Lidhje

Gazi natyror si karburant kryesor për transport


Rritja e ndjeshme e prodhimit të gazit natyror në SHBA ka bërë që ky karburant të jetë më i lirë dhe ka inkurajuar projekte që do të përdorin këtë burim, duke zëvendësuar kështu lëndë djegëse shumë herë më ndotëse. Kompanitë janë duke eksperimentuar mënyra të ndryshme për të përdorur gazin natyror si karburant për transportin.

Ndërkohë që amerikanët duan të ulin ndotjen e mjedisit dhe shpenzimet e energjisë, sistemi i transportit në vend, që bazohet kryesisht tek lëvizja me automjete, i vështirëson këto objektiva pasi është kryesisht i varur nga nafta.
Por në shtetin perëndimor të Oklahomës, Ethel Clayton nget një kamion që mund të lëvizë duke përdorur gaz natyror të kompresuar, që është shumë më i lirë dhe më i pastër.

"Është mirë jo vetëm se mund të kursehen para, por edhe sepse është diçka e mirë për mjedisin. Gjithashtu, ky gaz mban motorin e makinës në gjendje të mirë."

Falë punës së kompanive lokale të prodhimit të gazit natyror, pikat e mbushjes në Oklahoma janë të shumta, por zonja Clayton thotë se ka disa udhëzues në internet që tregojnë vende furnizimi edhe kur udhëtohet jashtë shtetit të Oklahomës.

"Udhëzuesit në fakt të tregojnë edhe rrugën për të shkuar tek stacionet e furnizimit. Po bëhet gjithmonë e më e lehtë."

Megjithatë, disa ekspertë janë më të përmbajtur. Kryeekonomisti i Institutit Amerikan të Naftës, John Felmy, thotë se gazi natyror nuk mund të jetë një karburant për përdorim të qëndrueshëm transporti pa një zgjerim të infrastrukturës mbarëkombëtare.

"Problemi është se në qoftë se i hidhet një vështrim 170 mijë stacioneve të shërbimit në të gjithë vendin, ato janë në pronësi të biznesmenëve të vegjël, të cilët thjesht nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të paguar për shembull 200 mijë dollarë, për pajisjet për furnizim me gaz natyror."

Zoti Felmy thotë se përdorimi i gazit natyror të lëngshëm do të sigurojë kursime të mëdha për kompanitë e kamionëve çisternë, por shpenzimet fillestare janë dekurajuese.

"Një kamion i madh i zakonshëm me gaz natyror kushton mesatarisht rreth 80 mijë dollarë më shumë se ata me naftë."

Po sikur të krijohej nga gazi natyror një karburant i pastër i lëngshëm që të mund të përdorej nga automjetet normale dhe që të mund të shpërndahej nëpërmjet infrastrukturës ekzistuese për furnizim?

Ky është objektivi i kompanive si Primus Green Energy, e cila ka testuar me sukses karburantin e saj dhe tani është duke ndërtuar një fabrikë për ta prodhuar atë me sasi për shitje komerciale. George Boyajian është president për zhvillimin i kompanisë.

"Çelësi për të bërë që një lëndë djegëse alternative të jetë e pranueshme si nga ana financiare dhe për konsumatorët, është që të bëhet e mundur që ata të mos ndryshojnë aspak rrjedhën e aktuale të veprimeve të tyre."

Zoti Boyajian thotë se nuk ka nevojë të ndryshohen motorët dhe nuk ka nevojë të ndryshohen në mënyrë drastike sistemet aktuale të karburantit për të bërë që kjo lëndë djegëse të ketë përdorim të gjerë. Dhe për shkak se katalizatorët e përdorur gjatë prodhimit eliminojnë ndotësit si squfuri dhe benzoli, ai thotë se ky karburant është shumë herë më i pastër.

"Po të marrim standardet me tre shkallë të nxjerra për karburantet e transportit nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit, EPA, benzina​Primus tashmë i ka tejkaluar ato standarde."

Edhe pse gazi natyror është burimi më i mirë për momentin, zoti Boyajian thotë se gazi sintetik i prodhuar nga biokarburantet mund të përdoret gjithashtu.
Mund të duhen më shumë se një dekadë që lëndë djegëse të tilla të mud të ulin ndjeshëm përdorimin e naftës për transport, por çdo hap i vogël e sjell atë objektiv më pranë realizimit.
XS
SM
MD
LG