Gjendja në veriun e Kosovës raportohet e qetë por me tensione të larta. Rrugët që çojnë në vendkalimet kufitare me Serbinë në veri, janë të bllokuara nga protestuesit serbë, të cilët edhe gjatë natës së kaluar përforcuan barrikadat, përfshirë edhe ato në urën kryesore në lumin Ibër, që shënon vijën ndarëse të qytetit të Mitrovicës, në veriun me shumicë serbe dhe jugun me shumicë shqiptare.
Oficerët e policisë kufitare dhe doganave të Kosovës dhe të Misionit të Bashkimit Evropian u vendosën dje në dy vendkalimet e diskutueshme në Jarinë dhe Bërnjak në përpjekjet për të vendosur sundimin e ligjit, në frymën e marrëveshjes së arritur në fillim të shtatorit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për njohjen e vulave doganore.
Autoritetet në Prishtinë thanë se operacioni i djeshëm i EULEX-it dhe qeverisë së Kosovës, nuk është i drejtuar kundër serbëve në veri. Forcat e NATO-s po mbajnë të mbyllura dy vendkalimet kufitare, ndërsa në afërsi të tyre janë ngritur barrikada nga serbët lokal. Operacioni po kundërshtohet nga Beogradi dhe serbët lokal, të cilët po qëndrojnë në barrikada.
“Jemi të vendosur të qëndrojmë këtu dhe të luftojmë për të drejtat tona dhe për interesat e shtetit tonë, për punën, jetën dhe fëmijët tanë e të ardhmen ne tyre”, thotë Jelena një banore serbe në veri.
Beogradi ka akuzuar Prishtinën për nxitje te dhunës në veri, ndërsa ka kritikuar edhe Bashkimin Evropian dhe trupat e NATO-s për mbështetjen e veprimeve të autoriteteve të Prishtinës.
Shefi i delegacionit të Serbisë në bisedimet më Kosovën, Borisllav Stefanovic tha se qeveria e tij i ka dërguar Bashkimit Evropian një plan për vendkalimet kufitare në veri, në të cilin parashihet që të mos ketë prani të personelit shqiptar, një kërkesë kjo e papranueshme për Prishtinën.
Operacioni është mbështetur nga Bashkimi Evropian si dhe diplomatët perëndimorë në Kosovë. Ambasadori britanik, Ian Cliff tha sot në Graçanicë afër Prishtinës se Kosova është një njësi doganore dhe është e natyrshme që kjo të vlejë në të gjitha vendkalimet kufitare.
“Ne mbështesim tërësinë tokësore dhe sovranitetin e Kosovës, që përfshinë edhe veriun. Sipas rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, të cilës Serbia i referohet sa herë i duhet, e gjithë Kosova, përfshirë edhe veriun, është një zonë e vetme doganore dhe është krejt e natyrshme që kontrolli doganor të vendoset edhe në veri ashtu sikundër ishte edhe më parë. Kjo është rruga për të luftuar kontrabandën dhe nuk është i drejtuar kundër njerëzve të zakonshëm në veriun e Kosovës”, tha ambasadori britanik.
Ndërkaq zëvendëskryeministri i Kosovës, Slobodan Petrovic, shfaqi shpresën për shtendosjen e situatës në veri, duke bërë thirrje për shmangie të çdo forme të nxitjes së tensioneve në atë pjesë.
“Besoj që situata në veri do të qetësohet dhe është me rëndësi që kjo të mos pasqyrohet në pjesën jugore. Pres që qytetarët tanë në Kosovë të jenë të vetëdijshëm për situatën serioze dhe sigurisht se çdo deklaratë që do të nxiste tensione mund të jetë tepër e dëmshme. Besoj në sukses,dhe pres që bashkësia ndërkombëtar do të jap ndihmesën e saj dhe pres që të gjithë që jetojmë në Kosovë dhe rajon do të kemi më shumë arsye për optimizëm dhe suksese”, tha zëvendëskryeministri Petroviç.
Operacioni i djeshëm në veri u pasua me vendimin e autoriteteve të Prishtinës që të lejohet importimi i mallrave nga Serbia, i cili qe ndaluar më 20 korrik. Zyrtarë të doganave të Kosovës thanë se është lejuar hyrja e maunave me mallra nga Serbia, por ende nuk është regjistruar ndonjë veprim i kundërt. Autoritetet në Prishtinë thanë se do të rivendosin masat e ndalimit të importeve nga Serbia nëse kjo e fundit nuk lejon eksportet nga Kosova.