Në një raport të organizatës “Freedom House” mbi indeksin e lirisë për vitin 2011, Shqipëria rezulton me rënie krahasuar me një vit më parë. Në një intervistë që i dha Zërit të Amerikës, zëvendës presidenti për strategjinë dhe analizën në "Freedom House", Christopher Walker, thotë se disa nga arësyet për rënien ishin dhuna në protestat e janarit 2011 që shkaktoi vdekjen e disa personave dhe vështirësitë në luftën kundër korrupsionit. Përsa i përket Kosovës, zoti Walker thotë se elitës së atjeshme politike do t’i duhet ta përqendrojë energjinë tek zhvillimi i institucioneve.
Zëri i Amerikës: Vitin e kaluar situata në Shqipëri u karakterizua nga bllokimi politik. Konflikti politik u intensifikua dhe raporti vë në dukje se rivaliteti i mprehtë mes dy partive kryesore asaj Demokratike dhe asaj Socialiste që ka në qendër personalitetin, u përshkallëzua. Si do ta komentonit këtë frymë të vazhdueshme konflikti në Shqipëri?
Christopher Walker: Në raportin e këtij viti ne arritëm në përfundimin se Shqipëria ka pasur rënie dhe për disa arsye. Njëra prej tyre ishte dhuna në protestat e janarit 2011 që shkaktoi vdekjen e disa protestuesve. Po ashtu ne identifikuam vështirësi në luftën kundër korrupsionit, që është një sfidë në gjithë rajonin, por në Shqipëri e kemi hasur rregullisht në paaftësinë e sistemit për hartuar mekanizma të frytshme për të luftuar korrupsionin. Arritëm gjithashtu në përfundimin se zgjedhjet vendore të vitit të kaluar patën një numër të metash, gjë që kontribuoi tek prirja në rënie në Shqipëri.
Zëri i Amerikës: Raporti përmend gjithashtu edhe problemet në sistemin e drejtësisë dhe pengesat që ka hasur Prokuroria e Përgjithshme. Cili është mendimi juaj?
Christopher Walker: Edhe kjo është një pjesë e rëndësishme e pyetjes më të gjerë, sepse edhe nëse Shqipëria mund të kapërcejë sfidat e korrupsionit, shteti ligjor është me rëndësi thelbësore. Një nga problemet që kemi parë vazhdimisht dhe e vumë re edhe në raportin e këtij viti, ishin çështjet që lidhen me pavarësinë e gjyqësorit, rastet e politizimit të gjyqësorit. Pra menduam se ky ishte një nga problemet që duhet ta vinim në dukje në raportin e këtij viti.
Zëri i Amerikës: Në raport po ashtu thuhet se këto lloj problemesh dëmtojnë shanset e Shqipërisë për integrim në Bashkimin Evropian...
Christopher Walker: Po të shohim vendet që kanë mundur të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, ato kanë pasur një përmirësim të vazhdueshëm. Të gjitha ndryshimet dhe të gjitha standardet që kërkon Bashkimi Evropian për anëtarësim janë shumë të vështira. Mendoj se përsa kohë të ketë hendeqe në drejtimet kryesore si shteti ligjor, paaftësia për të zgjidhur problemin e korrupsionit, të gjitha këto do të jenë pengesa në rrugën e anëtarësimit në BE.
Zëri i Amerikës: Meqenëse siç thuhet në raport shumë nga problemet politike i atribuohen kësaj politike të personalizuar, çfarë rrugësh do të sugjeronit për t’i zgjidhur ato?
Christopher Walker: Sigurisht që kjo mund të ndryshojë. Një nga sfidat në këto lloj situatash është që të gjenden mënyrat dhe mekanizmat që e kanë bazën më shumë tek institucionet dhe jo tek personalitetet. Kjo është një sfidë madhore në vendet që për një arsye apo një tjetër kanë pasur në qendër politikën e mbështetur tek personalitetet. Ky është një problem në shumë nga vendet që aspirojnë demokracinë në Evropën Juglindore, si edhe në pjesë të tjera të Evropës Lindore dhe të Euroazisë. Megjithatë për qytetarët e Shqipërisë dhe të tjerë të interesuar për vendin, që duan të shohin rezultate më pozitive në një atmosferë demokratike përgjegjësie dhe transparence, ku të ofrohen shanse për gjithë vendin, sigurisht do të kishte përfitime nëse punojnë për forcimin e këtyre institucioneve e jo duke u mbështetur te personalitetet individuale.
Zëri i Amerikës: Të kalojmë tek Kosova. Raporti thotë se zgjedhjet e vitit të kaluar ishin më të këqiat që nga viti 1999...
Christopher Walker: Ne vumë re disa aspekte shqetësuese në këto zgjedhje. Kjo ishte njëra pjesë e gjendjes në Kosovë e cila ka sfidat e veta të veçanta që vijnë si pjesë e përgjegjësive për institucionet dhe përparimin e saj. Elitës politike dhe popullit të Kosovës do t’i duhet ta përqendrojnë energjinë e tyre ashtu siç disktuam edhe për Shqipërinë, tek zhvillimi i institucioneve që do të garantojnë zgjedhje të rregullta, të hapura dhe transparente si edhe institucione të tjera në vend të cilat janë thelbësore që Kosova të plotësojë synimin e vet për një sistem demokratik.
Zëri i Amerikës: Duke pasur parasysh që Kosova ndryshon nga vendet e tjera, pasi ka përveç autoriteteve të vendit edhe ato të huaja. Si e trajtoni juve këtë situatë të pazakontë kur hartoni raportin?
Chris Walker: Kjo është e vërtetë, por që nga viti i kaluar, autoritetet e Kosovës kanë më shumë përgjegjësi për suksesin dhe të ardhmen e vendit të tyre. Në këtë kuptim u takon atyre që, për të gjitha çështjet kryesore që kanë të bëjnë me qeverisjen, të ndërmarrin hapat e duhura për të përmirësuar përpjekjet e tyre. Mendoj se çështjet që na kanë shqetësuar më shumë në Kosovë kanë lidhje me problemet e vazhdueshme me korrupsionin. Korrupsioni nuk është thjesht burimi i problemit, por edhe simptomë e problemeve të tjera që kemi vënë re, përfshirë disa prirje shqetësuese të frikësimit të medias në Kosovë, gjë që autoritetet kanë një prirje ta bëjnë, por edhe të shoqërisë civile. Në aspektin pozitiv, në sferën e gjyqësorit, gjatë vitit të kaluar Gjykata Kushtetuese dëshmoi se kishte vullnetin të merrte disa vendime që të ngjallin shpresë.
Zëri i Amerikës: Çfarë ndikimi ka gjendja në veri tek përparimi i demokracisë në vend?
Christopher Walker: Kosova sigurisht që ka një numër sfidash, ashtu siç kanë pasur edhe vende të tjera në rajon gjatë dy dekadave të fundit, që kur kanë ndryshuar kufijtë në atë pjesë të botës. Ajo që ne shikojmë si objektiv janë rrugët paqësore për të garantuar të drejtat e pakicave apo atyre që e gjejnë veten në pozita pakice në një zonë me juridiksion të caktuar. Ka pasur raste në vende të Evropës lindore që, grupe popullsie shumicë, nga ndryshimi i rrethanave të historisë dhe kufijve janë gjendur në pakicë. Kjo është edhe një arsye më shumë për të pasur institucione që i kanë të sanksionuara me ligj të drejtat për pakicat dhe që në praktikë të sigurojnë mbrojtje për këdo, jo vetëm për grupe të caktuara.
Zëri i Amerikës: Zgjidhja e situatës në Veri do të donte vullnetin si të Kosovës, edhe të Serbisë. Si e shikoni rrugën përpara për të dyja këto vende përsa i takon zgjidhjes së këtyre çështjeve dhe përsa u takon aspiratave të dy vendeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian?
Christopher Walker: Mendoj se e vetmja rrugë përpara për të gjitha palët është një qëndrim paqësor dhe konsensual për të zgjidhur mosmarrëveshjet që janë shumë të vështira, pasi nga të gjitha anët ka emocione të forta. Por për të pasur rezultatet më të mira, rruga e vetme është përmes një rruge konsensuale dhe paqësore.
* Zotin Walker mund ta ndiqni në Twitter në: @walker_ct