Udhëheqësit botërorë po përgatiten për takimin e nivelit të lartë të G-20s, një samit që fillon nesër në Buenos Aires dhe që pritet të jetë mjaft i nxehtë.
Siç njofton Henry Ridgwell i Zërit të Amerikës, takimi dy-ditor mbahet në klimën e një lufte tregtare që ka krijuar tensione në ekonominë globale si dhe në atmosferën e rreziqeve të sigurisë që shtrihen nga Ukraina e deri në Lindjen e Mesme dhe në Detin e Kinës Jugore.
Ndërkohë, Presidenti Donald Trump ka anuluar një takim të planifikuar në Argjentinë me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.
Takimi i nivelit të lartë i G-20s në Buenos Aires pritet të jetë skenë përplasjesh, pasi udhëheqësit e dy ekonomive më të mëdha të botës marrin pjesë në samit në klimën e një lufte tregtare mes tyre. Presidenti Donald Trump ka kërcënuar të rrisë tarifat ndaj importeve të Kinës nga 10 në 25 për qind në një vlerë prej 200 miliardë dollarë.
Ai ka paralajmëruar për tarifa të tjera, nëse nuk arrihet marrëveshje me Pekinin për çështje si pabarazitë tregtare dhe pronësia intelektuale. Shtëpia e Bardhë beson se ajo zotëron kyçin për të arritur një marrëveshje.
"Shumica e vëzhguesve besojnë se Kina është në rënie, ndërsa Shtetet e Bashkuara vijnë në këtë takim me një pozitë shumë të fortë," thotë Larry Kudlow, Këshilltar Ekonomik i Shtëpisë së Bardhë.
Kina ka paralajmëruar për pasoja të rënda nëse lufta tregtare intensifikohet.
"Në shekullin e kaluar patëm dy luftëra botërore, dhe mes tyre një depresion të madh. Nuk mendoj se dikush duhet të përpiqet që historia të përsëritet", thotë Cui Tiankai, ambasadori i Kinës në SHBA.
Samiti i parë i udhëheqësve të njëzetëshes u mbajt pas krizës financiare globale të vitit 2008.
Tristen Naylor është analist në Shkollën Ekonomike të Londrës:
"Tani, pas një dekade, kërcënimi më i madh ndaj rendit ekonomik botëror vjen çuditërisht nga mbrojtësi kryesor i këtij rendi, me luftërat proteksioniste tregtare të nisura nga Presidenti Trump dhe me politikën Amerika e Para”.
Tensionet gjeopolitike gjithashtu po shtohen. Takimi vjen ditë pasi Rusia sulmoi anijet ukrainase pranë Krimesë dhe kapi një pjesë të ekuipazheve. Kievi thotë se incidenti ndodhi në ujërat ndërkombëtare. Si kundërpërgjigje, Presidenti Trump njoftoi se ka anuluar takimin e planifikuar me homologun e tij rus Vladimir Putin.
Nga ana e tij, zoti Putin fajësoi Ukrainën.
"Çfarë duhet të bënte forca ruse e kontrollit kufitar? Anijet ushtarake kishin hyrë ilegalisht në ujërat territoriale të Federatës Ruse" tha Presidenti Putin.
Në takim marrin pjesë gjithashtu Princi i Kurorës i Arabisë Saudite Mohamed Bin Salman, i implikuar në urdhërin për vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi në Stamboll si dhe Presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan.
Është me rëndësi jetike që samiti të shihet si një rast për të arritur përparim në sfidat e mëdha globale, thotë analisti Naylor.
"Si duhet të funksionojë sistemi ekonomik? A është proteksionizmi një gjë e mirë apo e keqe? A është i vërtetë ndryshimi i klimës apo jo? Nëse këto vende nuk mund të bien dakord, kjo u dërgon një sinjal shumë, shumë të fortë vendeve jo pjesëmarrëse, duke u thënë që ato nuk ka pse të bien dakord për këto gjëra.” thotë Tristen Naylor
Mijëra protestues të anti-globalizmit po mblidhen në Buenos Aires.
Në kryeqytet janë mobilizuar 22 mijë policë ndërkohë që brenda vetë samitit mund të ndodhin disa nga përplasjet më të ashpra midis atyre që debatojnë.
Facebook Forum