Lidhje

Gjykatësja vendos në favor të drejtorit të ri të USAGM


Michael Pack, Drejtori Ekzekutiv i USAGM
Michael Pack, Drejtori Ekzekutiv i USAGM

Një gjykatëse federale amerikane ka vendosur në favor të shefit ekzekutiv të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Mediat Globale (USAGM), Michael Pack në një proces gjyqësor mbi vendimin e zotit Pack për të shkarkuar krerët e agjencive ndërkombëtare të lajmeve të financuara nga qeveria.

Kryetarja e Gjykatës së Distriktit të Kolumbias, Beryl Howell, refuzoi një kërkesë për të ndryshuar vendimin e zotit Pack për të zëvendësuar drejtuesit e agjencive, duke thënë se vendimi i takon "kutive të votimit" dhe jo gjykatës.

Gjykatësja vendosi javën e kaluar se padia e ngritur në emër të Fondit të Teknologjisë së Hapur, një korporatë jofitimprurëse që mbështet teknologjitë globale të lirisë së internetit, "nuk kishte arritur të paraqiste të dhënat e nevojshme".

Fondi kishte argumentuar se zoti Pack nuk kishte autoritetin ligjor të shkarkonte Libby Liu-n, shefen ekzekutive të Teknologjisë së Hapur, ose të shkarkonte shefat e Radios Evropa e Lirë / Radio Liria, Radios Azia e Lirë dhe Rrjetet e Transmetimit të Lindjes së Mesme.

Zoti Pack, i cili mori kontrollin e USAGM muajin e kaluar, gjithashtu mbikqyr edhe Zërin e Amerikës. Megjithatë, procesi gjyqësor ka të bëjë me shkarkimet nga zoti Pack të drejtuesve të entiteteve të tjera të USAGM, dhe jo me mbikëqyrjen e tij ndaj Zërit të Amerikës.

Zoti Pack është Drejtori i parë Ekzekutiv i USAGM i konfirmuar nga Senati, pas një ndryshimi të madh të strukturës drejtuese të agjencisë që Kongresi miratoi në fund të vitit 2016 dhe e nënshkroi ish-Presidenti Barack Obama. Ndryshimet i dhanë fuqi të reja të zgjeruara drejtorit ekzekutiv mbi të gjitha rrjetet civile të transmetimit të financuara nga qeveria amerikane, përfshirë fuqinë për të përcaktuar buxhetet dhe për t'i dhënë fund financimit për agjensitë që drejtori ekzekutiv nuk i sheh më si efikase.

Gjykatësja Howell vuri në dukje se, "Kongresi ka vendosur të përqëndrojë pushtet ekskluziv tek Drejtori Ekzekutiv i USAGM, dhe Gjykata nuk mund ta hedhë poshtë atë përcaktim".

Padia gjyqësore nga Fondi i Teknologjisë së Hapur argumentonte se agjensitë e USAGM mbrohen nga ndërhyrjet politike nëpërmjet një "barriere strikte të mishëruar në statutet, rregulloret dhe dispozitat e detyrueshme kontraktuale". Padia pretendonte se veprimet e zotit Pack "përbëjnë shkeljen më flagrante në histori të kësaj barriere mbrojtëse".

Gjykatësja Howell tha se, "veprimet e zotit Pack kanë pasoja globale, dhe paditësit në këtë rast kanë shprehur shqetësime të thella që mandati i tij si Drejtor Ekzekutiv i USAGM do të dëmtojë pavarësinë dhe integritetin e transmetuesve ndërkombëtarë të sponsorizuar nga buxheti i Shteteve të Bashkuara".

Sidoqoftë, tha Gjykatësja Howell, "nëse veprimet e zotit Pack rezultojnë të gabuara, emërimi i tij nga Presidenti dhe konfirmimi nga Senati tregojnë se ku qëndron përgjegjësia: tek kutitë e votimit".

Në një email muajin e kaluar për qindra transmetues, redaktorë, shkruajtës artikujsh dhe stafin mbështetës të Zërit të Amerikës, zoti Pack u zotua të ruajë pavarësinë e mandatuar nga qeveria nga ndërhyrjet e jashtme politike mbi Zërin e Amerikës.

Sidoqoftë, disa vëzhgues të jashtëm dhe organizata të lajmeve, duke përfshirë "The New York Times" dhe "The Washington Post", kanë shprehur frikë për gatishmërinë e zotit Pack për t'i rezistuar presionit politik, duke përmendur historikun e tij si një regjisor konservator dhe bashkëpunëtor i ish-shefit të strategjisë së Shtëpisë së Bardhë nën Presidentin Trump, Stephen Bannon.

Zoti Pack i tha gazetës "Washington Examiner" muajin e kaluar se arsyeja pse shkarkoi katër krerët e agjencive ishte për të krijuar një fillim të ri dhe tha se "nuk është e pazakontë të veprohet kështu" në fillimet e një administrate.

"Ishte mendimi im që në ditën e parë, se duke ndryshuar udhëheqjen e lartë, unë mund ta krijoja këtë ndryshim," tha ai.

Zoti Pack tha se po kërkon të "sjellë objektivitet dhe balancë" në programet e drejtuara nga USAGM. "Gjithçka që unë po përpiqem të bëj është ta rikthej agjencinë në përputhje me misionin e saj", tha ai.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG