Lidhje

Gjykatësja Ginsburg dhe Trump në luftë fjalësh


Anëtarja e Gjykatës së Lartë amerikane Ruth Bader Ginsburg dhe kandidati presidencial republikan Donald Trump janë përfshirë në një luftë fjalësh mbi çështjen se sai i aftë është zoti Trump për të qenë president.

Anëtarët e Gjykatës së Lartë pothuajse asnjëherë nuk shprehin opinione rreth fushatave politike, duke respektuar standartet etiko-ligjore, por edhe sepse në raste të veçanta ata mund të duhet të ndërhyjnë për të vendosur fatin e zgjedhjeve, siç ndodhi në vitin 2000.

Por zonja Ginsburg, në disa intervista me median këtë javë kritikoi miliarderin e pasurive të patundshme, i cili ka dalë si pretendenti kryesor në fushatën presidenciale republikane dhe pritet të marrë kandidaturën e partisë në kuvendin që zhvillohet javën e ardhshme.

Ginsburg, e njohur për pikëpamjet e saj liberale, tha se pret që kundërshtarja demokrate e zotit Trump, ish sekretarja e Shtetit Hillary Clinton, ta mposhtë atë në zgjedhjet kombëtare të nëntorit. Por ajo i tha gazetës The New York Times, "Nuk e imagjinoj sesi do të jetë ky vend – nuk e imagjinoj çfarë shteti do të kishim me Donald Trumpin si president. Për vendin do të ishin katër vjet. Për gjykatën, mund të ishte… as që dua ta mendoj."

Më pas, Ginsburg, anëtarja më e moshuar e gjykatës, 83 vjeçare, i tha rrjetit CNN: "Ai është njëri i shtirur. Nuk është i qëndrueshëm. Ai thotë çfarëdo që i vjen në mend për momentin."

"Ka një ego të vërtetë… Si ka mundur të anashkalojë deklarimin e taksave? Shtypi duket se po tregohet shumë i butë për këtë çështje," tha Ginsburg.

Zoti Trump i quajti komentet e saj "shumë pa vend." Po ashtu u shprehën edhe disa analistë ligjorë. Një artikull redaksional i gazetës Washington Post thotë se është dakord me komentet politike të gjykatëses për zotin Trump, por shton se “do të ishte shumë më mirë nëse nuk do të ishin thënë nga një anëtare e Gjykatës së Lartë."

I patrembur nga komentet, zoti Trump vazhdoi sot kritikat ndaj saj duke thënë në Twitter se "Anëtarja e Gjykatës së Lartë Ginsburg i ka turpëruar të gjithë duke bërë deklarata të trasha politike rreth meje. Asaj i ka ikur mendja – jep dorëheqjen!"

XS
SM
MD
LG