Lidhje

Gjenocidi dhe Shteti Islamik


Departamenti amerikan i Shtetit thotë se Sekretari i Shtetit John Kerry është duke studiuar përkufizimin ligjor të gjenocidit dhe do të marrë një vendim "së shpejti" nëse mizoritë e Shtetit Islamik në Irak dhe Siri përputhen me këtë përkufizim. Një përcaktim gjenocidi nga Shtetet e Bashkuara kundër grupit terrorist mund të përgatisë terrenin për veprime shtesë amerikane apo ndërkombëtare kundër ISIS-it.

Administrata Obama mund të vihet përpara presioneve të reja për t’u përgjigjur ndaj vrasjeve masive, prerjet e kokave, përdhunimeve dhe krimeve të tjera të kryera nga militantët e Shtetit Islamik, pas votimit në Dhomën e Përfaqësuesve për t’i cilësuar këto krime si gjenocid.

“Jo vetëm që po ndodh një padrejtësi e rëndë në Lindjen e Mesme ndaj njerëzve, të krishterëve, jazidëve dhe pakicave të tjera fetare që kanë çdo të drejtë të jenë në tokën e tyre si gjithë të tjerët, por ky është një kërcënim kundër vetë qytetërimit”, tha ligjvënësi Jeff Fortenberry.

Është një çështje që ligjvënësit e kanë ngritur me zotin Kerry përpara votimit në Dhomën e Përfaqësuesve.

“Ndërsa sekretari e bëri të qartë në dëshminë e tij, Departamenti i Shtetit vazhdon të mbledhë dhe vlerësojë të gjithë informacionin e mundshëm për këto krime,” tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit John Kirby.

Analistët thanë se Departamenti i Shtetit mund të përgjigjet ndaj krimeve të Shtetit Islamik pa i etiketuar ato si gjenocid duke vendosur se ka prova të mjaftueshme për të hetuar ato që ka bërë grupi dhe për të ngritur akuza kundër tij.

“Në se e bëjnë këtë, Shtetet e Bashkuara do të duhet nga ana ligjore të ndjekin penalisht anëtarët e ISIS që vijnë në Shtetet e Bashkuara”, thotë zoti Stanton.

Gregory Stanton thotë se alternativat e tjera përfshijnë referimin e çështjes në Këshillin e Sigurimit të OKB-së... ose puna me aleatët për një hetim nga Gjykata Penale Ndërkombëtare.

Analistët thonë se përkufizimi i genocidit mbart peshë.

“Ai thekson jo vetëm për udhëheqësit tanë, por edhe për popullin amerikan se ky është një krim i krimeve që ata kanë kryer. Kjo është më e keqja. Nuk mund të ketë më keq se gjenocidi. Ky është Holokaust”

Ky do të ishte emërtimi i parë i gjenocidit nga Departaemnti i Shtetit që kur Sekretari i Shtetit Colin Powell e bëri këtë në vitin 2004... në përgjigje të krimeve të kryera në rajonin e Darfurit.

XS
SM
MD
LG