëllim të fillojmë një process ligjor për pezullimin e Rusisë që të mos lejohet të përdorë Interpolin”, thotë Bill Browder, president i kompanisë “Hermitage Capital Management”.

Si kreu i një fondi investimesh në Rusi, Browder zbuloi një mashtrim me taksa në vlerën prek 230 milionë dollarësh, që mendohet se ishte kryer nga zyrtarë të lartë rusë.

Juristi që hetoi për zotin Browder, Sergei Magnitsky u arrestua dhe u rrah për vdekje ndërsa ishte i ndaluar nga policia në vitin 2009. Gjykatat ruse më pas e dënuan Magnitsky-n pas vdekjes dhe zotin Browder në mungesë, se kishin vjedhur ato para, një akuzë që ai e mohon.

Këtë javë, prokurorët rusë hapën një hetim të ri, me pretendimin se Browder kishte pasur gisht në vdekjen e Magnitsky-t dhe duke kërkuar një tjetër fletë-arresti.

“Kjo hipotezë duket të ketë shumë gjasa të jetë e vërteta, sepse Magnitsky ishte një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Browderit në krime të kryera më parë”, kishte thënë Mikhail Alexandrov, zëdhënës i Prkurorit të Përgjithshëm rus.

Browder thotë se akuza e rreme nxjerr në pah nevojën që Rusia të ndalohet të abuzojë me Interpolin.

Ai luajti një rol qendror për të nxitur Shtetet e Bashkuara të bënin fushatë për të miratuar Ligjin Magnitsky, që bën të mundur ndalimin e vizave dhe ngrirjen e pronave të shkelësve të të drejtave të njeriut. Disa rusë janë sanksionuar në bazë të këtij ligji dhe Browder thotë se Presidenti Putin është tronditur.

“Ai do që të më ndalojë që të bëj fushatë për ligje Magnitsky në gjithë botën”, thotë zoti Browder.

Britania dhe Kanadaja kanë miratuar një legjislacion të ngjashëm, ndërsa zyrtarë të Bashkimit Evropian diskutuan të martën për një ligj të ngjashëm me atë amerikan, për gjithë bllokun.

Një grup dypartiak senatorësh amerikanë i ka shkruar Interpolit që ta paralajmërojë kundër emërimit të kandidatit rus Prokopchuk, duke e krahasuar me “futjen e një dhelpre në kotec pulash”.

Ukraina dhe Lituania kanë kërcënuar që të dalin nga organizata nëse Prokopchuk emërohet. Interpoli i tha Zërit të Amerikës se presidenti zgjidhet në mënyrë demokratike nga anëtarët e vet, duke shtuar se roli nuk parashikon menaxhimin e përditshëm të organizatës. Interpol nuk u përgjigj për akuzat e shkeljeve të sistemit të lajmërimeve të kuqe nga Kremlini.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG