Lidhje

Humbja në zgjedhjen e pjesshme, goditje e rëndë për Kryeministrin britanik Johnson


Ligjvënësja e sapozgjedhur liberal-demokrate Helen Morgan, shpon tullumbacen simbolike në Shropshire, Angli (17 dhjetor 2021)
Ligjvënësja e sapozgjedhur liberal-demokrate Helen Morgan, shpon tullumbacen simbolike në Shropshire, Angli (17 dhjetor 2021)

Kryeministri britanik Boris Johnson mori përsipër "përgjegjësinë personale" të premten për mundjen e thellë të konservatorëve në zgjedhjet e pjesshme në një zonë ku kjo parti pati fituar prej 189 vitesh.

Duke fituar në North Shropshire, një zonë përgjithësisht rurale e Anglisë së mesme, demokratët liberalë përfituan rreth 34% më shumë mbështetje nga votuesit.

Një zhvendosje e tillë votash gjatë zgjedhjeve të pjesshme nuk ka ndodhur që nga Lufta e Dytë Botërore. Pasi u shpall rezultati, kandidatja liberal-demokrate Helen Morgan tha se festa kishte përfunduar për zotin Johnson, dhe në mënyrë simbolike ajo shpoi një tullumbace me emrin e tij.

Zonja Morgan bëri për vete një pjesë të madhe të konservatorëve në një proces zgjedhor të shkaktuar nga dorëheqja e një ish-ministri pas një skandali lobimi. Përmasa e humbjes po shkakton lëkundje në të gjithë politikën britanike.

Konservatorët, të befasuar tashmë, po përballen me pikëpyetjen nëse zoti Johnson është shndërruar në një problem elektoral dhe nëse ai duhet zëvendësuar. Boris Johnson u zgjodh udhëheqës i konservatorëve në vitin 2019, përgjithësisht për shkak të pikave të tij të forta në zhvillimin e fushatës dhe aftësisë për të fituar zgjedhjet. Tashmë duket se po fashitet magjia e tij elektorale dhe se gjithashtu po dobësohet edhe kontrolli i tij mbi partinë, thonë zëra të brendshëm konservatorë.

Humbjes në North Shropshire i parapriu humbja për konservatorët në një tjetër zgjedhje të pjesshme këtë vit në një zonë tradicionalisht konservatore, në Chesham dhe Amersham, ku gjithashtu fitoi një kandidat liberal-demokrat me rreth 25% të votuesve të pavendosur.

Duke folur me gazetarët të premten, zoti Johnson tha se "është e qartë se votimi në North Shropshire është një rezultat shumë zhgënjyes dhe unë e kuptoj plotësisht irritimin e njerëzve. E dëgjoj se çfarë po thonë votuesit në North Shropshire dhe gjithë përulësi më duhet ta pranoj këtë verdikt".

Ai shtoi: “Sigurisht që marr përgjegjësi personale”.

Por konservatorët, të njohur gjithashtu si partia Tori, ishin të gatshëm të premten të shprehnin zemërimin e tyre për humbjen. Shumë kishin thënë se zgjedhjet e pjesshme duhet të shihen si një referendum personal për drejtimin nga Kryeministri Johnson. Konservatorët e mbanin më parë këtë zonë me një shumicë prej mbi 23 mijë vota, por kandidati liberal-demokrat e fitoi të enjten me 5.925 vota më shumë.

Ligjvënësi veteran konservator Roger Gale tha se konservatorët humbën "sepse elektorati donte t'i dërgonte një mesazh shumë të qartë kryeministrit në ‘Downing Street’ se ata ishin të pakënaqur me menaxhimin e kësaj qeverie".

Zoti Gale i tha BBC-së se "Partia Konservatore ka një reputacion se nuk merr robër. Nëse kryeministri dështon, ai largohet". Zoti Gale tha se i kishte shkruar kryetarit të "Komisionit 1922", entiteti që mbikëqyr ligjvënësit konservatorë, duke i bërë thirrje për votëbesim për udhëheqjen e zotit Johnson. Duhet të merren pesëdhjetë e katër kërkesa të tilla për të organizuar një votim të kësaj partie parlamentare.

Parlamentarë të tjerë të zemëruar thonë se për momentin nuk po i dërgojnë kërkesat e tyre, por paralajmëruan se zotit Johnson i kanë mbetur vetëm disa javë për t'i ndryshuar gjërat.

David Gauke, një ish-ministër i kabinetit qeveritar, tha se ai mendonte se nuk kishte gjasa të ketë përpjekje për ta hequr zotin Johnson në një të ardhme të afërt, ndërkohë që qeveria po përpiqet të frenojë përkeqësimin e pandemisë, por ai u tha gazetarëve se "humbja në North Shropshire e dobëson më tej kryeministrin dhe e bën atë më të pambrojtur”.

Edhe mbështetësit e Kryeministrit Johnson e pranojnë se ai tani po lufton me krizën më të madhe të mandatit të tij të trazuar. Votuesit janë bërë më refuzues ndërsa ai kërkon t'i bindë për nevojën për kufizime më të ashpra ndaj pandemisë, ndërsa vazhdon të përhapet varianti Omikron i koronavirusit. Një përzierje skandalesh dhe njoftimesh për kaos brenda qeverisë i kanë rënduar më tej sfidat.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG