Senati amerikan votoi të martën në mbrëmje për t'i hapur rrugën gjyqit të plotë mbi akuzat ndaj ish-presidentit Donald Trump për nxitje rebelimi.
Në seancën e parë për këtë qëllim që do të përcaktonte nëse gjykimi i ish-presidentit ishte kushtetues, 56 anëtarë të Senatit votuan pro, dhe 44 kundër argumentit të demokratëve se procedimi është në përputhje me Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara.
Gjashtë senatorë republikanë votuan pro, një më shumë sesa pesë që kishin votuar muajin e kaluar kundër një përpjekjeje republikane për ta bllokuar gjyqin.
Donald Trump bëhet ish-presidenti i parë amerikan që gjykohet në Senat.
Ligjvënësit demokratë që shërbejnë si prokurorë e filluan paraqitjen e çështjes duke treguar video të mbështetësve të ish-Presidentit Trump që sulmonin dhunshëm policinë e Kapitolit më 6 janar, pasi ai i kishte inkurajuar gjatë një fjalimi që të "luftonin fort" për të zhbërë humbjen e tij në zgjedhje më 3 nëntor.
Videoja tregonte mbështetësit e ish-Presidentit Trump duke rrëzuar barriera, duke goditur oficerët e policisë dhe në një moment duke i thënë njërit prej tyre se "ne ua kalojmë nga numri, jemi një milion me një".
Protesta u kthye në një përplasje të dhunshme. Rreth 800 mbështetës të zotit Trump sulmuan autoritetet e Kapitolit, thyen dyer e dritare, plaçkitën disa zyra të Kongresit dhe u përleshën me policinë. Si pasojë pesë persona mbetën të vdekur, mes tyre një oficer i policisë së Kapitolit, si dhe një protestuese e cila u qëllua nga një oficer policie.
100 senatorë, 50 për secilën palë, të cilët do të shërbejnë si anëtarë të jurisë gjatë procesit gjyqësor në Senat, ndodhen në një pozicion të pazakontë. Shumë prej tyre ishin dëshmitarë të kaosit të 6 janarit, ditë gjatë së cilës u detyruan të largohen nga kjo dhomë e Kongresit për arsye sigurie.
Udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer, i quajti akuzat kundër zotit Trump “më të rëndat të ngritura ndonjëherë kundër një presidenti të Shteteve të Bashkuara në historinë amerikane".
Ish-Presidenti republikan u akuzua më 13 janar nga Dhoma e Përfaqësuesve e udhëhequr nga demokratët për nxitje të rebelimit, duke u bërë kështu i vetmi president që akuzohet dy herë dhe i vetmi ish-president që përballet me një gjyq në Senat.
Ligjvënësi demokrat Jamie Raskin, i cili drejton akuzën, tha se nëse senatorët nuk dënojnë ish-Presidentin Trump, atëherë presidentët do të krijonin një "përjashtim të janarit" që do t'u lejonte atyre të shkelnin ligjin pa u ndëshkuar në muajin e fundit të mandatit.
"Përjashtimi i janarit është një ftesë për makthin më të keq të themeluesve tanë... Ne rrezikojmë që 6 janari të bëhet e ardhmja jonë", i tha ai gjyqit, në të cilin senatorët shërbejnë si anëtarë të trupës gjykuese.
Avokatët e mbrojtjes planifikojnë të argumentojnë se vetëm një president në detyrë mund të gjykohet në Kongres.
Por shumica e ekspertëve ligjorë thonë se gjykimi është kushtetues, edhe pasi një zyrtar ka lënë detyrën, siç u shpreh profesori i drejtësisë i Universitetit Shtetëror të Miçiganit, Brian Kalt, një studiues kryesor i këtij procesi.
Demokratët e Senatit pritet të mbizotërojnë në votimin e së martës mbrëma mbi kushtetueshmërinë e gjyqit. Një përpjekje republikane për ta bllokuar gjyqin mbi një bazë të tillë u rrëzua muajin e kaluar në një votim që përfundoi 55-45.
Që ish-presidenti të shpallet fajtor mbi akuzën e ngritur do të duheshin votat e dy të tretës së anëtarëve të Kongresit, ose demokratëve do t'u nevojiteshin votat e 17 republikanëve duke e marrë të mirëqenë që të 50 senatorët demokratë do të votojnë për shpalljen e tij fajtor.
Në këto kushte, është pothuajse e garantuar që Senati do të votojë për lirimin nga akuza të ish-Presidentit Trump, ashtu sikundër një vit më parë kur ai u akuzua se i kishte bërë presion presidentit të Ukrainës që të siguronte informacione dëmtuese kundër zotit Biden, përpara zgjedhjeve të nëntorit të kaluar.
Por pavarësisht rezultatit zoti Trump do të jetë i vetmi president në historinë më shumë se dy shekullore amerikane ndaj të cilit janë ngritur dy herë akuza për shkarkimin nga Senati.
Një javë pas sulmit në Kapitol, Dhoma e Përfaqësuesve votoi me 232 vta pro dhe 197 kundër, për ngritjen zyrtarisht të akuzës ndaj zoti Trump. 10 republikanë iu bashkuan të 222 demokratëve, duke akuzuar zotin Trump për "nxitje rebelimi".
Me përfundimin e mandatit të tij, më 20 janar, ditë kur u inaugurua Presidenti i ri i vendit Joe Biden, zoti Trump u nis drejt Floridës.
Ish-Presidenti ka refuzuar një kërkesë të demokratëve për të dëshmuar në gjyqin kundër tij në Senat dhe nuk pritet të marrë pjesë në të. Gjyqi mund të zgjasë një javë ose më shumë.
Nëntë ligjvënës të Dhomës së Përfaqësuesve të cilët shërbejnë si prokurorë të çështjes, thonë se zoti Trump, falë nxitjes së mbështetësve për të msyrë drejt Kapitolit, për të përmbysur humbjen në zgjedhje, është "i vetmi përgjegjës" për trazirat që pasuan.
Zoti Trump u kërkoi mbështetësve të vinin në Uashington më 6 janar, duke folur rreth një zhvillimi që e përkufizoi si "të papranueshëm". Në një tubim pranë Shtëpisë së Bardhë pak përpara se mbështetësit e tij të niseshin drejt Kapitolit, zoti Trump vazhdoi me breshërinë e pretendimeve të tij të pabazuara, të hedhura për javë të tëra për manipulim të zgjedhjeve që, sipas tij, i kushtuan atij mandatin e dytë në Shtëpinë e Bardhë.
Gjatë fjalimit të tij që zgjati më shumë se një orë, zoti Trump u tha mbështetësve "që në mënyrë paqësore e patriotike të bëjnë që zërat e tyre të dëgjohen" duke marshuar drejt Kapitolit.
Por ai gjithashtu i inkurajoi ata duke u thënë: “Vendi ynë ka duruar boll. Ne nuk do të durojmë më dhe e gjitha kjo është për këtë qëllim. Dhe, për të përdorur një term të preferuar nga të gjithë ju, ne do ta ndalim vjedhjen".
"Ne do të luftojmë", shtoi ai. "Ne do të luftojmë fort dhe nëse nuk luftojmë kështu, nuk do të kemi më shtet", tha zoti Trump.
Në një argumentim ligjor të çështjes përpara gjyqit në Senat, prokurorët e çështjes thanë se: "Përgjegjësia e Presidentit Trump për ngjarjet e 6 janarit është e qartë" dhe se "sjellja e tij duhet të deklarohet e papranueshme në mënyrë të qartë e pa mëdyshje", edhe pse ai nuk është më në detyrë.
Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara mundëson heqjen e zyrtarëve të gjetur fajtorë për “krime dhe shkelje të rënda”. David Schoen dhe Bruce Castor, dy avokatët me eksperiencë që do të përfaqësojnë zotin Trump, argumentojnë se duke qenë se ai nuk është më president, ai nuk mund të hiqet nga detyra dhe se gjyqi ndaj tij është anti-kushtetues.
Sidoqoftë, Senati ka zhvilluar në të kaluarën gjyqe për ish-zyrtarë, duke mos u lejuar të shmangin një gjyq për shkelje të mundshme nëpërmjet dorëheqjes, siç ndodhi në një rast të vitit 1876, ose në rastin e zotit Trump, që la detyrën sepse i kishte mbaruar mandati. Për më tepër, prokurorët e Dhomës së Përfaqësuesve argumentojnë se zoti Trump nxiti trazirat dhe u akuzua nga Dhoma e Përfaqësuesve ndërsa ishte ende në detyrë.
Senatori Rand Paul i shtetit Kentaki, një mbështetës i vendosur i zotit Trump, u përpoq të bllokonte gjyqin për arsye të tilla kushtetuese, por pesë republikanë u bashkuan me të 50 senatorët demokratë në votimin 55 me 45 për ta vazhduar procesin. Por votimi gjithashtu sinjalizoi se mbështetja republikane për pafajësinë e zotit Trump mbetet e konsiderueshme, e mjaftueshme për të bllokuar shpalljen e tij fajtor.
Senatori Paul thotë se ekzistojnë "zero shanse për dënimin e tij". Nëse zoti Trump do të shpallej fajtor, Senati, me një shumicë të thjeshtë votash, mund t’i ndalonte atij mbajtjen e funksioneve publike në të ardhmen.
Të martën, avokatët e zotit Trump dhe anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve që shërbejnë sërish si prokurorë, debatuan për kushtetueshmërinë e zhvillimit të gjyqit.
Prokurorët e Dhomës së Përfaqësuesve pritet të fillojnë të paraqesin argumentet e tyre të mërkurën, ndoshta duke shfaqur disa nga xhirimet e marra gjatë orëve të trazirave.
Në vazhdim, avokatët e presidentit do të përgjigjen me mbrojtjen e tij. Sipas një marrëveshjeje të njoftuar të hënën nga udhëheqësit e kongresit, secila palë do të ketë 16 orë përgjatë dy ditëve për të paraqitur argumentet.
Avokatët e zotit Trump kanë ngritur një mbrojtje të fuqishme dhe pretendojnë se ish-presidenti nuk mban asnjë përgjegjësi për atë që ndodhi më 6 janar.
Në një material përmbledhës të paraqitur të hënën, ata pretenduan se çështja kundër tij është një "teatër politik" i demokratëve anti-Trump. Avokatët e zotit Trump sugjeruan se ai thjesht po ushtronte të drejtën e tij të garantuar në kushtetutë për fjalën e lirë, kur ai kundërshtoi rezultatet e zgjedhjeve dhe thanë se ai inkurajoi qartazi mbështetësit e tij për t'u angazhuar në një protestë paqësore.
"Përkundrazi, kjo ishte vetëm një përpjekje egoiste e udhëheqjes demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve për të shfrytëzuar ndjenjat e tmerrit dhe konfuzionit që përfshinë të gjithë amerikanët nga mbarë spektri politik, kur panë shkatërrimin në Kapitol më 6 janar nga disa qindra persona", shkruajnë avokatët. "Në vend që të veprojnë për të shëruar kombin, ose të paktën duke u përqëndruar në ndjekjen penale të shkelësve të ligjit që sulmuan Kapitolin, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve (Nancy Pelosi) dhe aleatët e saj janë përpjekur të përdorin kaosin e momentit për përfitim politik”, shkruajnë ata.
Në përgjigje, demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve që shërbejnë si prokurorë thanë se, "Ne jetojmë në një vend të qeverisur nga shteti ligjor, dhe jo nga dhuna e turmës e nxitur nga presidentë që nuk pranojnë dot humbjen në zgjedhje".
"Provat për sjelljen e Presidentit Trump janë të shumta", shkruajnë ata. "Ai nuk ka asnjë justifikim ose mbrojtje të vlefshme për veprimet e tij. Dhe përpjekjet e tij për t'i shpëtuar përgjegjësisë janë krejtësisht të kota. Siç thuhet në akuzë, Presidenti Trump shkeli betimin e detyrës së tij dhe tradhtoi popullin amerikan", shkruajnë prokurorët.
Facebook Forum