Lidhje

Gjeorgji, mbi 50 gazetarë sulmohen dhe shtrohen në spital gjatë protestave të dhunshme


Kundër-protestuesit duke djegur një flamur me ngjyrat e ylberit në Tbilisi
Kundër-protestuesit duke djegur një flamur me ngjyrat e ylberit në Tbilisi

Më shumë se 50 gazetarë u rrahën dhe disa u shtruan në spital të hënën ndërsa po mbulonin një protestë kundër një tubimi për të drejtat e homoseksualëve në kryeqytetin e Gjeorgjisë, Tbilisi.

Protestuesit, të cilët u mblodhën në një kundërtubim ndaj Marshit të Tbilisit për Dinjitet, bllokuan një rrugë kryesore në qytet dhe akuzuan mediat si propaganduese të lëvizjes LGBTQI.

Kalimtarët dhe turistët u përfshinë nga dhuna dhe një person u godit me thikë. Ministria e jashtme polake konfirmoi se një turist nga Polonia po trajtohej në spital pas një sulmi me thikë. Një i dyshuar është arrestuar.

Disa ndërtesa, përfshirë zyrat e organizatës Tbilisi Pride dhe ndërtesat që i përkasin partisë politike të opozitës Girchi dhe një organizate për të drejtat civile, gjithashtu u dëmtuan.

Gjatë sulmit në zyrat e organizatës
Gjatë sulmit në zyrat e organizatës

Tbilisi Pride, organizatorët për ngjarjen Marshim për Dinjitetin, e kishin anulluar paraprakisht tubimin, duke thënë se autoritetet kishin dështuar të ofronin sigurinë e nevojshme, njoftoi agjensia e lajmeve Associated Press.

"Mosveprimi i qeverisë ka vënë në rrezik real shëndetin dhe jetën e qytetarëve gjeorgjianë", tha organizata për të drejtat civile në një deklaratë në Facebook.

Kryeministri Irakli Garibashvili kishte thënë më herët të hënën se aktiviteti Tbilisi Pride mund të çonte në një konfrontim dhe se ngjarja u pa si "e papranueshme për një segment të madh" të popullsisë së vendit.

Gjeorgjia është një vend kryesisht konservator.

Zoti Garibashvili tha se Ministria e Brendshme u kishte komunikuar rreziqet organizatorëve të ngjarjes dhe sugjeroi vende alternative, sipas njoftimeve lokale.

Kryeministri dënoi dhunën të martën dhe tha se sulmet ndaj medias ishin "kategorikisht të papranueshme". Zoti Garibashvili shtoi se policia po punon për të identifikuar sulmuesit dhe për t'i sjellë para drejtësisë.

Sulmohet media

Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI) me qendër në Vjenë tha të hënën se të paktën 42 gazetarë u plagosën gjatë dhunës, duke përfshirë të paktën tetë të cilët u shtruan në spital. Deri të martën, numri i sulmeve u vlerësua të ishte më shumë se 50 nga mediat lokale dhe Ministria e Brendshme.

Grupi për të drejtat e mediave IPI thotë se ekipet e lajmeve u sulmuan dhe u shkelmuan, u goditën nga shishe dhe objekte të tjera dhe iu dëmtuan pajisjet.

Protestuesit anti-LGBT në Tbilisi
Protestuesit anti-LGBT në Tbilisi

"Skenat tronditëse të dhunës ndaj gazetarëve që mbulojnë protestat anti-Pride në Tbilisi [e hënë] janë një sulm i tmerrshëm dhe i drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medias", tha në një deklaratë zëvendës drejtori i IPI-së, Scott Griffen.

Zoti Griffen tha se media u përzgjodh për t'u sulmuar, duke shtuar se, "Ky është një nga sulmet më serioze ndaj shtypit në Gjeorgji ndër vite dhe se duhet të pritet me denoncim ndërkombëtar".

Të paktën dy gazetarë patën nevojë për operacion, përfshirë Alexander Lashkaravani, një operator i kanalit TV Pirveli, i cili kishte kocka të thyera në fytyrë dhe një sy të dëmtuar; si dhe Roma Tarughishvili, një video gazetare për Palitra News, e cila kishte një frakturë të hundës dhe dëmtime në kokë.

Një operator për transmetuesin publik Channel One kishte lëndime në të dy sytë, dhe dy gazetarë të Radios Evropa e Lirë / Radio Liria u plagosën, njëri prej tyre me hundë të thyer.

Presidenti i RFE / RL, Jamie Fly, dënoi dhunën dhe u bëri thirrje autoriteteve për të hetuar.

"Nuk ka asnjë justifikim për aktet e dhunës ndaj gazetarëve që thjesht po bëjnë punën e tyre, veçanërisht në një demokraci", tha zoti Fly në një deklaratë.

Një grup i madh protestuesish sulmuan pranë ndërtesës së parlamentit Rati Tsveravan, një gazetar për TV Formula, pasi ai u përpoq të intervistonte njerëzit në protestë.

Tre kanale gjeorgjiane kanë lëshuar një deklaratë në lidhje me sulmet ndaj stafit të tyre. Ata fajësuan kryeministrin për komentet e tij më parë gjatë ditës së hënë, për të cilat thanë se rezultuan në një "sezon të hapur gjuetie për gazetarët", raportoi IPI.

Bashkimi Evropian, Kombet e Bashkuara, Shtetet e Bashkuara dhe rreth 20 ambasada të huaja lëshuan një deklaratë të përbashkët duke dënuar sulmet ndaj shoqërisë civile, medias dhe publikut.

"Pjesëmarrja në tubime paqësore është një e drejtë e njeriut e garantuar nga Kushtetuta e Gjeorgjisë. Dhuna është thjesht e papranueshme dhe nuk mund të justifikohet. Ata që nxisin ose kërcënojnë dhunë ose kryejnë veprime të dhunshme po ndërhyjnë në përpjekjet e profesionistëve të zbatimit të ligjit të Gjeorgjisë për të ruajtur një mjedis të sigurt. Ata duhet të ndiqen penalisht me shtrirjen e plotë të ligjit", thuhet në deklaratën e përbashkët.

Deklarata u bëri thirrje udhëheqësve gjeorgjianë dhe zyrtarëve të zbatimit të ligjit të mbrojnë gazetarët dhe të dënojnë publikisht dhunën.

Ministria e Brendshme e Gjeorgjisë tha të martën se ka arrestuar tetë persona dhe ka folur me 25 përfaqësues të mediave. Autoritetet thanë se po shqyrtojnë pamjet filmike të dhunës.

Presidentja gjeorgjiane Salome Zurabishvili gjithashtu ka dënuar dhunën dhe ka vizituar disa nga gazetarët që janë duke marrë trajtim spitalor.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG