Lidhje

Grass: Ekstremizmi kërcënim për sigurinë në gjithë botën


Shefi i Gardës Kombtare amerikane viziton Kosovën
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:21 0:00

Shefi i Byrosë së Gardës Kombëtare amerikane, tha në Kosovë, se ekstremizmi i dhunshëm paraqet kërcënim për sigurinë në gjithë botën dhe pothuajse asnjë vend, përfshirë Kosovën nuk bën përjashtim. Gjenerali Frank Grass, i bëri këto komente gjatë një ligjërate mbi sfidat në rritje me të cilat përballet NATO-ja si nga Moska ashtu edhe nga grupe jo-shtetërore të tilla si Shteti Islamik.

Shefi i Gardës Kombtare amerikane viziton Kosovën
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:21 0:00

Shefi i Byrosë së Gardës Kombëtare amerikane gjenerali Frank Grass, tha të martën në Prishtinë se Kosova nuk është shënjestër e grupit Shteti Islamik, por as ajo sikurse shumë vende të tjera nuk është imune ndaj kërcënimeve të grupeve të tilla.

Gjatë një ligjërate mbi sfidat aktuale të sigurisë në botë, ai tha se janë pak vende që nuk janë të kërcënuara nga grupet terroriste, nga ideologjitë dhe veprimet e tyre.

“Ne në Shtetet e Bashkuara nuk i konsiderojmë ata si kërcënim strategjik për mbijetesën tonë. Në i konsiderojmë ata si kërcënim për sigurinë në botë”, tha ai, duke nënvizuar se përballja me ta, kërkon një qasje gjithëpërfshirëse ndaj kësaj sfide që pritet të jetë e gjatë.

“Kërcënimet e shumëfishta në Evropën juglindore, siç janë ekstremizmi i dhunshëm, vala e pashembullt e migruesve dhe refugjatëve, armët, narkotikët dhe kontrabanda me njerëz, kërkojnë një përgjigje gjithëpërfshirëse dhe të bashkërenduar nga të gjitha vendet e rajonit”. Ai tha se Kosova është në pozicion të tillë që nuk është shënjestër e grupit Shtetit Islamik, por tërhoqi vërejtjen se gjërat në botë po ndryshojnë edhe brenda natës.

“Dy vjet më parë nuk dinim që ebola do të shpërthejë në Liberi. Nuk e dinim që rusët do të shkojnë në Krime. Nuk e dinim që grupi Shteti Islamik ekziston”, tha gjenerali Grass, ndërsa shfaqi përkushtimin e NATO-s për t’u përballur me kërcënimet për sigurinë në zonën euro atlantike.

Ndonëse nuk kanë ndonjë informacion për ndonjë kërcënim të veçantë, autoritetet në Kosovë thanë se kanë shtuar masat e sigurisë nga të gjitha institucionet e shtetit, “në mënyrë që Kosova të jetë e përgatitur në të gjitha aspektet, që të përballet me kërcënimet eventuale të ekstremizmit të dhunshëm, terrorizmit dhe krimit të organizuar”.

Kosova është përballur që në vitin 2012 me rastet e para të shkuarjes së qytetarëve të saj në Siri. Fillimisht ata u ishin bashkuar forcave opozitare që luftonin për rrëzimin e regjimit të presidentit sirian, Bashar Al Asaad. Por, më vonë, shumica e tyre u bashkuan me organizatat si Al Nusra apo edhe grupi i quajtur Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë.

Që atëherë rreth 300 qytetarë të Kosovës i janë bashkuar konfliktit atje ndërsa aktualisht sipas vlerësimeve të organeve të sigurisë numri sillet nga 60 deri në 100 veta. Mbi 40 prej tyre janë të deklaruar të vdekur.

Që nga viti 2013 e deri tash autoritetet kanë hetuar mbi 180 persona të përfshirë në vepra që lidhen me terrorizmin. Rreth 90 persona janë arrestuar dhe janë ngritur mbi 40 aktakuza. Në muajin mars, parlamenti i Kosovës miratoi ligjin që parasheh dënime deri në 15 vjet heqje lirie për të gjitha ata që marrin pjesë, nxisin apo ndihmojnë përfshirjen në luftëra të huaja.

Media vendase tha se qeveria ka mbyllur 16 organizata joqeveritare humanitare të dyshuara për përfshirje në rekrutim dhe “propagandë në mbështetje të veprimtarive ekstremiste”.

Vendimi thuhet se ishte pjesë e bashkërendimit të policisë së Kosovë me atë të Shqipërisë dhe të Maqedonisë. Autoritetet nuk i kanë komentuar njoftimet e tilla.

Autoritetet në bashkëpunim me bashkësitë fetare, agjencitë e sigurisë e organizatat e shoqërisë civile, hartuan një strategji kombëtare për “Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit”, në përpjekje për të gjetur rrugët për përballje më këtë dukuri.

Por, veprimtarët thonë se krahas veprimeve ligjore, lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm duhet të jetë gjithëpërfshirëse, duke vënë theksin tek edukimi dhe informimi i drejtë i qytetarëve të Kosovës.

XS
SM
MD
LG