Ekipet e shpëtimit në Greqi po vazhdojnë kontrollet për njerëzit që rezultojnë ende të zhdukur në zonat e shkatëruara nga zjarret vdekjeprurëse.
Zyrtarët njoftuan dhe një tjetër person të vdekur të identifikuar, që e çon numrin e tyre në të paktën 82. Si pasojë e zjarreve që përfshinë zonat bregdetare rreth Rafinës 187 persona u plagosën.
Anëtarët e familjeve të personave që nuk janë gjetur, kanë shkuar në morgun e Athinës. Autoritetet thonë se disa prej trupave janë djegur aq keq saqë për identifikimin e tyre do të jetë e nevojshme marrja e mostrave të ADN-së.
Sipas llogaritjeve paraprake rreth 300 shtëpi janë shkatërruar ose dëmtuar rëndë nga zjarret.
Ngjarja ka shkaktuar zemërim publik për reagim të ngadaltë të autoriteteve. Por sipas zyrtarëve, erërat e forta në zonë ishin një nga faktorët që e bëri të vështirë kontrollin e zjarrit.
Pas ngjarjes së rëndë të martën Kryeministri Alexis Tsipras njoftoi tre ditë zie kombëtare.