Ministria e punëve të brendshme ka ngritur një padi penale ndaj ish-drejtorit të përgjithshëm të policisë së shtetit, Hysni Burgaj, për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera. Lajmi u konfirmua në mbrëmje nga burime zyrtare të prokurorisë së Tiranës, të cilat bëjnë të ditur po ashtu se padia është paraqitur rreth 3 javë më parë nga ministria e brendshme.
Padija shoqërohet me një material voluminoz me tregues ekonomik e financiar, që lidhen me pagesat e disa reklamave televizive për policinë e shtetit, procedura ku zoti Burgaj mendohet se ka shkelur barazinë në garën e konkurrentëve televizivë.
Të njëjtat burime pohuan se prokuroria e Tiranës ka nisur shqyrtimin e materialit voluminoz, që duhet të përfundojë brenda një muaji. Në fund të verifikimit paraprak prokuroria vendos nëse në padi dhe në dokumente ka apo jo elementë të veprës penale. Zoti Burgaj ende nuk është shpallur person nën hetim, dhe nuk është marrë në pyetje, sepse materiali voluminoz po analizohet dhe ende nuk është përcaktuar nëse dokumentat përmbajnë apo jo vepër penale në ngarkim të tij.
Ish- drejtori i përgjithshëm i policisë, Hysni Burgaj, u largua nga detyra dy muaj më parë dhe pak javë më pas ministria ka bërë denoncimn ndaj tij për shpërdorim detyre. Bashkë me të padia përfshin edhe një grup prej 9 komisionerësh të tenderave në ministrinë e brendshme, dhe mësohet se bëhet fjalë për reklama televizive disa milionë euro.
Ngjashëm me padinë në ministrinë e punëve të brendshme, pak ditë më parë ministria e mbrojtjes paditi me të njëjtat akuza ish-ministrin e mbrojtjes Arben Imami, për abuzime ligjore dhe financiare po me reklama televizive. Seria e padive të qeverisë së re ndaj drejtuesve paraardhës për abuzime me reklamat televizive nisi nga ministria e punës, emigracionit dhe përkrahjes sociale, ku edhe u arrestuan dy zyrtarë.
Financimi i reklamave televizive është deri tani fusha ku dyshohet se janë bërë edhe abuzimet më të mëdha me fondet publike. Por janë dorëzuar edhe padi në fusha të tjera për shkelje në detyrë si ajo ndaj zotit Flamur Gjyrmishi, ish-drejtorit të përgjithshëm të doganave. Ndërsa është duke përgatitur buxhetin e ri, qeveria e re po shqyrton dokumentacionin financiar që ka trashëguar nga qeveria Berisha. Ato që për ministrat e rinj janë shkelje flagrante me financat shtetërore, për ish-drejtuesit demokratë është një gjueti shtrigash propagandistike kundër opozitës, për të krijuar përshtypje mediatike se korrupsioni po luftohet.