Lidhje

Hillary Clinton dorëzon serverin e email-it


Një zëdhënës i kandidates demokrate për presidente, Hillary Clinton tha se do t'i dorëzojë Departamentit të Drejtësisë, serverin privat të email-it përmes së cilin kishte shkëmbyer mesazhe gjatë kohës që ishte Sekretare Shteti.

Ligjvënësit republikanë i kishin kërkuar me këmbëngulje zonjës Clinton që të dorëzonte serverin që kur u bë e ditur në mars se ajo kishte përdorur adresën private të email-it për të dërguar mesazhe zyrtare. Kritikët e kanë akuzuar atë se po përpiqej të fshihte komunikime të debatueshme në adresën private, përfshirë ato që kishin të bënin me sulmin terrorist vdekjeprurës ndaj konsullatës amerikane në Bengazi të Libisë në vitin 2012. Zonja Clinton ka reaguar vazhdimisht ndaj kritikave:

“Mendoj se ka aq shumë paqartësi për këtë çështje saqë e kuptoj se pse gazetarët dhe publiku po bëjnë pyetje. Por faktet janë të qarta. Në atë kohë unë nuk kisha shkëmbyer asnjë informacion sekret”.

Zonja Clinton thotë se i ka dorëzuar Departamentit të Shtetit 55 mijë faqe mesazhesh elektronike dhe ka autorizuar agjencinë që t’i bëjë ato publike.

FBI-ja ka filluar një hetim për sigurinë e serverit privat të emailit pasi inspektori i përgjithshëm i komunitetit të zbulimit tha se kishte gjetur të paktën email-e që ishin sekret në kohën që ishin dërguar, përfshirë dy që ishin “shumë sekret”.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha se ato emaile kishin qarkulluar në sisteme josekrete në vitet 2009 dhe 2011 dhe më pas i ishin dërguar zonjës Clinton.

Përveç serverit, ish-sekretarja e shtetit po dorëzon edhe disa USB me kopje të mijëra emaileve të saj.

XS
SM
MD
LG