Lidhje

Huawei, fabrika e parë evropiane në Francë


Huawei do të ndërtojë fabrikën e tij të parë evropiane të prodhimit në Francë, tha të enjten kryetari i kompanisë, ndërkohë që gjigandi kinez i telekomit po përpiqet të zbutë shqetësimet në mbarë botën, të shkaktuara nga akuzat amerikane se Pekini mund t’i përdorë pajisjet e tij për spiunazh.

Liang Hua tha se Huawei, prodhuesi më i madh në botë i pajisjeve të telekomunikacionit, do të investojë 200 milion euro në fazën e parë të ngritjes së impiantit të telefonisë celulare. Ai tha se do të krijonte 500 vende pune.

Firma Huawei, e cila mohon se pajisjet e saj të paraqesin një rrezik sigurie, është në qendër të një stuhie që ka kundërvenë Shtetet e Bashkuara dhe Kinën lidhur me teknologjinë celulare të gjeneratës së re 5G. Evropa është bërë një fushë e rëndësishme beteje.

"Ky objekt do të furnizojë të gjithë tregun evropian, jo vetëm atë të Francës," tha Liang në një konferencë për shtyp. "Aktivitetet e grupit tonë janë në të gjithë botën dhe për këtë kemi nevojë për një gjurmë industriale globale."

Teknologjia 5G pritet të sjellë një hap të madh në shpejtësinë dhe kapacitetin e komunikimeve dhe një rritje eksponenciale në lidhjet midis miliarda pajisjeve, nga frigoriferët inteligjentë e deri tek automjetet pa shofer, që pritet të funksionojnë përmes rrjeteve 5G.

Nuk është e qartë nëse vendimi i firmës Huawei ka bekimin e presidentit francez Emmanuel Macron, i cili është përpjekur të joshë investitorët e huaj, por ka bërë gjithashtu paralajmërime në lidhje me depërtimin kinez në ekonominë e Bashkimit Evropian.

Liang tha se Huawei ia kishte përshkruar planin e grupit të tij qeverisë franceze. "Kjo nuk është një ofensivë diplomatike," tha ai. Zyra e zotit Macron ende nuk ka reaguar.

Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar vazhdimisht aleatët evropianë kundër lejimit të firmës kineze në infrastrukturën 5G të kontinentit. Por kryeqytetet evropiane janë të ndara se si duhet të veprojnë me gjigantin Huawei.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG