Mes viteve 1985 dhe 1994 bizneset e Donald Trump-it kanë pësuar një humbje prej më shumë se 1 miliardë dollarësh, duke i mundësuar presidentit të ardhshëm të shmangë pagesën e taksave federale për tetë prej këtyre 10 viteve, thuhej në një artikull të publikuar të martën nga gazeta “New York Times”. Zoti Trump e cilëson veten si një sipërmarrës i suksesshëm dhe ekspert i marrëveshjeve të biznesit.
Por ai ka humbur vit pas viti edhe më shumë para krahasuar me çdo taksapagues tjetër amerikan, sipas gazetës.
Pjesa më e madhe e humbjeve të zotit Trump gjatë asaj periudhe vinte nga bizneset e tij kryesore, përfshirë hotelet, kazinotë dhe hapësirat e shitjeve me pakicë brenda komplekseve të banimit.
Në to përfshiheshin gjithashtu investimi i dështuar për një linjë ajrore, një ekip futbolli profesionist apo planet e papërfunduara në fushën e pasurive të paluajtshme.
Sipas “New York Times”, zoti Trump qe në gjendje të ruante një jetë luksoze gjatë gjithë këtyre viteve pasi shumica e parave të tij vinin nga bankat dhe mbajtësit e obligacioneve që kishin investuar në perandorinë Trump. Ai mbështetej edhe tek pasuria e babait të tij.
Por duket se zoti Trump nuk ka thyer ndonjë ligj federal, sepse sistemi amerikan i taksave u mundëson njerëzve të përftojnë zbritje në detyrimet tatimore kur bizneset e tyre pësojnë humbje.
Presidenti postoi një seri tweetesh të mërkurën duke e quajtur artikullin "një lajm tejet të pasaktë e të jashtëligjshëm!"
“Sipërmarrësit e pasurive të paluajtshme në vitet 1980 dhe 1990, më shumë se 30 vite më parë, gëzonin të drejtën e uljeve masive nga taksat dhe përftimeve prej zhvleftësimit të pronës. Pjesa më e madhe nuk ishte përfitim në para, por përfitonin atë që quhej "strehë tatimore” (një marrëveshje financiare e bërë për të shmangur ose minimizuar taksat). Kjo mundësohej duke ndërtuar apo blerë prona. Duhet gjithmonë t’i bënim të ditura humbjet për qëllime tatimore ... pothuajse të gjithë sipërmarrësit në fushën e pasurive të patundshme e kanë bërë këtë dhe shpesh rinegocionin me bankat”, shkruan zoti Trump.
Një nga avokatët e presidentit, Charles Harder, i tha gazetës se informacioni tatimor që kishte përdorur për artikullin ishte "qartësisht i rremë".
Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve po përpiqen të shtien në dorë deklaratat tatimore të zotit Trump prej vitit 2013 deri në vitin 2018, si pjesë e një hetimi që po kryejnë rreth marrëveshjeve të biznesit të huaj të presidentit.
Por sekretari për Thesarin Stiven Mnuchin, deri tani nuk ka pranuar t’u japë demokratëve informacionin e kërkuar, duke thënë se kërkesa nuk ka "qëllim ligjor legjitim".
Facebook Forum