Sulmet ndaj partive opozitare, medias dhe organizatave të shoqërisë civile po bëhen normë në Evropën Qendrore dhe Lindore, ndërsa përhapja e polikës joliberale saboton themelet dhe perspektivën për demokraci, sipas raportit të përvitshëm të organizatës Freedom House, “Vendet në Tranzicion” që përqendrohet tek demokracia në Evropën Qendrore dhe Lindore, Ballkan dhe Euroazi.
“Politika joliberale po bëhet normalja e re në Evropë, thotë presidenti i Freedom House, Michael J. Abramowitz. Fushatat e udhëhequra nga qeveritë për të baltosur grupe të shoqërisë civile, gazetarë dhe opozitat, i kishin fillesat në Rusi dhe Azinë Qendrore, por po bëhen gjithnjë e më të zakonshme në gjithë rajonin”.
“Ky nuk është më problem për të cilin mund të themi se është i kufizuar vetëm në një ose dy vende. Për të mbrojtur demokracinë, udhëheqësve u duhet të përballen me sulmet ndaj parimeve demokratike, veçanërisht kur ato sulme janë në vendet e tyre”, thotë zoti Abramowitz.
Në raportin e këtij viti “Vendet në Tranzicion”, Freedom House ka regjistruar rëniet më të mëdha të rezultateve në indeksin e demokracisë që kur ky raport filloi të publikohej, 23 vjet më parë: 19 nga 29 vendet shënuan rënie në indeksin e përgjithshëm të demokracisë. Për të dytin vit me radhë pati më shumë regjime të konsoliduara autoritare, sesa demokraci të konsoliduara.
Polonia kishte rënien e dytë më të thellë në indeksin e demokracisë në historinë e raportit.
“Ndryshimet radikale në sistemin gjyqësor polak eliminojnë çdo kontroll efektiv mbi veprimet e partisë së shumicës në pushtet. Ajo që ka ndodhur në Poloni në dy vitet e fundit, duhet të jetë një kambanë alarmi për gjithkënd që beson regjimi njëpartiak nuk do të kthehet kurrë në Evropë”, tha drejtori i Projektit të “Vendeve në Tranzicion”, Nate Schenkkan.
Zoti Schenkkan sugjeron se Bashkimi Evropian duhet të zbatojë nenin 7 ndaj Polonisë dhe Hungarisë, që i jep kompetenca bllokut që të pezullojë të drejtën e votës për anëtarët.
“Duhet të kushtëzojë qasjen në fondet e Bashkimit Evropian në kritere të qarta të shtetit ligjor. Kjo është e vetmja mënyrë që të binden këto vende dhe shtetet kandidate të BE-së, se organizata mbështetet fuqimisht tek parimet demokratike”, tha ai.
Hungaria ka regjistruar rënien më të thellë të vazhdueshme në historinë e raportit “Vendet në Tranzicion”. Vlerësimi për demokracinë në këtë vend ka rënë për 10 vjet me radhë, duke e çuar atë nga statusi i një udhëheqësi të demokracisë në vitin 2004 kur hyri në BE, në prag të kategorisë së regjimit kalimtar/hibrid në vitin 2018.
Në Ballkan, rezultati i Serbisë ra për të katërtin vit radhaz, duke e vënë në rrezik statusin e saj, si një “Demokraci gjysmë e konsoliduar”.
“Vitin e kaluar, (Presidenti Aleksandër) Vuçiç e zhvendosi veten nga posti i kryeministrit në atë të presidentit, pastaj zgjodhi vetë një kryeministre të re me kompetenca të kufizuara. Manovra të tilla sabotojnë rendin kushtetues dhe pavarësinë e institucioneve kombëtare qeverisëse”, tha Zselyke Csaky, që nga studiueset e Freedom House.
Vendet që patën më shumë përmirësim ishin Maqedonia, Uzbekistani dhe Estonia.
Në raport thuhet se ndryshimi i qeverisë në Maqedoni solli një shans për të zmbrapsur vite të tëra të kapjes së shtetit dhe për të zgjidhur mosmarrëveshjet e kahershme me fqinjët që kanë penguar zhvillimin e vendit.
“Zhbërja e dëmit ndaj demokracisë në Maqedoni, do të tregonte se mobilizimi civil dhe angazhimet ndërkombëtare mund të sjellin arritje reale. Maqedonia e meriton një shans të besueshëm për anëtarësim në BE”, tha Csaky.
Facebook Forum