Në Prishtinë, një trup gjykues i drejtuar nga Misioni i Bashkimit Evropian për policinë dhe drejtësinë, i hodhi poshtë të gjitha pohimet e dëshmitarit kryesor në procesin kundër deputetit të Parlamentit të Kosovës Fatmir Limaj dhe nëntë ish bashkëluftëtarëve të tij, të akuzuar për krime lufte.
Trupi gjykues tha se deklaratat dhe ditarët e dëshmitarit Agim Zogaj, i cili qe bërë i njohur si dëshmitari X, janë të papranueshme. Në një njoftim të EULEX-it thuhet se gjykatësit kanë vlerësuar se prokuroria nuk i ka përmbushur disa standarde të caktuara procedurale. Me këtë rast, gjykatësi kryesues ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të të akuzuarve nga paraburgimi. Ekipeve të prokurorisë dhe të mbrojtjes, u është kërkuar që t’i paraqesin deklaratat e tyre përfundimtare përpara se të nxirret aktgjykimi për këtë rast. Avokati mbrojtës, Tahir Rrecaj, është i bindur se kjo shënon fundin e këtij procesi.
“Jemi shumë të sigurt se ai do të jetë një aktgjykim lirues, sepse heqja e deklaratave të dëshmitarit Agim Zogaj, ditarëve të tij dhe shpallja e tyre e papranueshme dhe veçimi nga shkresat e lëndës, nënkupton se këtu do të ketë vetëm një aktgjykim lirues për të gjithë të pandehurit dhe në asnjë mënyrë ndonjë aktgjykim tjetër”, tha avokati Rrecaj.
Zhvillimet e sotme në procesin gjyqësor, u përshëndetën nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuqi, i cili tha se kjo dëshmon edhe njëherë besimin në luftën e drejtë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës...
“Ajo çka duhet të them, ne nuk kemi pas dilemë asnjëherë që lufta e Ushtrisë Çlirimtare ka qenë e drejtë, ka qenë në përputhje me normën ndërkombëtare dhe po ashtu unë besoj që vendimi për pafajësinë, për rastin Limaj dhe rastin (Ramush) Haradinaj dhe të tjerëve në raport me luftën, i mirëpret qeveria e Kosovës. Ne jemi shumë të bindur që njerëzit tonë, njerëzit e Kosovës u janë përgjigjur drejtësisë dhe unë ua kam thënë prokurorëve dhe po e përsëris për gjithë, qëllimi i prokurorëve nuk është me fituar rastin, por me fituar drejtësia”, tha zv/kryeministri Kuqi.
Në verën e vitit të kaluar, zoti Limaj dhe nëntë pjesëtarë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u akuzuan për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës, që, siç thuhet, supozohet të jenë kryer nga fillimi i vitit 1999 deri në mesin e qershorit të atij viti, në një qendër të improvizuar paraburgimi nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila ndodhej në fshatin Kleçkë në Kosovën qendrore. Akuza mbështetej kryesisht mbi dëshmitë e një ish pjesëtari të Ushtrisë Çlirimtare, Agim Zogaj, i cili qe bërë i njohur si dëshmitari X, deri në muajin shtator të vitit të kaluar, kur kreu vetëvrasje në Gjermani. Ai ishte dërguar atje nga autoritetet e EULEX-it, në cilësinë e dëshmitarit të mbrojtur. Ai për një kohë kishte mbajtur ditar ku kishte shënuar ngjarjet e përfshira në akuzë.
Mbrojtja dhe të akuzuarit vazhdimisht kishin kërkuar shpalljen e pavlefshme të dëshmive të tij. Zotit Limaj në shtator të vitit të kaluar, ju hoq imuniteti si deputet për shkak të procesit gjyqësor.
Zëvendëskryeministri Kuqi tha se procesi gjyqësor nuk paraqet asnjë pengesë për zotin Limaj që të rikthehet në jetën politike.
“Ai për mendimin tonë ka qenë që në fillim dhe e përsërisim atë, i pafajshëm në raport me luftën, se e kemi bindjen për të gjitha rastet. E përmenda se ka qenë luftë e drejtë, çlirimtare, në përputhje me normat ndërkombëtare. Ai e ka funksionin ende të deputetit, të nënkryetarit të PDK-së dhe unë besoj shumë shpejt ai duhet t’i bashkohet edhe partisë edhe familjes shumë lirshëm edhe jetës politike, të jap kontributin e vet. Dhe në këtë drejtim nuk e ka asnjë pengesë, përkundrazi, e ka mbështetjen e plotë”, tha zv/kryeministri Kuqi.
Procesi gjyqësor, që sot shënoi kthesë të madhe, paraqet rastin e dytë që deputeti Fatmir Limaj hidhet në gjyq nën akuzat për krime lufte. Më 30 nëntor të vitit 2005 Gjykata Ndërkombëtare për Krime lufte në Hagë shpalli të pafajshëm Fatmir Limajn i njohur me emrin e luftës si komandant Çeliku, i cili në shkurt të vitit 2003 qe akuzuar për përfshirje në krime kundër civilëve shqiptarë dhe serbë gjatë luftës së vitit 1998.