Të arratisur nga frika e burgosjes dhe e përndjekjes në Turqi, dhjetra anëtarë të lëvizjes Gylen kanë gjetur strehë, por jo siguri në Tiranë, ku i frikësohen përndjekjes dhe miqësisë së qeverisë shqiptare me Erdoganin. Ky material u përgatit për Zërin e Amerikës nga Vladimir Karaj i rrjetit të gazetarisë investigative, BIRN në Tiranë.
Dy vjet më parë, Esin Sankimaz u largua fshehurazi nga Stambolli, pasi 56 kolegë të saj në një zyrë të lëvizjes “Gylen” u arrestuan. Nëna e tre fëmijëve udhëtoi në SHBA dhe në Kanada, por pas një sërë peripecish përfundoi në Tiranë, ku u bashkua me familjen.
“Shoqet e mia janë arrestuar në orët e para të mëngjesit. Zakonisht (policia) vijnë shumë herët, në të gdhirë, dikur rreth orës 05:00 mëngjesit. Në këtë orë dhe fëmijët janë në gjumë. Dhe unë nuk doja të përjetoja diçka të tillë”, tha Sankimaz.
Esin tregon se arratisja e tronditi, ndërsa asaj iu desh të linte pas fëmijët.
“Ndërsa bashkëshorti ngiste makinën, unë ndjehesha e paralizuar, pa qenë e zonja të flisja qoftë dhe një fjalë të vetme. Truri më ishte mprirë totalisht dhe nuk ndieja asgjë”, thotë ajo.
Pas grushtit të dështuar të shtetit më 15 korrik 2016 në Turqi, mbi 50 mijë persona, sipas Amisty International, ndodhen në burg dhe po kaq ndiqen me masa më të lehta sigurie. Qeveria turke akuzon lëvizjen e krijuar nga kleriku Fetullah Gylen se qëndron pas tentativës për grusht shteti. Gylen i ka mohuar akuzat dhe i ka cilësuar veprimet e qeverisë si “gjueti shtrigash”.
Qindra mijëra turq të tjerë u larguan nga frika e përndjekjeve. Sipas Eurostat, më shumë se 14 mijë turq kërkuan azil politik në vendet e Bashkimit Europian gjatë vitit 2017.
Një grup i vogël prej rreth 60 familjesh turke të lidhura me lëvizjen Gylen gjetën strehë në Shqipëri. Qeveria e Turqisë i konsideron ata si “terroristë” dhe i kërkon Shqipërisë ekstradimin. Por ndonëse kërkesat e Ankarasë kanë rënë deri më tani në vesh të shurdhër, të arratisurit nga Erdogan jetojnë në hije dhe pasiguri në Tiranë.
Pjestarë të dy familjeve thanë gjatë intervistave se pasi u arratisën nga frika e burgosjes dhe e persekutimit, hezitojnë të kërkojnë azil politik në Shqipëri dhe nuk duan të ekspozohen si të tillë.
Ata i druhen miqësisë së qeverisë shqiptare dhe asaj turke dhe se garancitë e strehimit në Shqipëri nuk i konsiderojnë të forta.
Ismaili*, emri i ndryshuar i një gazetari 43-vjeçar që foli në kushtet e anonimiteti mbërriti në Shqipëri pasi u shkarkua me një SMS nga televizioni ku punonte, menjëherë pas grushtit të shtetit. Ndonëse ka ndërmend që të qëndrojë gjatë në Tiranë, ai ka gjithmonë një plan B në mendje.
“Në rastin më të keq, nëse rrethanat nuk do të jenë në favorin tonë, atëherë do të jem i detyruar të kërkoj azil në një vend tjetër të Europës,” tha Ismail.
“Me vende të tilla si Shqipëria, ose me vende me ekonomi të dobët, Erdogani shumë gjëra mund t’i bëjë me para, në fakt në disa vende ia ka arritur”, shtoi ai.
Shqipëria ruan historikisht marrëdhënie të ngushta me Turqinë dhe kryeministri Edi Rama e quan presidentin turk Recep Tayyip Erdogan “vëllai dhe miky ynë i pandarë”. Shqipëria shpreson gjithashtu prej vitesh të thithë investime nga Turqia.
Pas grushtit të dështuar të shtetit, kryeministri Rama ashpërsoi retorikën dhe e cilësoi organizatën Gylen të “rrezikshme”. Ai deklaroi se njerëzit që supozohen të lidhur më të mbahen nën monitorim në Shqipëri.
Në tetor 2018, presioni i qeverisë turke duket se arriti nivele të reja. Gjatë një vizite në Tiranë, ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu e vendosi vijën e kuqe tek të strehuarit e lëvizjes Gylen.
“Ne nuk strehojmë asnjë terrorist që vjen nga Shqipëria. Të njëjtën gjë presim edhe nga miqtë tanë shqiptarë”, tha Çavuşoğlu në Tiranë.
Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati tentoi të shmangte telashin gjatë një konference të përbashkët për shtyp. Ai tha se Shqipëria do të zbatonte “dokumente të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e ekstradimit”.
Presionet nga Turqia mbajnë në ankth familjet turke që jetojnë në Tiranë. Ismaili tha se pavarësisht se nuk ka bërë asnjë kërkesë dhe se nuk del asnjëherë i pashoqëruar në kryeqytet, ai është i bindur se autoritetet turke dinë gjithçka për të.
“Mendoj se kanë informacion për ne. Jam i bindur se jemi në vëzhgim të përhershëm. Por, është interesante se vëllait i është vënë përpara adresa e saktë dhe i kanë treguar se ku banoj”, tha ai.
Abdullah Bozkurt, ish-shefi i seksionit anglisht të së përditshmes turke “Zaman”, e sekuestruar dhe mbyllur në mars 2016, i tha BIRN në një intervistë përmes Skype se qeveria e Erdoganit po i përdor marrëdhëniet ndërqeveritare për të siguruar ekstradime.
Qeveria e Turqisë po përdor çdo metodë dhe taktikë. Disa herë ofrojnë kontrata, para, favore në marrëveshjet ndërqeveritare vetëm që kjo të ndodhë”, tha ai.
Bozkurt, i cili jeton prej dy vitesh si azilant politik në Suedi tha megjithatë se më shumë se të arratisurit, fushata ka për qëllim të frikësojë ata që jetojnë në Turqi.
“Është pjesë e fushatës së frikësimit, për të ruajtuar klimën e frikës brenda Turqisë. Ti mund të jesh jashtë Turqisë, por nuk je i sigurt sepse ne mund të të ndjekim, të të ndëshkojmë, mund të të hedhim në qeli dhe të mos e shohësh dritën e diellit”, tha gazetari tani aktivist për të drejtat e njeriut.
Për të arratisurit nga Turqia e Erdoganit në Tiranë, përndjekja dhe pasirguria vazhdon.
*Emri është pseudonimi i vendosur nga BIRN.
Facebook Forum