Një gjykatë britanike apeli i ka hapur dritën e gjelbër ekstradimit të themeluesit të faqes WikiLeaks Julian Assange në Shtetet e Bashkuara, duke përmbysur një vendim të një gjykate më të ulët e cila kishte arritur në përfundimin se gjendja mendore e tij ishte tepër e brishtë për të përballuar procesin në sistemin amerikan të drejtësisë penale.
Vendimi i së premtes ka të ngjarë të apelohet.
Një gjykatës refuzoi më herët këtë vit një kërkesë amerikane për të ekstraduar zotin Assange në Shtetet e Bashkuara për t’u përballur me akuza për spiunazh lidhur me publikimin nga ana e WikiLeaks të dokumenteve sekrete ushtarake para një dekade. Gjykatësja Vanessa Baraitser kishte mohuar ekstradimin bazuar tek gjendja shëndetësore, duke thënë se Assange mund të vriste veten nëse mbahej në kushte të ashpra në burgjet amerikane.
Shtetet e Bashkuara e apeluan vendimin, duke kundërshtuar idenë se gjendja shëndetësore e bënte zotin Assange shumë të brishtë për t’u përballur me sistemin gjyqësor amerikan.
Autoritetet amerikane u kanë thënë gjykatësve britanikë se nëse gjykatësit britanikë bien dakord ta ekstradojnë zotin Assange, ai mund ta kryejë dënimin në vendin e tij të lindjes, Australi.
50 vjeçari Assange po mbahet aktualisht në burgun e sigurisë së lartë Belmarsh në Londër.
Facebook Forum